Albspirit

Media/News/Publishing

“Tjetri” në krijimtarinë e Agollit

Anila Mullahi

anila1

Në periudhën para viteve ’90, në kontekstin e një tradite të fortë të letërsisë së realizmit socialist, në qendër të veprave letrare vendoseshin heronjtë pozitivë, ata që krijoheshin sipas një modeli standard. Ata zhvilloheshin në vijë lineare dhe shpesh jo në përputhje me logjikën e brendshme. Tendenca për të krijuar “tipa shoqërorë”shkaktoi shuarjen e të veçantës dhe humbjen e kuriozitetit. Personazhet e këtyre veprave, janë dhënë pa dilema, pa kthesa të mëdha, pa thyerje shpirtërore, pa asnjë luhatje për jetën, për botën, për ekzistencën njerëzore. Pranë personazhit pozitiv janë ata që ose e adhurojnë ose duan të bëhen si ai, ndërsa në anën tjetër, në të kundërtën janë antagonistët, armiqtë.
Në veprat e Agollit, përveç këtyre dy grupeve ka nga ata personazhe që shihen si ”të çuditshëm” ose “të parregullt” “jo korrekt”. Ata nuk janë personazh negativë sepse nuk janë “armiq-pushtues” të jashtëm, nuk janë as “armiq të brendshëm të klasës”, sepse nuk shpallin ide politike, por nuk janë as personazhe pozitiv, sepse nuk i ngjajnë aspak standardit. Ky lloj personazhi mund të konsiderohet si “tjetri”, dhe në të vërtetë ai strehon thellë brenda tij të pavetëdijshmen e autorit.
Tjetri është një individ i cili perceptohet nga grupi, si dikush që nuk i përket, si i ndryshëm në një mënyrë thelbësore. Grupi e sheh veten si normë dhe gjykon ata të cilët nuk i plotësojnë elementët e saj. Tjetri mund të jetë në shumë forma, në rastin e Agolli shfaqet si ai që nuk është i indoktrinuar, por as nuk e kundërshton atë. Atij nuk i intereson politika, por nuk i intereson as ti kundërvihet asaj. Mos përfshirja, mos idealogjizimi i tij e bëjnë atë të ndryshëm. Ata shpërfaqin një tipar thelbësor që i dallon nga të tjerët, flasin hapur, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk kanë para syve të tyre velin e mashtrimit dhe e shohin realitetin ashtu siç është, pa idealizime.
Krijimtaria e Agollit është e mbushur me personazhe atipike, me karaktere të veçanta, me individualitete jashtë standardit, gjë që përbënte një largim të hapur nga parimet e metodës skematike zyrtare.
Tek “Kalorësi Lakuriq” Dane Gajtani është ndryshe nga të gjithë personazhet e tjerë të romanit. Ai është për ta  i paturp, i pamatur, i pasjellshëm, i rrezikshëm.
Kapitulli i parë i këtij romani u botua në fillim të viteve ‘80 tek Hosteni në fund të vitit 1990, një variant i shkurtuar me titullin “I nëmuri” u dorëzua në gazetën Drita, dhe filloj të botohej në muajt e parë të 91.
Ngjarjet zhvillohen në periudhën kur ekonomia e shtetit komunist ishte në vështirësi të madhe, gjë e cila nuk pranohej. Veçanërisht studiuesit dhe shkencëtarët ishin ata të cilët kishin krijuar në letrat e tyre një imazh krejt ndryshe nga ai i vërteti. Në sytë e njerëzve më të nderuar të asaj shoqërie Akademikut Xheladin Apollonia, studiuesve Zyrap Kandari dhe Sotir Kucka, ai Dane Gajtani është “Tjetri”. Ai perceptohet prej tyre si një individ që nuk bën pjesë në grupin e tyre. Ai ka të njëjtën origjinë si akademiku, dikur  kanë qenë shokë klase, ai nuk shpreh asnjë pikëpamje ideologjike që mund ta kundërvërë politikisht me ata. Ai është i ndërtuar mendësish dhe kulturalisht ndryshe prej tyre dhe gjykohet negativisht.
Grupi e sheh veten si ‘standard’ dhe gjykon ata që nuk e plotësojnë normat e tij të shprehurit dhe të sjellurit. Ai thotë atë që është e vërtetë, ndonëse e di se kjo do ti sjellë pasoja. Ai e thotë të vërtetën “troç” dhe kjo gjë perceptohet si mungesë e karakteristikës thelbësore të poseduar nga grupi, që është konformizmi. Ata thonë se Ekonomia është një sukses i vërtetë.
Ndërsa ai thotë –“Ekonomia ndodhet në vështirësi të madhe, tufëzimi i bagëtive i gabuar”. Ai është tjetër dhe shihet pothuajse gjithmonë si një qenie më e vogël apo më e ulët se ata. Ai është edhe i çuditshëm sepse është i guximshëm, ndaj ata edhe e kanë frikë atë. Ai është i rrezikshëm sepse është i ndryshëm. Prania e tij si tjetër” i bën ata të bëhen më të bashkuar njëri me tjetrin. Ata përbëjnë një grup, të cilët nuk e duan njëri tjetrin dhe mezi presin që dikujt ti rrëshqasë këmba që ata ta shtyjnë, por përball atij, “Tjetrit” ata janë bashkë sepse i bashkon pushteti. Ata janë nëse do të përdorim një shprehje të Fukos “ të fabrikuar në mënyrë të kujdesshme”.
Tjetri nuk dallohet aq shumë për pamjen nga të tjerët sesa karakteri, por në “Kalorësi lakuriq” ai ka dhe ndonjë karakteristikë fizike dalluese, si qimet e hundës.
Ata kanë pushtetin mbi tjetrin, por për ta ruajtur atë i nevojitet ta ruajnë ta mbajnë në kontroll ndaj e vëzhgojnë gjithë kohën çfarë bën. Fuko e lidhte pushtetin me njohuritë dhe informacionin.
“Tjetri” i Agollit shfaqet edhe si dikush i cili shfaq pasion të madh për jetën. Një mënyrë për ta shijuar atë me të gjitha kënaqësitë që të afron ajo, nëpërmjet humorit, të ngrënit e të pirit, femrave, të kërcyerit, kënduarit siç është Cute Babulja në romanin “Arka e djallit”. Një njeri i tillë me dashuri të madhe për kënaqësitë që të afron jeta nuk është në përputhje  me heroin pozitiv i cili e “farkëton karakterin e tij mes vështirësive të mëdha”. “Arkën e djallit”, Agolli filloj ta shkruante në fillim të viteve ‘80 por e botoi në ‘97. Dy kapituj të tij janë botuar në revistën Hosteni qysh në fillim të viteve ’80. Kjo kohështrirje e shkrimit të veprës e lejoj shkrimtarin të jetonte në dy kohë ku dimensionet e lirisë dhe perceptimet letrare kishin ndryshuar plotësisht.
Cute Babulja ka një filozofi të tij për jetën, për atë që ndodh, për mënyrën sesi e jeton jetën. Ai është ndryshe nga të tjerët. Është një njeri i ditur, i lexuar i lë me gojë hapur me mendimet e tij jo vetëm njerëzit e mbyllur brenda kufijve të Shqipërisë komuniste, por edhe studiuesit nga tërë bota që janë mbledhur në Kongresin Botëror për letërsinë dhe kulturën popullore në Konian. Mendimet e tij të thëna nga gjithkush tjetër janë të papranueshme nga shoqëria dhe koha kur jeton. Por është mënyra sesi ai i thotë ato, i qeshur, i dashur, gati naiv, që e bëjnë atë të falshëm. Ai i thotë gjithmonë me humor, të fshehura pas shprehjeve popullore, nën avujt e alkoolit. Ai është ndryshe, ai as nuk e merr mundimin të flasë me petkun e nëpunësit, nuk i pëlqen të flasë me shprehjet standarde të kohës, flet si të ishte një këngëtar popullor, herë si një i çmendur, herë si një i dehur që nuk duhet t’ia vësh veshin. Ai këndon, ai kërcen jo vetëm në vendi  e tij por edhe jashtë. Ai është tjetri që i habit të tërë ata që janë rreth e qark tij. Ai është tjetri jo vetëm për ata që flasin gjuhën e tij, jo vetëm ata që e duan por edhe ata që nuk e duan. Ai ndërhyn mes valltarëve dhe kërcen vallen e Semasë, ndonëse ka shekuj që nuk ka ndërhyrë askush në të, dhe ai se ka kërcyer kurrë më parë.
Ai është i ndryshëm, ndaj është edhe i rrezikshëm. Ai rrezikon veten me ato që thotë, por dhe miqtë e tij që i rrinë pranë dhe e dëgjojnë, dhe nuk janë aq të guximshëm sa ai. Me pasionin, me energjinë, vrullin, ai tërheq vëmendjen. Atë e vëzhgojnë vazhdimisht, për të mbledhin informacion, shkruajnë letra, bëjnë raporte. Ata që janë ndryshe vëzhgohen vazhdimisht nga ata që kanë pushtetin ose që duan ta ruajnë atë. Sapo ata identifikohen si të tillë menjëherë fillon mbledhja e informacionit për ta. Fuko në 1977 do të shkruante: “Pushteti vjen nga informacioni, njohuritë që akumulohet nga vëzhgimet e veprimeve, në një mënyrë rrethore”  “duke u kombinuar dhe i përgjithësuar, ata arrijnë një nivel në të cilin informacioni dhe rritja e fuqisë rregullisht përforcojnë njëra tjetrën”[1]. Të gjithë duan që të zhduket dorëshkrimi i shkrimtarit të dënuar Bamkë Dynjaja sepse ai brenda tij ka shumë informacion që mund tu japë disave pushtet dhe disa mund ti fundosë.
Cute Babulja ashtu si Dane Gajtani kanë një të përbashkët, vazhdimisht këndojnë nën zë ose me zë. Ata janë shpirtra të lirë dhe kënga buron nga shpirti dhe është shenjë e lirisë dhe dashurisë për jetën.
Një tjetër është edhe Sherif Abeceja, shkrimtari që nuk ndalet para asgjëje për të zbuluar dorëshkrimin e zhdukur. Ai nuk i fiksohet asaj që do të ndodhë, por do domosdoshmërish të jetë ai i pari që do ta zbuloj atë. Diku arrogant, diku i sjellshëm, i kulturuar që nuk e merr mundimin të përzihet me të tjerët duket se ai e ka zgjedhur vetë të jetë një tjetër, si vazhdim i famës së shkrimtarit të famshëm që vjen nga Tirana. Ai është një tjetër që nuk përpiqet të fshehë ndryshimin madje e thekson atë.
Rita te “Kalorësi lakuriq” dhe Anthulla tek “Arka e djallit” janë dy personazhe femra të një forme krejt të ndryshme nga personazhet femra të letërsisë paraprijëse të Agollit. Për personazhet e tjera femra të veprave të Agollit flitet si “ për ndihmëse në shërbim të burrave, nënat e fëmijëve si dhe kujdestaret e shtëpive”[2]. Krejt ndryshe janë Anthulla dhe Rita. Sensualiteti është një nga tiparet dalluese të tyre dhe i shfaqur shumë lirshëm në gjithë praninë e tyre. Ata shfaqin një liri të çuditshme dhe rrallë të gjetura në figura të tjera femrave të letërsisë së kohës. Rita është e bukur por kokëkrisur, bën gjithmonë atë që i do mëndja, e bën këtë aq shpesh sa e ka bërë tipar karakteristik të saj e ndonjëherë ë shfaq atë edhe thjeshtë për inat të vëllait të saj që është kaq i standardizuar e që do të thotë i mërzitshëm për të. Jo rastësisht do të shfaqë shumë interes ndaj Dane Gajtanin, i cili i duket krejt ndryshe.
Anthulla një shartim i sensualitetit të figurave femërore të poezive erotike të letërsisë popullore dhe gruas të zgjuar dhe të pavarur që vendos çdo gjë vetë për jetën e saj. Ajo është mjeke, e bukur, shëron trupin e sëmurë dhe zemrat e sëmura. Ajo dashurohet me Sherif Abecenë, por sapo humb interesin për të nuk e merr mundimin ti shkoj pas.
Në grupin e personazheve që mund ti etiketojmë edhe si tjetri, mund të përfshijmë dhe ata të cilët ndonjë studiues shqiptar i quan ata nga të cilët “s’mund të presësh vetëm ndriçim virtyti, por edhe dobësinë njerëzore”[3]  të tillë mund të konsiderojmë Mato Grudën në romanin “Njeriu me top” ose Komandantin Rrapo tek “Komisari Memo”. Në këto raste, “tjetri” në fund i nënshtrohet normës së grupit, ndonëse duhet të theksuar se edhe ekzistenca e tyre si të ndryshëm, i bën veprat e Agollit të dallojnë nga të tjerat.
Në krijimtarinë e Agollit “tjetri” shfaqet në forma të ndryshme herë si dikush që ka një mendësi tjetër si Mato Grudo që vendos të ndryshojë,  herë si Cutja tek Arka e djallit që ndonëse e di që ai thotë të vërtetën, më dyshet nga frika e pasojave të saj, por e vërteta është brenda tij, e shpërfaqet në të gjithë format e marrëzisë. Krejt ndryshe shfaqet Dane Gajtani te “Kalorësi lakuriq” ai nuk do të ndryshojë, pavarësisht se sjellja e tij i krijon një status inferior ndaj të tjerëve shoku i tij i dikurshëm aspak më i zgjuar se ai është akademik, ai fillon të ndiqet dhe vëzhgohet por ai nuk shfaq frikë.
Sherif Abeceja është tjetri që me dëshirë mëvetësohet nga të tjerët edhe se është i bindur se është më i zgjuar, më i kulturuar dhe nuk gabon për këtë. Ai nuk njëtrajtësohet me të tjerët, por as përpiqet të përballet me ta, as tu thotë ndonjë të vërtetë.
Personazhet atipik të Agollit, që njëtrajtësohet ose që refuzojnë të njëtrajtësohen, krijojnë shumësinë e identiteteve njerëzore të një shoqërie të caktuar në një fazë zhvillimi të dallueshëm.

(1)- Michel Foucault, Discipline and Punish: the Birth of the Prison, Vintage Books, 1977
(2) -A. Saraçi, D. Agolli personalitet i shquar i letërsisë dhe kulturës shqiptare, Konferenca kushtuar shkrimtarit dhe akademikut Dritëro Agolli, Prono-print, Korçë, 2012, f. 94.
(3) -Shaban Sinani, “Njerëzit e krisur të Dritëro Agollit, Naimi, Tiranë 2012, f. 148.

Please follow and like us: