Universitetet amerikane dhe britanike, më të mirat në botë
Universiteti amerikan, Massachusetts Institute of Technology (MTI) për të pestën herë me radhë e kryeson listën e universiteteve më të mira në botë.
Këtë radhitje për vitin 2016 sot e ka publikuar QS World Ranking University.
Në këtë listë, pastaj radhiten Stanford University dhe Harward University, që të dyja në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në pozitën e katër gjendet University of Cambridge në Britani.
Pasojnë California Institute of Technology (SHBA), University of Oxford dhe University College London, të dyja në Britani, ndërsa në vendin e tetë është ETH Zyrich – Swiss Federal Institute of Technology në Zvicër.
Lista e 10 më të mirëve përfundon me Imperial College London (Britani) dhe Unversity of Chicago (SHBA).
Në listë janë përfshirë 916 universitete nga 81 shtete.
Sipas kësaj liste, mund të thuhet se një lloj i progresit është shënuar në disa universitete të shteteve me zhvillim të shpejtë ekonomik, siç janë Kina dhe Rusia.
Shumica e universiteteve të Rusisë, megjithatë nuk janë në mesin e 100 më të mirave. Në këtë radhitje, Lomonosov National State University plasohet në vendin 108.
Kjo listë formohet nga vlerësimet e më se 3,800 institucioneve dhe bazohet në gjashtë indikatorë performues.