Vizita e Presidentit Obama në Laos
Gjatë një vizite historike në Laos, Presidenti amerikan Barack Obama përballet me sfidën e trajtimit të dëmit të shkaktuar këtij vendi gjatë luftës në Vietnam. Mbetje prej miliona bombash ende gjenden të grumbulluara në territorin e Laosit, pasi u hodhën atje gati gjysëm shekulli më parë nga SHBA-ja. Megjithë përpjekjet e Laosit për të eliminuar municionet e pashpërthyera, ato vazhdojnë të marrin jetë dhe të gjymtojnë njerëz.
Ekspertët e çminimit punojnë të pastrojnë sa më shumë sipërfaqe, në mënyrë që njerëzit të mbjellin tokën. Por, ndonjëherë ata mbërrijnë shumë vonë.
“Ky burrë kishte ndezur një zjarr në kopshtin e tij dhe një bombë shpërtheu dhe i preu krahun”, thotë një mjet ortopedik.
Gjatë viteve ’60-të dhe ’70-të, luftimet në Vietnam u shtrinë edhe në vendin fqinj, Laos, ndërsa SHBA-ja mbështeste qeverinë e Vietnamit jugor në luftën kundër komunistëve.
Gjatë një dekade, forcat amerikane hodhën mbi 2 milionë tonë lëndë shpërthyese në Laos. Rreth 1/3-ta e tyre mendohet se nuk shpërtheu, duke krijuar kështu rrezikshmëri në tokë. Bombat e mbetura mendohet se kanë vrarë apo gjymtuar rreth 20 mijë persona.
Megjithë informimin, ende ka viktima të reja. Gjatë viteve të fundit, viktimat kanë qenë përgjithësisht të moshës nën 15 vjeç.
Themeluesi i një organizate rehabilitimi ishte tetë vjeç kur u plagos nga një shpërthim.
“Gjatë vitit 2015, organizata jonë identifikoi 46 persona të plagosur prej bombave dhe që nuk patën marrë asnjë lloj ndihme. Atyre u nevojitet kujdes dhe ndihmë e vazhdueshme”, thotë Thoummy Silamphan.
Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje financiare dhe zhvillimi për Laosin, por duhet bërë më shumë për të kuptuar përmasat e problemit dhe për të minimizuar rrezikun.
“Një studim mbarëkombëtar dhe një pastrim i territorit do të dojë edhe 20 vite të tjera. Mund të veprohet më shpejt.”
Laosi vazhdon të jetë vendi më i bombarduar në botë në raport me popullsinë. Që atëherë, SHBA-ja ka rindërtuar marrëdhëniet me Vietnamin, por zoti Obama është presidenti i parë amerikan që po viziton Laosin.
“Ne falim. Nuk jemi popull që mban inat. Shohim përpara dhe nuk mbetemi në të shkuarën.”
Në kryeqytetin Vientianne, Presidenti Obama po zhvillon takime edhe me 10 vende anëtare të Shoqatës së Vende të Azisë Juglindore, si dhe me udhëheqës të vende partnere, si Kina, Japonia dhe India.