Lu: Fundi i Al Kaponëve, Byroja do t’u presë rrugën kriminelëve në politikë
Shqipëria shikohet si një vend, ku politika dhe krimi i organizuar kanë lidhje të fuqishme mes tyre. Madje për amerikanët, krahasimi ka dy emra.
“Një shembull i njohur i këtij fenomeni është rasti i trafikantit të dënuar të drogës Emiljano Shullazi, që për shumë vite u akuzua për vrasje, trafik, gjobëvënie, por vetëm së fundmi u arrestua. Në Shtetet e Bashkuara ne jemi përballur me një problem të ngjashëm. Gangsteri ynë më i famshëm, Al Kapone drejtoi në Chicago grupin e organizuar kriminal, nëpërmjet të cilit kontrollonte persona strategjikë në polici, në sistemin e drejtësisë dhe qeverisjen e qytetit”, tha ambasadori Donald Lu.
Por ambasadori amerikan beson se, për Shqipërinë ka ardhur ora e së vërtetës.
“Situata në Shqipëri është serioze, por unë besoj se Reforma në Drejtësi dhe procesi i dekriminalizimit do të ndihmojnë të zgjidhin problemin e pandëshkueshmërisë dhe të lidhjeve kriminale me politikën. Shqiptarët janë të ngopur me kriminelët në politikë”, tha më tej ambasadori Lu.
Ambasadori amerikan bëri edhe një paralajmërim tjetër.
“Përpjekjet e suksesshme për të hequr vrasës, tutorë prostitutash dhe përdhunues nga Parlamenti dhe qeveritë vendore do të kenë një efekt të qëndrueshëm në reduktimin e mosndëshkueshmërisë së bosëve të krimit të organizuar në Shqipëri. Ky është gjthashtu një paralajmërim për kriminelët e tjerë se, përfshirja në politikë do të jetë një vendim i keq. Kjo do të nxjerrë në dritë aktivitetin tuaj kriminal dhe do të përfundoni në burg”, deklaroi Lu.
Por deri ku do të angazhohen Shtetet e Bashkuara për të shkëputur politikën dhe drejtësinë nga Al Kaponët shqiptarë? Ambasadori Lu ka zbuluar një sekret të vonë të vizitës së kryeministrit Rama në prill në Uashington.
“Kryeministri Rama i vizitoi zyrat qendrore në prill dhe drejtori i FBI-së më telefonoi për të përforcuar këtë angazhim. Ky do të jetë një grup serioz dhe i aftë hetuesish. Do t’i nënshtrohen rregullisht testeve të makinës së të vërtetës, do të kenë trajnimin më të mirë dhe pajisjet më moderne. Dhe agjentë të FBI-së do të caktohen nga Uashingtoni për t’u siguruar se ata janë efektivë në punën e tyre dhe se po hetojnë çështjet pa ndërhyrje politike”, përfundoi Donald Lu, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.