Rama flet për ndeshjen, maturantët e sulmojnë në Facebook, fshihen komentet
Kur Edi Rama shpërndau në profilin e tij në Facebook, statusin me të cilin përshëndeti ndeshjen e parë të Kosovës ndaj Finlandës, nuk e kishte menduar se qindra maturantë e prisnin në anën tjetër të celularit, gati për t’iu përgjigjur me sharje, mallkime, kritika dhe përbuzje pa fund.
Statusi i Edi Ramës dje në Facebook u pasua me disa lloj komentesh nga ndjekësit e tij. Disa e falënderonin për urimin, kryesisht qytetarë të Kosovës. Një duzinë, më të ngeshëm, e tallnin se në vend të flamurit të Kosovës vuri atë të Bashkimit Europian.
Kurse qindra të tjerë shfrynin dhe shanin në rrjetet sociale, të irrituar nga rezultatet e formulës që gatuan specialistët e reformës arsimore dhe që u mburr me vendosmëri nga kryeministri. Është e kotë të klikoni, mbi statusin e kryeministrit për t’i gjetur këto komente sot. Në mëngjes të gjitha reagimet e maturanteve ishin fshirë.