Skenari i Krimesë i mundshëm në Bosnjë e në Kosovë
Sejdi Veseli
Sipas të gjitha gjasave ka marrë udhë realizimi i një skenari serbomadh në shtetin e brishtë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Shumë veprime në shërbim të realizimit të këtij skenari janë duke u zhvilluar gjysmë legalisht dhe në heshtje.
Qëllimi është më se i qartë!
Serbo-çetnikët, nën udhëheqjen shpirtërore të Kishës “Shënsaviane”, risynojnë realizimin e aspiratës së tyre të kahershme nga e cila nuk kanë hequr dorë kurrë. Për nga pesha dhe rrezikshmëria për popujt fqinjë, jo serbianë, realizimi i këtij synimi mund të konsiderohet si hapi i parë, drejt krijimit të Serbisë së Madhe. Serbo-çetnikët këtë herë kanë përgatitur një skenar të veprimeve taktike, shumë më ndryshe nga ai i fundshekullit XX, ngase edhe rrethanat e sotme dallojnë për shumëçka nga ato të atëhershmet.
Sipas këtij skenari, me siguri të miratuar dhe mbështetur edhe nga rusËt, udhëheqja e të ashtuquajturës “Republika Srpska” ka marrë vendim që me 25 shtator të vitit 2016, të organizojë një referendum, e bindur se do të fitojë legjitimitetin për t’u shkëputur nga shteti i brishtë i Bosnjës dhe Hercegovinës, për të ndërmarrë më vonë hapin e dytë, bashkimin me Serbinë.
Në këtë drejtim e kanë fituar betejën në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, me çka e kanë “legjitimuar” mbajtjen e këtij referendumi.
Ashtu si nga shtetet përreth dhe nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, institucionet ndërkombëtare, me në krye Këshillin e Sigurimit të OKB-së, as edhe një reagim serioz në raport me rrezikun që po i kanoset jo vetëm regjionit, por edhe Evropës. Të “mençurit“ e politikës evropiane dhe nënbishtat e tyre, sidomos ata të Ballkanit, ndihen të relaksuar përballë këtij realiteti, se gjoja “distancimi“ i Serbisë nga synimet e klanit të Dodikut, qenkan përjashtim i çfarëdo rreziku!?
Përballë kësaj sjelljeje plotë mirëbesim ndaj shovinistëve serbo-çetnikë, domosdoshmërish të imponohet dyshimi: A thua mos nuk e njohin mirë mendësinë e mykur serbo-çetnike të Beligradit zyrtar apo mos këta të “mençur” e kanë shndërruar në monetë për kusuritje në pazarllëqet e tyre edhe territorin e Bosnjës, ngjashëm me atë të trevave etnike shqiptare.
Mendoj se përgjigja në këto dyshime nuk është diçka e vështirë!
Së pari, si duket nuk e kanë kuptuar apo nuk duan ta kuptojnë, se edhe Serbia po e luan rolin e saj të përcaktuar në këtë skenar, të ngjashëm me shumëçka me atë të Krimesë, ku si kryetari Tomislav Nikolić, ashtu dhe Kryeministri Aleksandar Vučić janë deklaruar para medieve se gjoja “distancohen“ nga synimet e mikut të tyre shpirtëror, Milorad Dodik. Është me interes të theksohet ngjashmëria e sjelljes, jo vetëm e shtetarëve serbianë, por edhe e mujsharëve ndërkombëtarë karshi “distancimeve“ të Slobodan Milošević-it, ndaj Milan Martić-it, Radovan Karadžić-it…para se të fillonte kasaphana në Kroaci dhe Bosnje;
Së dyti, mund të besohet me bazë se është bërë ndonjë pazarllëk i mujsharëve ndërkombëtarë me Serbinë, me shpresë infantile se duke i lejuar asaj tani të aneksojë Republika Srpska dhe nesër Zajednicën në Kosovë, helbete do ta shkëpusin nga prehri i ngrohtë i Rusisë.
Së treti, nënbishtet e tyre të verbëruar nga miopia politike shpresojnë së koti se mos këtë problem do ta zgjidhë Bashkësia Ndërkombëtare. Por, sipas të gjitha gjasave, ata harrojnë, pse jo edhe qëllimshëm, se Bashkësia Ndërkombëtare nuk është dëshmuar apo as që ka dashtë të dëshmohet se është e zonja të zgjidhë as edhe një nga problemet e shkaktuara nga konfliktet e përgjakshme në Botë, jo edhe pa fajin e saj, siç janë p.sh. konflikti ndërmjet dy shteteve koreane, problemi palestinez, situata e pasigurisë në Afganistan, lufta në Irak, në Siri, në Liban, në Libi, në Jemen…etj., nga ku rrjedhin lumenj gjaku nga palët ndërluftuese dhe lotësh të popullatës së pambrojtur dhe të pafajshme civile. Po të ishte ndryshe, nuk do të ndodhte masakra e boshnjakëve në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995, para hundëve të “paqeruajtësve“ të SFOR-t holandez dhe nuk do të ndodhte spastrimi i pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës nga shqiptarët, në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, të cilin e kryen falangat serbo-çetnike “Rojet e Urës“, para hundëve të KFOR-it francez dhe policisë unmikistaneze…
Në vend të përfundimit të këtij opinioni, po i jap vetes të drejtën të shpreh drojën time: Nuk është larg mendsh të pritet që pas këtij “distancomi” Serbia të shpërblehet me diçka, ngjashëm siç ishte Marrëveshja e Daytonit, ku pas gjenocidit ndaj kroatëve dhe sidomos ndaj boshnjakëve t’i dhurohej 49% e territorit, sa dyfishi i popullatës serbe në Bosnjë e Hercegovinë apo siç ishin Marrëveshjet e Rambujesë e Kumanovës dhe ajo e Konçulit, si edhe Plani i Ahtisarit, të gjitha këto të favorshme për Serbinë dhe shumë të dëmshme për shqiptarët, denigruese dhe ofenduese për luftën kundër pushtuese të UÇK-së dhe UÇPMB-së, për dëshmorët, invalidët e luftës, viktimat civile, fëmijët e masakruar, gratë e përdhunuara…!