‘Snowden’, filmi i Oliver Stone shfaqet në kinema
Filmi tërheqës i Oliver Stone për Eduward Snowden po shfaqet në kinema në mbarë botën. Xhirimet regjisori i ka realizuar kryesisht në SHBA dhe në Gjermani. Stone thotë, se në SHBA nuk i dhanë para për filmin.
Para nga Gjermania dhe Franca – jo nga Hollywoodi! Premiera botërore e filmit në kuadër të Festivalit të Filmit në Toronto në Kanada dhe jo në SHBA: Çfarë do të thotë kjo për Oliver Stone dhe filmin e tij “Snowden”? A nuk është ky një konfirmim i mesazhit thelbësor të filmit, që pikërisht zbulimi i inofrmacioneve sekrete nga whistleblower-i Edward Snowden si dhe përndjekja ndaj tij që pasoi prej autoriteteve të SHBA-së tregojnë një humbje dramatike për demokracinë?
Premiera e madhe në Toronto
Po dhe jo. Një premierë botërore për “Snowden” pati duke e përjashtuar publikun e gjerë, filmi u shfaq në korrik në San Diego në kuadër të “Comic-Con”, pra në SHBA, në atdheun e regjisorit dhe të personazhit të filmit të tij. E Festivali i Filmit në Toronto konsiderohet gjithësesi si festivali më i rëndësishëm i kontinentit të Amerikës së Veriut. Në këtë festival u shfaq “Snowden” më 9.9. Më 16 shtator filmi nis të shfaqet zyrtarisht në kinema në SHBA. Publiku amerikan pra do ta shohë veprën e rëndësishme për whistleblower-in.
Po ashtu produksionet filmike të njërit prej regjisorëve më të rëndësishëm të SHBA-së si Oliver Stone shfaqen në Hollywood apo në Nju Jork shpesh herë me bujë të madhe duke shtruar tapetin e kuq dhe shoqëruar prej bliceve të kamerave e gjithçkaje tjetër që i përket një eventi të tillë. Shfaqja e filmit në kinema në SHBA u shty megjithatë. Ndërsa festivalet e filmave, që ditët e ardhshme prezantojnë produksionin “Snowden” janë të gjithë në Europë: në Helsinki, San Sebastian dhe në Zyrih. Ndërsa duket se publiku i kinematografisë së SHBA-së nuk është aq i interesuar që t’i kushtojë ndonjë vëmendje të veçantë këtij filmi.
Por më rëndësi se sa premiera ka fakti, që Oliver Stone filmin e tij nuk do të kish mundur ta realizojë në SHBA. “Të gjitha studiot e mëdha e kanë refuzuar filmin, Hollywood-i është burracak”, tha Stone në një intervistë, që i dha gazetës gjermane “Sonntagszeitung”. Ndërsa për gazetën e përjavshme “Die Zeit” Stone vuri në dukje: “Njëra studio e madhe pas tjetrës refuzuan. Natyrisht askush nuk ishte udhëzuar prej NSA-së që të mos ngatërrohej me këtë histori. Por vendimi ishte një vetëcensurë.”
Oliver Stone nuk është dokushdo. Regjsori, i cili në ditën e shfaqjes së filmit në kinema 15 shtator festoi 70 vjetorin e lindjes, është një ndër regjisorët më të rëndësishëm prej dekadash si dhe kineasti më me influencë në vend. Me veprat si “Platoon” (me temë lufta e Vietnamit), “Salvador” (mbi angazhimin e SHBA-së në Amerikën Latine), “Wall Street” (vështrim kritik në tregtinë e bursës) apo “JFK” (teoritë e komplotit mbi vrasjen e Kennedy-t) Stone vazhdimisht ka trajtuar tema delikate të politikës së jashtme dhe të brendshme të SHBA-së.
Filmat e tij kanë qenë të suksesshëm, por gjithmonë kanë hasur në kritika, kryesisht të atyre që janë ndjerë të prekur. Megjithatë kur një Oliver Stone nuk i financohet filmi që premton sukses në vendin e tij, kjo le hapësirë për spekulime.
Si qytetar ai nuk lejon t’i venë kapistallin, thotë Stone në intervistë për gazetën “Zeit”: “Unë e pranoj, që përzihen roli im si kineast amerikan dhe si qytetar amerikan.” Stone i duhej pra që për projektin e tij mbi “armikun numër 1 të Amerikës”, i cili që nga viti 2013 qendron në azilim në Moskë, të siguronte para nga burime të tjera. Ai e ka financiar filmin “Snowden” pjesërisht me kapital francez dhe gjerman. Producenti nga Mynihu Philip Schulz-Deyle kontribuoi, pasi u bë e qartë, që Stone nuk mund të filmojë në SHBA dhe mblodhi pjesën më të madhe të parave 38 milionë Dollarë kosto për prodhimin.
Një pjesë e mirë e filmit është xhiruar në Gjermani. Në Bavaria-Studios të Mynihut u konstruktuan skenat e hotelit Mira të Hongkongut, ku Snowden qendroi pasi u largua nga SHBA-ja. Ndërsa katakombet e parkut Olimpik të Mynihut si dhe pallati historik i postës në kryeqytetin bavarez shërbyen për të krijuar dekoret e skenave në qendrën e NASA-së.
Filmi skicon me akribi formimin e Edward Snowden-it. Fillimisht si karrierist, mjaft inteligjent dhe një djalosh me kapacitet, i cili do t’i shërbejë vendit të tij. Por me kalimin e kohës Snowden gradualisht nis të vrasë mendjen, të shtrojë pyetje kritike derisa bëhet një punonjës kritik i shërbimit të fshehtë të SHBA-së. Kjo kritikë konsolidohet në mendime, se çfarë duhet të bëjë ai për t’u mbrojtur. Daljen në publik në vendin e tij Snowden e konsideron mjaft me risk. Ndaj ai vendos të arratiset jashtë shtetit.
“Snowden do të dëshironte të kthehej…”
Nga kjo ngjarje Oliver Stone ka krijuar një politkrimi mjaft interesant që e mbërthen spektatorin. E kjonuk është një histori fiktive à la Hollywood, që u rrëfen Stone spektatorëve: Snowden vazhdon të jetë në azilim në Moskë. Nëse do të mundej, thotë Oliver Stone, atëherë Edward Snowden do të kthehej në atdhe. Por ndërkohë atij nuk do t’i garantohej një proces korrekt në SHBA.
Organizatat e të drejtave të njeriut i bëjnë thirrje ndërkohë presidentit Obama, që ta falë whistleblower-in. Edhe Stone ka kërkuar gjatë premierës botërore të filmit në Festivalin e Filmit në Toronto, që Snowden të falet. “Ne shpresojmë”, tha ai, “që Obama-s t’i shkojë një shkëndijë në mendje.”