Albspirit

Media/News/Publishing

Kërcënimi nga interneti

Kërcënimi nga interneti

Nga 19-20 shtator zhvillohet i ashtuquajturi Cyber Security Summit. Është hera e katërt që ai mbahet dhe këtë herë zhvillohet në Sillicon Valley.

Organizatorët e takimit të nivelit të lartë të ekspertëve, Konferenca e Sigurisë e Mynihut dhe Telekomi Gjerman ftuan për të diskutuar për sigurinë kibernetike ekspertë të shkencës, politikës, ekonomisë dhe ushtrisë. DW foli me Thomas Kremer nga Deutsche Telekom.

Deutsche Welle: Tri herë, Deutsche Telekom dhe Konferenca e Sigurisë në Mynih e kanë organizuar Cyber Security Summit në Gjermani. Këtë herë Konferenca e Sigurisë zhvillohet në Sillicon Valley në SHBA. Pse?

Thomas Kremer: Me Sillicon Valley ne kemi gjetur një mikpritës, i cili është shumë inovator në të gjitha fushat rreth sigurisë kibernetike. Nga ky rajon vijnë metoda të reja. Veç kësaj është edhe një pikë ndërkombëtare takimi. Cyber Security nuk mund të rregullohet as në nivel nacional dhe as evropian, për të nevojitet një rrjet ndërkombëtar. Prandaj është shumë mirë, kur shkon atje ku luhet muzika.

Çfarë është arritur që prej Cyber Security Summit të tretë para dy vjetësh në Bonn?

Sektori ku kemi avancuar më shumë është ndërgjegjësimi se siguria e IT dhe siguria kibernetike të mos jenë çështje e specialistëve, por ta kenë vendin në katet e shefave. Shumica e sipërmarrjeve sot e kanë të qartë se siguria informatike dhe kibernetike sot është çështje e vendimmarrësve. Me disa kufizime kjo vlen edhe për shtresën e mesme.

Një aspekt i dytë është që bashkëpunimi në çështjet e sigurisë midis institucioneve publike dhe sipërmarrjeve është përmirësuar shumë dukshëm. Ky përparim për mendimin tim i dedikohet Cyber Security Summit që e patëm në Bonn.

Çfarë dimensioni ka kërcënimi në hapësirën kibernetike, në Cyber Space? A është shtuar ai në lidhje me industrinë 4.0?

Ne e shohim qartë, se me shtimin e digjitalizimit të të gjitha aspekteve të jetës sonë profesionale dhe private është shtuar mundësia e sulmeve edhe kibernetike. Potenciali i kërcënimit që kemi është më i madh. Njëkohësisht ne shohim se sulmuesit sillen në mënyrë më profesioniste. Këtë e ndjemë edhe në zonën tonë, kur disa spitale u bënë viktima të sulmeve kibernetike. Sulmuesit thjesht i koduan të gjitha të dhënat, sa që praktikisht nuk mund të punohej dot më me të dhënat e pacientëve. Kriminelët u përpoqën pastaj t’u bënin shantazh spitaleve. Ky është njëri nga rreziqet shumë aktuale, që kemi këtu. Këtë duhet ta përballojmë.

Cilat janë sfidat më të mëdha përsa i përket sigurisë kibernetike?

Sipërmarrjet nuk i rrethon dot më me një mur kështjelle, me një firewall, që ta sigurojë sipërmarrjen krejtësisht. Profesionalizmi i sulmeve e ka kthyer prej kohësh në absurditet këtë sistem.

Ajo për të cilën kemi nevojë tani, janë sisteme, të cilat e kontrollojnë IT, teknikën tonë të informacion në kohë reale dhe që na dërgojnë një sinjal, kur vihen re aktivitete të pazakonta. Veç kësaj ne kemi nevojë për ekipe, që në rast aktivitetesh të pazakonta të na japin një sinjal. Veç kësaj ne kemi nevojë për ekipe, që në raste aktivitetesh të pazakonta ta analizojnë me imtësi sistemin, ta riparojnë ose ta shkëpusin atë nga rrjeti, për të parandaluar kështu me shpejtësi një sulm.

Pika e dytë është ndërthurrja ndërkombëtare. Ne duhet të biem dakord në të gjithë botën me njëri-tjetrin për temën e sigurisë dhe për masat e nevojshme. Rregullore që kanë si temë programet e dobëta kompjuterike dhe gabimet e tyre nuk duhet të ketë vetëm këtu në Gjermani ose në Evropë, shumë më tepër neve na nevojiten rregulla të përbotshme, sepse edhe hapësira kibernetike është e përbotshme dhe kriminelët e internetit janë të në gjithë botën. Një rregullore e tillë është njëra nga sfidat, me të cilën do të përballemi në takimin e sivjetshëm në Palo Alto./DW

Thomas Kremer është kryetar i bordit të Mbrojtjes së të Dhënave, së Drejtës dhe Konformitetit i Telekomit Gjerman.

Please follow and like us: