Ndërhyrjet anglo-amerikane për rrëzimin e Enver Hoxhës
Grupi i deputetëve në 1945
Është diskutuar, e po diskutohet shpesh për “Grupin e deputetëve”, si “viktimë” e Enver Hoxhës, duke e marrë të shkëputur nga kushtet historike që po kalonte vendi ynë në vitin 1945-1946, kur pushteti popullor sapo kishte dalë nga lufta dhe rrezikohej nga ndërhyrjet e jashtme. Këtë qëllim e dëshmon vetë Ministria e Jashtme britanike me Misionin Ushtarak që dërgoi në Shqipëri në qershor 1945: “Misioni ushtarak do të shërbejë për të lidhur grupet opozitare dhe për t’u dhënë mbështetjen që ata kërkojnë.
Njëri nga këta grupe, që i ka shërbyer politikës britanike, ka qenë edhe “grupi i deputetëve”, më 13 Mars, pas arrestimit të Gjergj Kokoshit, i raportohej nga Kazerta Ministrisë së Jashtme britanike: “Vizita e Kokoshit në misionin ushtarak, është një provë që kompromenton misionin ushtarak… major Arnotin e ka zënë një frikë e lehtë… Ai mendon se emri i tij mund të përmendet në disa gjyqe politike. Edhe Zyra e Luftës është futur në këtë panik… Ka mundësi që personat e implikuar në këtë gjyq do të thonë të vërtetën se kanë patur kontakte me këtë mision”.
Më 30 Qershor Arnot raportonte: “pohimet e bëra në gjyqet shqiptare janë padyshim të drejta,ato paraqesin implikimin e nxjerrë nga shënimet që kanë mbajtur shqiptarët e fajësuar. Mendoj se mund të dalin edhe gjëra të reja lidhur me të akuzuarit e tjerë: Kokoshi, Asllani, Shaban Balla, Musine Kokalari e Anastas Papapostoli”.
Përderisa, majori i Misionit Ushtarak britanik pranon, se “pohimet e shqiptarëve të fajësuar janë pa dyshim të drejta”, s’na mbetet veçse të rreshtojmë disa nga pohimet e atëhershme:
- Të akuzuarit pranuan para gjyqit se kishin kryer krime, duke vrarë disa personalitete krahinore dhe se deshën të vrisnin Enver Hoxhën…”
- Riza Alizoti, i biri i ish ministrit të pushkatuar si kriminel lufte, pohonte: “Më 1929 vazhdova mësimet në shkollën teknike nën drejtimin e Fulcit, më 1945 nënshkrova një kontratë me SBS dhe hyra përsëri nën drejtimin e Fulcit… i urdhëruar prej tij formova një grup sabotatorësh në kantierin vajguror të Kuçovës”.
- Sulo Klosi: anëtar i Ballit Kombëtar, pohoi jo vetëm veprimtarinë dhe marrëdhëniet që pati me misionin anglo-amerikan, por edhe që këta drejtonin organizata të tjera sabotimi si për shembull grupin e deputetëve dhe të “tekniko-intelektualëve”.
- “Sulmi i Shkodrës u përgatit disa muaj më parë, shkoi aty Riza Dani nga “organizata e deputetëve” dhe Abdyl Kokoshi nga grupi i Ballit Kombëtar…”
- Raporti i 10 korrikut konfirmon lidhjet e grupeve të ndryshme me agjentët anglo-amerikanë: “Numri 12, Lari Post është ndërlidhësi i misionit ushtarak në organizatën A. Qehan Dibra ka mbajtur kontakt me kolonelin Palmer, Numrat 1, 2, 3, 8, 12, 14, kanë lidhje me majorin Arnot…”
Kodifikimi i emrave të të arrestuarve, nga misioni ushtarak britanik, përjashton kategorikisht mundësinë e ekzistencës së një opozite që mbart ideale demokratike, është plotësisht e vërtetuar se kemi të bëjmë me një grup agjenturor, që punonte nën drejtimin e të huajve për përmbysjen e pushtetit popullor të dalë nga lufta.
Raporti i Roger Pisentit, përforcon bindjen se grupet opozitare, pas çlirimit, kanë qenë grupe agjenturore: “Misioni ushtarak britanik në Shqipëri ka organizuar lidhje me elementët kundërshtarë për të marrë informata”.
Dështimi i komploteve kundër pushtetit të ri demokratik në vitet e para pas çlirimit, sikurse largimi i trupave të zbarkuara më 1944, nuk është fundi i veprimtarisë antishqiptare, Xhuliano Emeri në mars 1948 pranonte: “Shërbimet sekrete më kërkuan të formoja një organizatë për një kundërrevolucion në Shqipëri, unë shfaqa kënaqësinë ta bëja këtë”.
Nikollai Bethel, gjyqtar ndërkombëtar për lirinë e informacionit, në librin e tij jep këtë fakt për invazionin ushtarak që përgatiti agjentura e huaj: “SHBA dhe Britania ishin në paqe me Shqipërinë dhe sulmi që ato kishin sponsorizuar ishte një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar… Njerëz të shërbimit të fshehtë britanik që morën pjesë në konspiracion, e pranojnë se kryen një shkelje të ligjit ndërkombëtar”.
Si mund të ketë shqiptarë, që të poshtërojnë kaq shumë popullin dhe kombin e tyre, duke marrë në mbrojtje shërbimet agjenturore, me justifikimin e luftës “kundër komunizmit”! Përse quhet “krim i diktaturës komuniste” dënimi i elementëve, që shkelnin ligjin dhe tentojnë të rrëzojnë pushtetin popullor me dhunë, duke u mbështetur tek të huajt!
Zgjedhjet e lira demokratike
Deklaratat e Enver Hoxhës të periudhës së luftës për të zgjedhur regjimin që dëshiron nëpërmjet zgjedhjeve të lira, u vërtetuan në zgjedhjet e dhjetorit 1945. Kryetari i misionit special amerikan në Tiranë, Jakobs, më 12 dhjetor 1945 njoftonte Uashingtonin: “Zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë të sukseshme…Nuk u evidentuan as kërcënime, as frikësime dhe u zhvilluan votime të fshehta. Për t’i dhënë opozitës mundësi për të regjistruar kandidatët e vet u krijuan kuti të veçanta votimi pranë qendrave të votimit”.
Edhe misioni ushtarak britanik për zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri njoftonte Londrën: “Autoritet përgjegjëse për kutitë e votimit iu bindën ligjit të zgjedhjeve në mënyrë të vetëdijshme dhe me shumë korrektesë… Sistemi i votimit punoi mirë, asnjë person i armatosur nuk u lejua në kutitë e votimit… Ligjet aktuale të zgjedhjeve ishin përcaktuar mirë dhe u zbatuan mjaft mirë… Opozita e ndjeu mungesën e kurajos”.
Këtë vlerësim e përforcon edhe raporti përfundimtar i misionit amerikan: “Zgjedhjet sollën një kënaqësi në popull si shprehje e dëshirës së pjesës më të madhe të popullit shqiptar. Ky nuk është vetëm opinioni i misionit, por edhe i korrespodentëve të shtypit, të cilët erdhën në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet”.
Jakobs në raportin e qershorit 1946 informon Uashingtonin: “Opozita e regjimit të sotëm është përqendruar në elementë të cilët përfituan më shumë materialisht nga okupacioni italo-gjerman, tregtarë, zyrtarë, qeveritarë, oficerë, pronarët e mëdhenj dhe klasat e pasura, interesat personale të të cilëve u kërcënuan nga objektivat e programit të Frontit NÇL. Ata papritur e panë veten pa mbështetje të jashtme dhe nuk gjetën as mbështetjen më të vogël në popull, i cili e dinte mirë se sa pak mund të shpresonte te ata. Mungesa e mbështetjes, nga ana e forcave ushtarake italo-gjermane, i ka dëshpëruar kundërshtarët e pushtetit popullor dhe “u luten ushtrive angleze dhe amerikane, të vijnë t’i ndihmojnë për të rivendosur privilegjet e tyre, ajo është një organizatë që bazohet jo në principe politike, por në privilegje personale. Ata i shpallën shpejt parimet e demokracisë perëndimore, sepse tani mendojnë se mund të bëjnë diçka për të arritur qëllimin dhe jo sepse besojnë në parime të tilla”.
Kjo është kuintesenca e brendisë politike të ballisto-zogistëve dhe opozitës shqiptare në tërësi, dhe këtë demaskim nuk ja bëjnë njerëzit e Enver Hoxhës, e bënë përfaqësuesi i Misionit Ushtarak Amerikan Jakobs, i cili me realizëm dhe vërtetësi ekspozon thelbin e organizatës opozitare: organizatë që “bazohet jo në parime politike, por në privilegje personale”.I njëjti vlerësim, sikundër u ka bërë Fulsi në informacionin e tij dërguar Uashingtornit në korrik 1944, ballistëve, zogistëve, bajraktarëve, tregtarëve dhe gjithë pseudonacionalistëve shqiptarë.
Dhjetë ditë më vonë nga informata e Jakobs, misioni amerikan njoftonte: “Fronti NÇL gëzon në popull mbështetje më të madhe se sa grupi opozitar… Elementët opozitarë janë të organizuar në mënyrë të mjerueshme dhe nuk kanë asnjë program pozitiv… Në përgjithësi udhëheqësit e Frontit NÇL janë patriotë dhe kanë qëllime të mira… Ata kanë një konsideratë të madhe në popull”.
Jakobs jep edhe motivin e kësaj konsiderate ndaj udhëheqësve komunistë: “Duke i takuar të tërë anëtarët e kabinetit, duhet t’ju them se jam i impresionuar me sinqeritetin dhe interesimin e tyre në mbarëvajtjen e vendit të tyre, Ata janë njerëz inteligjentë”.
Jemi në hall të madh… kujt t’i besojmë: Përfaqësuesit zyrtar të shtetit Amerikan, apo larove që lehin sa herë i ndërsejnë padronët e tyre që e kanë patur pengesë Enver Hoxhën në planet e tyre aneksioniste dhe antisocialiste!
Ndërhyrjet e anglo-amerikano-jugosllave në punët e brendshme
për rrëzimin e qeverisë demokratike shqiptare
Pushteti i ri popullor në Shqipëri, me gjithë entuziazmin e madh të masave të popullit, po kalonte momente dramatike. Nacionalistët e arratisur po grupoheshin për të rrëzuar Pushtetin Popullor nën pretekstin “luftë kundër komunizmit”. Një raport i shërbimit sekret amerikan theksonte: ”Udhëheqësit nacionalistë ende shpresojnë se britanikët do t’i çarmatosin komunistët dhe do të thërrasin gardën e vjetër për të qeverisur Shqipërinë”.
Nacionalistët e syrgjynosur kërkonin të qeverisnin Shqipërinë me ndihmën e britanikëve, këtë ëndërr Mit’hat Frashëri e publikonte në një konferencë shtypi në Paris më 26 gusht 1948, në të cilën njoftonte formimin e Komitetit Nacional për “Shqipërinë e Lirë”, qëllimi të cilit ishte “të ofronte një pikëpamje reale për popullin shqiptar, duke besuar në çlirimin e Shqipërisë nga sundimi komunist”.
Dhjetë ditë më vonë Ministria e Jashtme britanike njoftonte ambasadën britanike në Athinë: “Muharrem Bajraktari, Gjon Markagjoni, Mustafa Merlika dhe Ihsan Toptani ishin bashkuar me Komitetin Nacional “Shqipëria e Lirë”.
Qeveria amerikane u kujdes ta mbështeste Komitetin Nacional “Shqipëria e Lirë”, duke grumbulluar tërë anëtarët e saj, OSS në gusht 1955 raportonte: “Në një orvatje për të përmbysur qeverinë e tanishme, Kisha Katolike, së bashku me një përfaqësues të Fiqiri Dines dhe Muharrem Bajraktarit, u përpoqën që t’u afrohen amerikanëve dhe britanikëve me qëllim që të siguronin ndihmën e tyre në një të ashtuquajtur grup antikomunist që ka qenë organizuar në male”.
Kundërrevolucioni u provua në Koplik në vitin 1945-1946 dhe përfundoi me dështim të plotë, anglo-amerikanët nuk “mundën” të zbarkonin ushtarakisht. Ambasada britanike në Romë, në qershor 1951, raportonte intervistën e anëtarit të parlamentit anglez Noel Beker me kryetarin e komitetit të refugjatëve politikë të “Lidhjes së Prizrenit” të sapoformuar:
– Cili është qëllimi i komitetit tuaj?
– Ne planifikojmë çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha sovjetike.
– Kini pasur ndonjë ndihmë?
– Sigurisht, qeveria jugosllave na jep çdo ndihmë“.
Një mision të tillë, për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri, synonte edhe ish ministri i drejtësisë, në qeverinë fashiste, Hasan Dosti, i cili ushtronte detyrën e kryetarit të Ballit Kombëtar dhe Komitetit Nacional “Shqipëria e Lirë”, pas vdekjes së Mit’hat Frashërit, Dosti u përpoq të influenconte në Departamentin e SHBA “për të realizuar përmbysjen e regjimit të Hoxhës”, duke shprehur pikëpamjen se “çlirimi i Shqipërisë mund të kryhet vetëm me ndihmën e Jugosllavisë, dhe se jugosllavët mund të përdoren me efektivitet të plotë për ta nxjerrë Shqipërinë nga orbita sovjetike”.
Luis Dube, oficer i operacioneve të drejtuara nga CIA në shtator 1982 deklaroi nën betim: “FOIA paditëse kërkon informacion mbi fshehjen e operacioneve në Shqipëri, kjo as mund të konfirmohet, por as mund të mohohet, një përgjigje pohuese ose mohuese mund të shkaktojë çrregullime në sigurimin kombëtar”.
Një pjesë e këtyre oficerëve, i kanë paraqitur gjyqtarit ndërkombëtar për Lirinë e informacionit, Nikollai Bethel, dokumente se shërbimi sekret anglo-amerikan, i filloi projektet e operacioneve disa kohë më parë se aprovimi zyrtar i nivelit të lartë, që u bë në vjeshtën e vitit 1949. Sipas këtyre projekteve u ngritën qendra të instruktimit të diversantëve me emigrantë politikë shqiptarë, David Smali në librin e tij “Albanien Assignemant” pohon qëllimin e të arratisurve politikë shqiptarë të stërvitur në kampet e Maltës: “Shqiptarët e rekrutuar do të futen në brendësi të tokës për të marrë kontakt me shokët dhe të afërmit e tyre, që së bashku të forconin bërthamën e opozitës aktive kundër komunistëve”.
Nikollai Bethel paraqet pohime të shërbimeve sekrete amerikane: “Shërbimi i fshehtë amerikan i emocionuar nga rezultati i punës agjenturore, pohonte se “bazat e opozitës ishin krijuar”. Këto “baza të opozitës”, do të ekzistonin edhe pasi Shqipëria e kishte flakur si rreckë Traktatin e Varshavës, duke ruajtur pavarësinë dhe sovranitetin kombëtar, jashtë çdo blloku e pakti ushtarak, çka dëshmon se ishte luftë e kolaboracionistëve për të marrë pushtetin politik në Shqipëri, duke e kthyer atë në zonë influence të SHBA-s, sikundër është kthyer sot.
.
Planet e agjenturave të huajve me Mehmet Shehun
Akoma diskutohet e përgojohet për poliagjentin Mehmet Shehu, në të dy kahjet, një pjesë e pranojnë veprimtarinë e tij në shërbim të agjenturave të huaja, pjesa tjetër e kundërshton, pa sjellë asnjë dokument.
Fevziu në librin e tij ka cituar letrën e Mehmet Shehut drejtuar Enver Hoxhës para se të vriste veten:”Unë nuk heq “asnjë presje” nga gjithçka kam thënë e shkruar për ty, si mësuesi im marksist-leninist dhe si vëlla. Por tash që po ndahemi fizikisht, të them atë që nuk mund të të thosha gjer sot, sepse kurrë s’më krijove kushtet të të thosha të vërtetën për ta. Unë nuk po vras veten, po më vrau Jagua intrigant, këlyshi i Koci Xoxes e nxënës i tij, që me intrigat e tij të pështira, duke hyrë në aleancë tradhtie me Hrushovin që ju e konsideroni të “sinqertë”, të dy së bashku e me fjalët e tyre do t’i bëjnë varrin Shqipërisë socialiste, atë që se bëri dot tradhtari Beqir Balluku dhe banda e tij…unë po vdes për Partinë, për të të thënë amanetin e fundit: Ruaje Partinë dhe socializmin nga Jagua dhe Hrushovi…”
Mehmet Shehu dëshmon se edhe në vitin 1981 në byronë politike dhe KQ të Partisë paska armiq që kërkojnë t’i bëjnë varrin Shqipërisë, socializmit dhe Enver Hoxhës, kjo na bind se armiqtë e mëparshëm të dënuar nga drejtësia popullore kanë qenë realë jo imagjinarë, të shpikur nga Enver Hoxha. Dhe më mirë se sa Mehmet Shehu këtë gjë, nuk mund ta vërtetoj askush, çdo tentativë për të keqinterpretuar letrën e tij është abuzim, spekulim, tradhti kombëtare.
Mehmet Shehu e “ka dashur” Partinë, e “ka dashur” socializmin i cili rrezikohej nga Kadri Hazbiu dhe Ramiz Alia, përse e la vetëm Enver Hoxhën në luftën kundër tyre? Përse nuk i zbuloi këta tradhtarë para Byrosë Politike, duke zbatuar detyrën, të cilën ja kishte ngarkuar populli që e paguante? Përse nuk parashtronte faktet konkrete për rekrutimin e Hazbiut dhe Aliajt në agjentura të huaja!
Çfarë kushte speciale kërkonte kryeministri nga Enver Hoxha, për të denoncuar Jago-Kadriun dhe Hrushov-Ramizin, ndërkohë që Enver Hoxha ua kishte krijuar kushtin të gjithë popullit shqiptar: “Cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha të shkruaj çfarë mendon për punën dhe njerëzit”!
Shehu ishte kryeministri i Shqipërisë dhe detyra e tij, para së gjithash, ishte të denonconte hapur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe në mbledhjen e Byrosë Politike, ata që rrezikonin Partinë, socializmin dhe Shqipërinë, pavarësisht se donte apo s’donte Enver Hoxha, këtë e kërkonte detyra e tij e shenjtë për të ruajtur Shqipërinë! Kush duhet ta bënte këtë denoncim fatal për të ardhmen e Shqipërisë, përveçse ai, në zbatim të detyrës së tij, detyrë e cila nuk duhet të kursente as Enver Hoxhën, nëse ai kishte gabuar në përkrahjen e Kadri Hazbiut dhe Ramis Alisë! Përse nuk e kishte bërë këtë më parë, po u kujtua t’i denonconte në letrën e fundit, fshehur Enver Hoxhës, si burracak! Nuk e bëri më parë këtë denoncim, sepse duhet t’ia dinte Kadri Hazbiu horllëqet, dhe të dy i rrinin m… përsipër, të terrorizuar se mos u zbulohej loja e dyfishtë.
Njeriu që mund të kenë dërguar tek Shehu, mbrëmjen fatale, përcillte mesazhin për të bërë zgjedhjen e paracaktuar qysh më parë prej padronëve të Shehut, mesazh fatal, të cilën Nikolla Bethel e ka denoncuar si praktikë terroriste: “Në qoftë se disa udhëheqës shqiptarë do të ishin eliminuar edhe me mision vetëvrasje, kjo gjë do t’ia vlente”.
Për të njëjtin problem dhe me të njëjtin “mision vetëvrasje”, shërbimet e fshehta të vendeve të huaja asgjësuan edhe Nako Spiron. Shërbimet e huaja për të mbuluar krimet e tyre në Shqipëri, dhe për tu hequr miqësorë me popullin shqiptar sot, i shkarkojnë krimet e tyre tek Enver “diktatori” përmes larove që u shërbejnë. Që në vitet 1944, raportet e shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike e paraqesin Mehmet Shehun si disidentin më të mundshëm për të udhëhequr një grusht shteti:
Nëntor 1944: “Ndjenja probritanike është e dukshme në disa nga udhëheqësit më kryesorë, duket qartë se ka disa që janë krejtësisht kundër politikës së tanishme të Partisë, por të paaftë për t’i shprehur pikëpamjet e tyre hapur. Eshtë megjithatë e rëndësishme të merret në konsideratë opozita potenciale brenda lëvizjes dhe udhëheqësve të saj të mundshëm, këta janë: Mehmet Shehu: është personalisht një njeri ambicioz e mburravec, ai është pa dyshim figura ushtarake më e respektuar dhe më e rëndësishme brenda lëvizjes, ai është komunist por ambicia e tij personale e kapërcen besnikërinë e tij ndaj Partisë…Duhet bërë çdo përpjekje për të penguar eliminimin e këtyre elementëve pro-britanikë tashmë të njohur nga ne dhe të përpiqemi t’i ngremë këta pareshtur”.
Dokument më të qartë për strategjinë e shërbimeve britanike për të “penguar eliminimin e elementëve pro-britanikë”, dhe për të siguruar ngritjen e tyre në hierarkinë e lartë partiake e shtetërore në Shqipëri, s’mund të ketë. Nga ky dokument kuptojmë se “besnikëria” aq e madhe e Mehmet Shehut ndaj Enver Hoxhës, ka qenë e komanduar nga agjenturat e huaja, për të fituar besimin e tij.
Dhjetor 1944: “Mehmet Shehu është mjaft i prirur të përpiqet të kënaqë ambiciet e veta personale duke sulmuar Qeverinë e Frontit NÇL. Njeriu i vetëm në Shqipëri, që mund ta devijojë besnikërinë e ushtrisë, nga qeveria tek vetja, është M. Shehu… Ky grup oportunist përbëhet nga njerëz të cilët nga dashuria për pushtet dhe ambicie personale mund të përdorin elementë të ndryshëm të pakënaqur të krahut të djathtë, sidomos nga pjesët jo politike të ushtrisë, për të përmbysur qeverinë nga e djathta. Nuk ka dyshim se ky tip nëse do të kultivojë elementët armiqësorë ndaj drejtuesve të Frontit NÇL, ka shansin më të mirë për t’i përmbysur ata…Çdo revolucion i suksesshëm në Shqipëri, duhet të përkrahet nga ndonjë fuqi e madhe nga jashtë”.
Gusht 1951: Ambasada britanike në Paris, citonte ministrin francez të Punëve të Jashtme: “Nga dy fraksione që duket se ekzistojnë brenda Partisë Komuniste Shqiptare, ai i kryesuar nga Enver Hoxha duket se po zmbrapset përpara atij të kryesuar nga M. Shehu”.
Ministri i Jashtëm jugosllav i komentonte përfaqësuesit të ambasadës britanike në Beograd: “Një tipar kryesor në politikën shqiptare sot është lufta ndërmjet Shehut dhe Hoxhës”.
Sikundër shihet paska ekzistuar një rivalitet i ashpër i Mehmet Shehut kundër Enver Hoxhës, dhe jo e kundërta, në momentin e ngjarjeve të bombës në ambasadën sovjetike, jepet ky sinjal:
Gusht 1951: Ambasada britanike në Beograd njoftonte për një shkrim të gazetës “Politika”: “Ndeshja ndërmjet Hoxhës dhe Shehut ka mundësi të dalë në dritë së shpejti, dhe se Shehu ka të ngjarë të fitojë në eliminimin e rivalit të tij”.
Këtë rivalitet e ndiqnin me padurim edhe shqiptarët e arratisur pas luftës:
Shkurt 1952: “Albania Neës Bulletin” publikonte një deklaratë të Komitetit Nacional “Shqipëria e Lirë”: “E çara ndërmjet kryeministrit Hoxha dhe ministrit të brendshëm M. Shehu… është thelluar më shumë në muajt e fundit”.
Shtator 1952: Ministri i Jashtëm britanik Eden bëri një vizitë në Jugosllavi, Ministria e Jashtme Britanike paraqiti një përmbledhje të bisedimeve: “Interesimi jonë për situatën e brendshme në Shqipëri përqendrohet rreth shkallës së pakënaqësisë popullore ndaj regjimit dhe luftës për pushtet, ndërmjet kryeministrit Hoxha dhe ministrit të brendshëm Shehut”.
Ndërsa Titua i shfaq Idenit dyshimin për pozitën e Enver Hoxhës: “Pozicioni i kryeministrit Hoxha duket se po dobësohet dhe ndoshta ai do të përmbyset nga rivali i tij M.Shehu”.
Titua e kishte llaf nga brenda, prandaj priste realizimin e përpjekjeve për ta përmbysur Enver Hoxhën, falë dashurisë dhe përkrahjes që kishte në popull, nuk mundën ta realizonin dot përbysjen sa qe gjallë Ai, prandaj urrejtja e “elitës kombëtare” është e madhe.
Korrik 1954: Ivor Vinsent, zyrtar në Ministrinë e Jashtme Britanike për punët e jashtme, raportonte: “Gjenerali Mehmet Shehu është prezantuar si projugosIlav”.
Nga dokumentet e mësipërme, Mehmet Shehu konsiderohej nga të huajt probritanik, proamerikan dhe projugosllav, ndoshta do të mjaftonin këto për ta besuar etiketën që i vuri Enver Hoxha: poliagjent.
Enver Hoxha e shpëtoi tri herë Shqipërinë nga lufta civile, projektuar nga shtetet e huaja nëpërmjet agjentëve të brendshëm… Nuk dyshojmë se ky koncert urrejtjeje ndaj Enver Hoxhës, s’ka si të mos jetë produkt i një politike të menduar mirë, jehona e së cilës, ka po atë tingull luftarak, që pati regjimi fashist në Shqipëri. Për hir të së vërtetës historike lindin disa pyetje :
-Kush e dëshironte eliminimin e Enver hoxhës në vitet 1942-1943? Fashistët Italianë!
-Kush e dëshironte eliminimin e Enver Hoxhës në shtator 1943, nëntor 1944? Nazistët gjermanë!
-Kush e dëshironte eliminimin e Enver Hoxhës në vitet 1944-1 948? UDB-ja jugosllave dhe agjentura anglo-amerikane!
-Ç’i lidh antienveristët me fashistët italianë, nazistët gjermanë, UDB -n jugosllave dhe agjenturat anglo-amerikane?