Vizioni mbi Europën, mes Rilindjes dhe Funeralit
Vota britanike për të braktisur Unionin, kriza e migrimit, ngecja konstante ekonomike, rritja e populizmit dhe e ksenofobisë, politikat e paparashikueshme në fushën e jashtme të Rusisë, krizat dhe konfliktet në vendet e fqinjësisë, janë ndër sfidat e shumta, që kanë kohë që po imponojnë një debat serioz evropian, në lidhje me opsionet e duhura politike. Teksa Evropa gjendet në mesin e krizave, që po testojnë aftësinë e saj për t’iu ofruar zgjidhjet e duhura qytetarëve evropianë, kreu i Komisionit Evropian Junker mbajti fjalimin e tij vjetor mbi Gjendjen e Unionit, para Parlamentit Evropian.
Një fjalim kyç, ku u pasqyrua gjendja në të cilën ndodhet Unioni. Një Union, i përshkruar pjesërisht nga kriza ekzistenciale, nga zvogëlimi i bashkëpunimit në një sërë fushash të rëndësishme, nga qeveri kombëtare të dobësuara nga forcat populiste dhe të paralizuara nga risku i humbjeve të zgjedhjeve të radhës, një Union i fragmentarizuar dhe me shumë pak konvergjencë në mesin e tij.
Një Union, që njeh një sërë problemesh në gjirin e tij, duke filluar nga papunësia e lartë, nga pabarazitë e thella sociale, rritja e borxheve publike dhe sfida e madhe e integrimit të refugjatëve që shkon deri në kërcënimin real të sigurisë së brendshme dhe të jashtme evropiane, si edhe ikja e një anëtari nga radhët e tij.
Në fjalimin e tij, Junker do të bënte thirrje për rizgjim, për të mos i lënë hapësirë pushtimi, ndjesisë natyrale të frustrimit, për të mos rënë në depresion kolektiv, për të mos lejuar shpërbërjen e Unionit përpara syve të tyre, por të përvishen mëngët dhe të trefishohen përpjekjet, pasi në këto momente Evropa, ka nevojë për drejtues më të vendosur se kurrë dhe jo për politikanë, që braktisin anijen. Evropa duhet të rrisë rolin e saj në fushën ndërkombëtare dhe të jetë një aktore “e aftë të përmbyllë marrëveshje tregtare dhe t’i propozojë botës norma ekonomike, sociale dhe mjedisore”.
Një reflektim, që kërkon jo vetëm “qëndrueshmëri në mbrojtjen e vlerave ndërkombëtare, në favor të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, por një Evropë që duhet të flasë me një zë, kur integriteti territorial i një vendi do të kërcënohet.” Një vizion i BE, aktor veprues dhe me influencë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Një vizion, që duhet të përkthehet në akte konkrete veprimi:
“Evropianët dëshirojnë vendime të përbashkëta që të zbatohen shpejt dhe në mënyrë efikase. Po, ne na duhet një vizion afatgjatë. Dhe Komisioni do ta skicojë këtë vizion për të ardhmen në një Libër të Bardhë, që do ta publikojë në muajin mars të vitit 2017, me rastin e 60 vjetorit, të traktateve të Romës. Ne do të shqyrtojmë mënyrat për të përforcuar dhe reformuar Unionin tonë ekonomik dhe monetar. Dhe ne do të mbajmë parasysh gjithashtu sfidat politike dhe demokratike që Unioni ynë prej 27 vendesh, duhet të përballet në të ardhmen.”
Programi i Komisionit, që pritet të realizohet në 12 muajt e ardhshëm, për ndërtimin e një Evrope më të mirë, përfshin rilançim të planit të investimit dhe dyfishim të tij, rritje të punësimit, investim ndaj rinisë dhe ulje të shifrave të papunësisë që ajo shfaq, mobilizim të demokracisë evropiane, luftë ndaj evazionit fiskal, përforcim të aspektit të mbrojtjes dhe të sigurisë, dhe një zë më të fortë evropian në fushën e politikës së jashtme. Kjo e fundit, u theksua nëpërmjet idesë për të krijuar postin e një Ministre të Jashtme Evropiane, duke përmendur rolin e rëndësishëm, që luan Përfaqësuesja e Jashtme e BE, Mogerini, por pa specifikuar detaje arkitekturore se, në ç’format mund të përfshihet krijimi i postit të një Ministre të Jashtme Evropiane, apo qoftë edhe një post i shkëputur nga konteksti i nevojshëm institucional, që mund të përfshijë elementë të natyrës së përzier federale.
Një program, që u inkurajua dhe u përkrah edhe nga grupet më të mëdha të PE, si familja e djathtë evropiane, që kërkonte paraprakisht fokus mbi tema kyçe si siguria, ekonomia, e ardhmja e brezit të ri evropian, si edhe rritje të rolit dhe zërit evropian në botë. Edhe familja e majtë evropiane, u shfaq në mbështetje të plotë ndaj planit Junker, duke shprehur edhe kënaqësinë mbi faktin se në fjalim nuk përmendeshin aspak terma, që lidhen me programet e shtrëngesave ekonomike. Por, sigurisht që ky plan dhe vizion do të trajtohej me ironi dhe nota tallëse nga euroskeptikët nacionalistë si Farage apo Le Pen. Kjo e fundit, do ta konsideronte fjalimin dhe programin e paraqitur nga Junker si “Funeralin e BE”, pasi sipas saj “nuk i është kushtuar vëmendje ambicieve të popujve për të rimarrë sovranitetin dhe pavarësinë e tyre”.
Por, çfarë presin qytetarët e Unionit nga BE ? Si e shikojnë ata projektin evropian dhe kush janë fushat që ata vlerësojnë, se roli i Evropës duhet të jetë më pak, apo, më shumë konkret dhe i rëndësishëm ?
Përgjigjet orientuese i gjejmë në sondazhin e zhvilluar nga Parlamenti Evropian në muajin prill të këtij viti. Të dhënat, që pasqyrohen krijojnë panoramën e pritshmërive që qytetarët evropianë kanë për BE.
Jo rastësisht, këto të dhëna flasin për një shumicë të konsiderueshme të qytetarëve evropianë, të cilët kërkojnë që Unioni të jetë më aktiv në fushën e papunësisë. Sigurisht, me vendet e Jugut, që kryesojnë me përqindjet më të larta. Pas papunësisë, renditet shqetësimi në fushën e terrorizmit,dhe kërkesa për ndërhyrje më të lartë nga BE në këtë fushë. Ndërmjet masave, që PE ka ndërmarrë, qytetarët konsiderojnë si më urgjente luftën ndaj financimit të grupeve terroriste dheluftë ndaj rrënjëve të terrorizmit dhe radikalizmit, si edhe fuqizimin e kontrolleve kufitare. Në shumicë, ato kërkojnë gjithashtu rol më të madh të BE në fushën e migrimit. Pas saj renditen, lufta ndaj evazionit fiskal, si edhe mbrojtja mjedisore.
Samiti i Bratislavës
Fjalimi i kreut të Komisionit Evropian mbi gjendjen aktuale të Unionit, edhe pse një fjalim programues i përvitshëm, vjen në një kontekst të theksuar krizash dhe vetëm dy ditë, para mbledhjes të krerëve të shteteve dhe të qeverive në Samitin e Bratislavës. Një Samit, ku pritet të diskutohet dhe të debatohet mbi linjat dhe konturet e reformimit të mundshëm evropian. Duke përfshirë edhe propozimin e vetëm disa ditëve më parë të Francës dhe Gjermanisë mbi projektin konkret të Evropës së Mbrojtjes.
Ndërkohë, 177 organizata të shoqërisë civile kombëtare dhe evropiane, ndër to edhe sindikata, kanë nënshkruar një Deklaratë të përbashkët, në vëmendje të Samitit të Bratislavës. Një Deklaratë, ku kërkojnë një Evropë të re për njerëzit, planetin si edhe prosperitet për të gjithë. Një Evropë, që duhet të refuzojë zgjidhjet populiste, të ndërmarrë sfida të përbashkëta, të luftojë për një Evropë më të mirë dhe jo për më pak Evropë, të dëgjojë dhe të angazhohet, duke e shndërruar çështjen evropiane në një dialog gjithëpërfshirës.
Në mbështetje të kësaj deklarate të përbashkët është pozicionuar publikisht edhe një prej figurave të njohura evropiane, politikani francez dhe qytetar nderi i Evropës, Zhak Delor. Në reagimin e tij, Delor ka bërë thirrje për reflektim dhe debat mbi projektin evropian, duke theksuar se rezultati i votës së referendumit britanik mbi BE, “është një sinjal paralajmërues, që tregon nevojën për të mbajtur një debat thelbësor në lidhje me se, si mund të rivendosim vlerat, që themeluan Evropën dhe t’i fuqizojmë këto vlera për të luftuar rritjen e nacionalizmit, populizmit dhe ndjesisë anti-evropiane.”
Me një mesazh, që orientohej për t’i ikur fokusit shumë të ngushtë evropian mbi aspektin ekonomik, Zhak Delor do të sillte në vëmendje rëndësinë e Evropës sociale dhe mjedisore.
“Që prej vitit 1995, ky vizion është gërryer për t’u zëvendësuar nga një fokus gjithnjë e më i ngushtë, mbi rritjen ekonomike. Si rezultat, arritjet e Evropës si lider botëror në standardet mjedisore, luftën ndaj ndryshimit klimatik, shëndetit dhe mbrojtjes së konsumatorit, zhdukjen e varfërisë dhe promovimin e të drejtave të njeriut, nuk shikohen më si suksese për t’u festuar, por më tepër si shirit i kuq, që duhet të eliminohet në interes të fitimit ekonomik afat-shkurtër. Liderët, që do të mblidhen më 16 shtator në Bratislavë për të diskutuar të ardhmen e Evropës, duhet të dalin me një vizion të ri pozitiv për Evropën, për t’u ri-angazhuar me qytetarët evropianë dhe rifituar besimin e tyre.”
Por, një mesazh i rëndësishëm i është drejtuar edhe brezit të ri evropian. Atij, që po konsiderohet gjerësisht si “brezi i humbur”, brezi i papunësisë, i dëshpërimit dhe i përjashtimit, apo siç do ta përkufizonte edhe kreu i KE, Junker, në fjalimin e tij: “Brezi i parë, që e shikon veten, më të varfër nga prindërit e tyre !”
Një mesazh, që rikujton rëndësinë thelbësore të regjenerimit evropian, që mund të kryhet vetëm dhe nëpërmjet angazhimit të këtij brezi të ri:
“Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet brezit të ri, që në Britaninë e Madhe dhe në pjesën tjetër të Evropës, ndan këto vlera dhe ndjehet evropian, por nuk kërkon të angazhohet, pasi e ka humbur besimin tek politika tradicionale. Është ky brez i ri, që më shumë se kushdo tjetër, mund të sjellë një rigjenerim të Evropës dhe që duhet të angazhohet në këtë luftë, për një botë më të mirë. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve, veçanërisht të rinjve të Evropës, të mos jenë spektatorë në ditët dhe muajt e ardhshëm. Ne duhet të jemi pjesëmarrës aktivë, në ndërtimin e një përgjigje kolektive ndaj sfidave me të cilat përballet kontinenti ynë dhe bota jonë”.