Albspirit

Media/News/Publishing

Beyani: Serbia dhe Kosova të gjejnë zgjidhje për të zhvendosurit


Raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut të personave të zhvendosur, Chaloka Beyani, u ka bërë thirrje qeverisë së Serbisë dhe autoriteteve në Kosovë që të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për ata që jetojnë të zhvendosur për 17 vjet me radhë.

Duke folur në fund të vizitës së tij pesëditëshe në Serbi dhe Kosovë, ai e përshkroi gjendjen e personave të zhvendosur si një situatë në vendnumërim dhe nënvizoi se mbetet për t’u bërë punë e konsiderueshme për të zgjidhur në mënyrë efektive çështjen e të zhvendosurve. Ai tha se ka ende 88 mijë persona të zhvendosur në Serbi dhe mbi 16 mijë në Kosovë, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.

Ka nevojë që të vërtetohet numri aktual i personave që presin për një zgjidhje dhe cilat zgjidhje duhet të zbatohen“, ka vënë në dukje ai.

Zoti Beyani shprehet i shqetësuar me faktin se shumë të zhvendosur jetojnë ende në kushte të mjerueshme, posaçërisht ata që i përkasin komuniteteve Rom, Ashkali e Egjiptas. Ai gjithashtu kritikoi kushtet e jetesës së personave të zhvendosur që ndodhen në qendra kolektive.

Ai vuri theksin edhe tek një numër çështjesh që kërkojnë vëmendje siç është zbatimi i sundimit të ligjit, zgjidhjen e çështjes së pronave të zaptuara dhe kompensimin e pronave që nuk mund të ripërtërihen. Raportuesi bëri thirrje që zgjidhjet të jenë gjithëpërfshirëse.

Ai tha se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të harrojë çështjen e të zhvendosurve në Serbi dhe Kosovë dhe që kjo çështje duhet të trajtohet si një element i rëndësishëm në kuadrin e integrimeve evropiane dhe të bisedimeve ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos mbyllë sytë para të zhvendosurve në Serbi e Kosovë dhe të mbështesë autoritetet në Serbi dhe Kosovë në përpjekjet e tyre për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe që çështja e të zhvendosurve të mbyllet njëherë e përgjithmonë“, tha ai.

Ripajtimi është i nevojshëm më shumë se kurrë për të siguruar zgjidhje të qëndrueshme në Serbi dhe Kosovë“, tha ai në përmbyllje të vizitës në rajon.

Please follow and like us: