Gjoba 13 miliardë dollarë e Apple, konflikti SHBA-Europë
Penalizimi i gjigantit të teknologjisë, betejë e re në luftën ndaj shmangies së taksave
Vendimi i Komisionit Europian për të gjobitur Apple me 13 miliardë dollarë shënon momentin më të rëndësishëm dhe njëkohësisht të diskutueshëm në luftën kundër shmangies së taksave ndaj korporatave. Ata të cilët kanë bërë fushatë për drejtësi në taksim e mirëpritën me kënaqësi vendimin, i cili ka shkaktuar zemëratë te kompania Apple që zotohet se do ta apelojë atë. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe qeveria irlandeze. Ministri i Financave do të mbrojë integritetin e sistemit të tatimeve, në vend që të pranojë këtë të ardhur të paparashikuar që tejkalon të ardhurat vjetore të buxhetit të shëndetësisë. Politikanët në Amerikë, vendi mëmë i Apple, denoncuan këtë veprim si një grabitje të taksave.
Komisioni doli në përfundimin se vendimet e Irlandës në 1991 dhe 2007 ulën në mënyrë artificiale detyrimin tatimor që kishte Apple, edhe pse kompania nuk ka shkelur asnjë ligj, kjo marrëveshje ishte në kundërshtim me ligjet e Bashkimit Europian mbi ndihmat shtetërore, i cili ndalon të gjitha vendet anëtare që të ofrojnë trajtim preferencial ndaj firmave të veçanta. Konflikti ka në qendër dy regjistrime të subvencioneve irlandeze që shfrytëzojnë të drejtën për të përdorur pronën intelektuale të Apple për të prodhuar dhe për të shitur produktet e saj jashtë Amerikës. Komisioni argumenton se një marrëveshje e dyshimtë e përfitimeve lejonte që pjesa më e madhe e përfitimeve të shkonte në një zyrë qendrore që ekzistonte vetëm në letra dhe që nuk ishte rezidente në asnjë vend. Kjo bënte që Apple të tkurrte normën e saj të taksimit të Europë poshtë 1%.
Vendimi është pjesë e një lufte kundër shmangies agresive të taksave që po bën Europa. Kjo filloi disa vite më parë, kur ashpërsia e postkrizës bëri thirrje për më shumë drejtësi në taksa. Komisioni po mban në vëzhgim në disa firma amerikane, përfshirë Starbucks dhe McDonald’s që kanë struktura të dyshimta, megjithëse për këto të fundit bëhet fjalë për një shifër më të vogël. Fokusi është në marrëveshjet që lejojnë kompanitë të minimizojnë taksat e paguara mbi shitjet në rajonin e Europës. Ndërkohë që njëherësh përdorin provizionet e shtyra në kodin amerikan të taksimit për t’i mbajtur të ardhurat offshore për një kohë të pacaktuar, në këtë mënyrë ata mbrohen edhe nga barra e taksës prej 35% (së cilës i zbriten pagesat e bëra në Europë) në rast se riatdhesohen.
Vendet europiane kanë qenë shumë të përfshira në përpjekjet për të arritur konsensus ndërkombëtar se si të mbushin boshllëkun në taksimin ndërkufitar. Këto janë të udhëhequra nga Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OECD) dhe janë të njohura si Projekti i Evazionit Bazë dhe Zhvendosjes së Fitimit (Base Erosion and Profit Shifting, BEPS). 44 vendet pjesëmarrëse kanë rënë dakord mbi një paketë reformash vitin e shkuar, por zbatimi është i vështirë. Disa e shikojnë vendimin e komisionit ndaj Apple si një shenjë që ka ende pak besim në projekte si BEPS. Gjykimi, pa dyshim, që ndërlikon diplomacinë ndërkombëtare të taksimit.
Amerika e kritikoi vendimin, duke e quajtur atë të padrejtë. Ajo ka paralajmëruar se do të hakmerret në ndonjëfarë mënyre në rast se Brukseli vazhdon përpara, si dhe argumenton se komisioni po shndërron veten në një autoritet tatimor mbi shtetet, duke kërcënuar konsensusin e arritur nëpërmjet BEPS mbi çmimet e transferimit. Kjo rregullon çmimet e transferimit që degët e kompanive shumëkombëshe në vende të ndryshme i ngarkojnë njëri-tjetrin për produktet dhe shërbimet që shkëmbehen midis tyre.
Amerikanët janë të shqetësuar, kryesisht pasi vendimi sinjalizon që Europa do të pretendojë te një shumë prej 2 miliardë dollarësh përfitime që firmat amerikane i kanë në offshore-t, si provizione të shtyra. Politikëbërësit amerikanë besojnë se vetëm qeveria federale ka të drejtë të taksojë këtë. Vendimi i Brukselit mund të nxisë politikanët amerikanë për të sheshuar diferencat në reformën e tatimeve dhe të bien dakord mbi një paketë për zvogëlimin e normës së taksës mbi të ardhurat për firmat që do të riatdhesohen, në vend që të lejojë Europën që të prekë të ardhurat offshoreve, sipas mendimit të tyre.
Apple ka vendosur që të luftojë duke e denoncuar vendimin si të padrejtë dhe me fuqi prapavepruese, mbështetur kjo në disa keqkuptime themelore të veprimeve të Apple dhe mbi teori të paqarta që kanë ndryshuar me kohën dhe që kanë devijuar nga praktikat e rëna dakord. Kjo është një goditje shkatërruese e sovranitetit të shteteve anëtare të BE-së dhe parimit të sigurisë ligjore në Europë, – tha Tim Cook, shefi ekzekutiv. Shefi i financave, Luca Maestri akuzoi grupin e punës së zonjës Vestager për interpretim të gabuar të ligjeve dhe për matematikë të dobët. Ai tha se përllogaritjet e tyre se Apple pagoi në Irlandë taksa me një normë më të vogël se 1% për 2014 u bënë duke përdorur emëruesin dhe numëruesin e gabuar. Apple tha se ka paguar një shumë ekuivalente me 400 milionë dollarë për taksat irlandeze, me një normë prej 12.5%. Komisioni ende nuk është përgjigjur. Apple u ndal dhe te hamendësimi se zyra qendrore është pa kombësi, duke thënë se njësia është e tatueshme në Amerikë (së paku teorikisht). Gjithashtu është e vërtetë se norma globale e taksimit të kompanisë Apple zakonisht nuk është e ulët.
Irlanda ka arsyet e veta për të apeluar. Ajo shqetësohet se n.q.s detyrohet që të mbledhë detyrimet e Apple do të shkatërrojë modelin e saj të suksesshëm ekonomik, që tërheq kompanitë shumëkombëshe, të cilat e shikojnë atë si një bazë për t’u vendosur në Europë.
Në vlerësimin e komisionit, Irlanda nuk është i vetmi vend i mashtruar nga praktikat tatimore të Apple, në Europë dhe më gjerë ka humbje. Tani mund të sfidohen marrëveshjet e tyre. Kompani të tjera tashmë kanë arsye për t’u shqetësuar. Nuk duhet menduar se hetimet e Brukselit do të marrin fund vetëm me rastin e Apple dhe të një grushti kompanish që janë nën interesin e publikut. Kjo çështje nuk do të zgjidhet shpejt. Apelimi i Apple do të kërkojë vite që të zgjidhet nëpër gjykata. Ndërkohë, Apple do të jetë e detyruar që ta ngrijë shumën e detyruar. Shuma e detyrimit përbën vetëm 7% të parave të lira që ka Apple dhe kjo për të është e përballueshme. Jo shumë kompani mund ta thonë këtë.