Albspirit

Media/News/Publishing

Kremlini e mban të mbërthyer Rusinë

Votimet për dumën ruse të dielën (18.09) nuk sjellin ndonjë risi. Partia „Rusia e Bashkuar“ e ka të sigurtë mazhorancën. Sistemi i zgjedhjeve për partitë që garojnë njihet nga historia gjermane, mendon Ingo Mannteufel.

Russland Präsident Wladimir Putin - Auszeichnung im KremlPutin gjatë një fjalimi në Kremlin

Që tani është e qartë: Kur të mbyllen qendrat e votimit në Rusi të dielën, ditën e zgjedhjeve parlamentare, nuk ka për të ndryshuar politikisht asgjë. Politikën ruse nuk e përcakton duma, parlamenti rus, por Kremlini, pra presidenti Vladimir Putin dhe administrata e fuqishme presidenciale. Kjo situatë është e paraparë edhe në kushtetutën ruse, që i jep ekzekutivit kompetenca të gjera. E që nga koha e zgjedhjes së Vladimir Putinit para 16 vitesh, duma ka humbur rregullisht autonominë  e saj. Kritikët në Rusi e tallin parlamentin si “printerin” që vetëm printon ligjet e dëshiruara nga Kremlini.

Risitë në kodin zgjedhor vetëm e fshehin dominancën e partisë në pushtet

Instrumenti qendror për Kremlinin në dumën shtetërore është partia e favorizuar nga të gjitha palët, si nga media edhe administrata, „Rusia e Bashkuar“, që drejtohet nga i besuari i Putinit dhe kryeministri Dmitri Medvedev. Nuk ka asnjë dyshim se kjo parti edhe pas zgjedhjeve do të ketë mazhorancën e thellë në dumën ruse, edhe pse sondazhet e para të dielën nuk do ta theksojnë këtë dominancë.

Mannteufel Ingo Kommentarbild AppIngo Mannteufel

Arsyeja për këtë është një risi në kodin zgjedhor: Nga të 450 vendet në dumën ruse, 225 do të shpërndahen përmes listës së partive sipas sistemit përfaqësues të votave. Sondazhet të dielën japin informacione vetëm për këto lista. Vendet e tjera jepen për kandidatët që përmes qarqeve zgjedhore do të hyjnë në parlament përmes parimit të zgjedhjes me shumicë. Përfaqësues të partisë në pushtet apo nga mjedisi përreth Putinit, si “Fronti Popullor” do të dalin si fitues. Po ashtu është e sigurtë, që shumica e deputetëve nga këto qarqe zgjedhore do t’i bashkangjiten fraksionit “Rusia e Bashkuar”. E me këtë kjo parti paraqet grupin parlamentar më të fuqishëm në dumën ruse.

Parti blloku si dikur në RDGj, Republikën Demokratike Gjermane

Të mos harrojmë se tre partitë e tjera të dumës, Partia Komuniste e Federatës Ruse, LDPR e populistit të djathtë, Vladimir Shirinovksi dhe Partia për Rusinë e Drejtë janë pjesë e sistemit sundues të Putinit. Nga këndvështrimi gjerman ato të kujtojnë ish-Republikën Demokratike Gjermane, RDGJ. Nga jashtë ato të krijojnë përshtypjen e pluralizmit, por faktikisht ato kontrollohen nga Kremlini. Prandaj është e vështirë të flasësh për zgjedhje të vërteta, të ndershme e të lira në Rusi. Por ndryshe nga viti 2011, nuk vihet re një atmosferë proteste. Raprezaljet e forta kundër opozitarëve në vitet e fundit i kanë detyruar shumë kritikë të largohen në emigracion, apo kanë nxitur apatinë politike.

Fushatë zgjedhore e përgjumur

Një fushatë zgjedhore e qetë e pa përmbajtje synon të përgjumë e jo të entuziazmojë votuesit. Politika e agresionit me ngjyra patriotike kundër Ukrainës si edhe konfrontimi medial i fuqishëm me Perëndimin e kanë dhënë efektin e vet: Në shoqërinë ruse dominon një përzierje e shovinizmit, ndjenjës së kërcënimit dhe mosinteresimit politik, e për këtë arsye nuk pritet as pjesëmarrje e lartë në votime.

Një aspekt interesant megjithatë ekziston: Në votime janë lejuar edhe dy parti kritike ndaj Kremlinit: “Jabloko” dhe “Parnas”. Më shumë se 3% e votave do të bëjë që ato të marin fondet shtetërore për financimin e fushatës zgjedhore. E me më shumë se 5%, këto dy parti mund të futen në parlament. Një fakt që nuk duhet mbivlerësuar. Sepse pavarësisht se si shpërndahen vendet në dumën ruse, Kremlini e ka të mbërthyer fort në dorë të gjithë politikën në Rusi.

Please follow and like us: