Albspirit

Media/News/Publishing

Politika amerikane për refugjatët


Politika amerikane për refugjatët është bërë një “futboll” politik vitin e fundit në sajë të një krize globale të imigrimit, shqetësimeve nga sulmet terroriste dhe zgjedhjet e diskutueshme presidenciale.

Ndryshe nga këta refugjatë që shkojnë drejt Evropës Perendimore, azil-kërkuesit në Shtetet e Bashkuara nuk vijnë nga deti. Për t’u vendosur në Amerikë, aplikantët vëzhgohen me kujdes dhe kalojnë procedura të kontrollit të sigurisë, një proces që shpesh merr gati dy vjet.

Mark Storella punon në byronë e Departamentit të Shtetit për refugjatët dhe imigrantët:

“Dua të theksoj se refugjatët janë udhëtarët më të kontrolluar që hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga të gjithë të tjerët.”

Por kjo nuk është ajo që dëgjojnë shumica e amerikanëve:

“Po dëgjoj se do të marrim 200 mijë sirianë. Ata mund të jenë të ISIS-it. Ku ta dimë”,thotë kandidati republican Donald Trump.

Deklarata të tilla shtojnë frikën tek amerikanët, por përkrahësja e refugjatëve, Lavinia Limon thotë se ato në fakt janë të pabaza. Ajo drejton një nga agjencitë më të mëdha për vendosjen e refugjatëve në Shtetet e Bashkuara.

“Asnjë nga terroristët e 11 shtatorit nuk ishte refugjat. Asnjë nga ata që i kanë bërë keq Amerikës apo Parisit apo ndonjë vendi tjetër vitet e fundit, nuk kanë qenë refugjatë.”

Megjithatë, me frikën e sulmeve terroriste në mendjen e shumë amerikanëve, pranimi i refugjatëve nga Siria apo diku tjetër është bërë një lojë politike.

“Në 40 vitet e fundit që kam punuar me refugjatët nuk kam pare këtë lloj polarizimi duke i përdorur ata si një çështje në fushatën presidenciale. Është diëka e re”, thotë Lavinia Limon.

Vitin e kaluar Donald Trump u bashkua me kandidatët republikanë, anëtarë të Kongresit dhe më shumë se 24 guvernatorë për të bërë thirrje për të ndaluar pranimin e refugjatëve sirianë.

Presidenti Obama i hodhi poshtë këto thirrje dhe në përgjigje të kritikave se Shtetet e Bashkuara nuk po bënin sa duhet për të lehtësuar krizën globale të imigracionit, urdhëroi administratën e tij të rrisë numrin e pranimit të refugjatëve në 85 mijë këtë vit.

Ndërsa vitin e ardhshëm, administrata do të pranojë 110 mijë refugjatë, numri më i madh ky në dy dekada.

Please follow and like us: