Rubena Moisiu: Mjekët thonë që kanë bërë zgjedhjen e duhur
“Çarja spontane e shpretkës, një diagnozë e pamundur për t’u dalluar te një grua shtatzënë çoi në vdekjen e Aida Çajkës dhe fëmijës së saj dy ditë më parë në maternitetin “Koço Gliozheni”.
Në një intervistë për gazetën, drejtoresha e spitalit, Rubena Moisiu, tregon me detaje ecejaket e së ndjerës në tre spitale në të gdhirë të datës 16 shtator. Moisiu thotë se ekipi mjekësor ka kryer veprimet e nevojshme për rastin, ndonëse, sipas saj, janë organet kompetente që do të japin verdiktin e saktë, pas shqyrtimit të plotë të materialeve.
Një paciente ka humbur jetën dy ditë më parë. A mund të na thoni si ka ndodhur ngjarja?
Pacientja është paraqitur te ne në 22:30 të mbrëmjes së 15 shtatorit me ankesa: vështirësi në frymëmarrje, nxirje rreth buzëve, dhimbje në regjionin e zemrës. Gjithë ekipi i rojës, përfshirë dhe reanimatorin e kanë parë dhe kanë menduar se ishin përpara një situate rrezik për infarkt të zemrës. Ndërkohë, barku ka qenë i qetë, nuk kishte dhimbje apo kontraksione për lindje.
Kjo ka qenë arsyeja që pacientja nuk ka pranuar të kryejë një vizitë të zakonshme vaginale sepse nuk kishte dhimbje barku, por në gjoks. Mjekët janë fokusuar te këto ankesa dhe kanë menduar për një infarkt, kanë bërë analiza të cilat janë në kartelë: të gjakut dhe ato biokimike. Më pas, një mjeke dhe infermier e kanë shoqëruar pacienten me ambulancë për në urgjencën e kardiologjisë së QSUT-së ku ka ndenjur për disa orë. Që atje reparti i kardiologjisë së QSUT-së e ka dërguar në sanatorium, pasi kanë menduar se mos ka problem nga mushkëritë.
Pasi ato kanë parë se është ulur kuadri i gjakut në analiza (i kanë rënë rruazat e kuqe të gjakut) e dërguan me urgjencë në maternitet me oksigjen dhe me mjekime për t’i mbajtur tensionin në nivel normal, pasi i kishte rënë shumë. Në orën 04:00 të datës 16 ka mbërritur në maternitetin tonë duke e çuar në reanimacion. Ajo që duhet theksuar është që në vizitën e parë foshnja ka qenë mirë, në të dytën kishte vdekur.
Familjarët kanë hedhur akuza për neglizhencë të shërbimit mjekësor. Sa qëndrojnë këto sipas jush?
Nuk është ashtu, sepse ata nuk kanë zbritur fare nga makina. Mjekët dhe personeli kanë zbritur me vrap, duke çuar edhe bombolën e oksigjenit, kur kanë parë që pacientja ishte me oksigjen, (sepse në fillim nuk e dinin se çfarë kishte makina brenda). Më pas e kanë dërguar direkt në reanimacionin e grave, ku ka filluar shërbimi me të gjitha mjetet e duhura që bëhet në këto raste.
Si e shpjegoni këtë rast? A mund të shpëtonte pacientja?
Arsyeja e hemorragjisë së brendshme ishte çarja spontane e shpretkës. Është vërtet një rast i rrallë. Në një grua shtatzënë mund të ndodhë 1 në 1 milion apo më rrallë akoma. Mund të jetë edhe çarje traumatike, por këtë nuk mund ta them unë. Mjekësia ligjore do ta vendosë nëse ka ndodhur nga trauma apo spontanisht.
Spitali i ofron mjetet e nevojshme për diagnostikimin e saj?
Po, por kjo nuk është lehtësisht e diagnostikueshme sepse me ekografi nuk shikohet asgjë sepse mbulohet nga mitra. Në 100% të rasteve me këtë lloj diagnoze, rukturë ose çarje e shpretkës, vetëm gjatë operacionit mund të shikohet burimi i gjakut.
Sipas asaj çfarë ju është thënë, mjekët kanë asistuar në kohë dhe a kanë ndjekur rrugën e duhur për mjekimin e saj?
Unë them që për momentin mjekët ngulmojnë që kanë bërë zgjedhjen e duhur, ashtu e kanë parë të arsyeshme. Ashtu thonë ata dhe ato të dhëna janë në kartelë. Ata janë marrë në pyetje, materialet dhe kamerat janë sekuestruar të gjitha. Shumë shpejt do t’i nxjerrin organet e drejtësisë./E.Domi/ Panorama