Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarofobia dhe islamoçmendia

Gani  MEHMETAJ

Pjesë jo e pakët e Ballkanit vuan nga shqiptarofobia.  Brenda kufijve shtetëror të Serbisë e të Maqedonisë  shqiptarët etnik janë viktima të përhershme të shqiptarofobisë: gjenocidit, spastrimit etnik, shpërnguljes së heshtur dhe presioneve publike e kanaleve të diplomacisë së fshehtë.

“Vdekje shqiptarëve” ishin grafite të shpeshta nëpër muret e godinave të kryeqytetit të serbeve- Beogradit. Prandaj, nga ky qytet ku dikur jetonin mbi 80 mijë shqiptarë, sot është vështirë të gjenden disa mijëra.

 “Vdekje shqiptarëve” janë grafite e klithma çmendurake të sllavëve të Maqedonisë nga Shkupi deri në Strumicë. Askush nuk i pengon, askush nuk merr masa kundër grupeve të harbuara sllave. Nga këto klithma, apo mbishkrime nëpër mure e rrugë të asfaltuara, shqiptarët etnik po ia mbathin nga sytë këmbët: në Kosovë ikin inteligjenca, në Perëndim shkojnë pjesa më e madhe e popullatës, kurse një pjesë shpëtimin e kërkojnë madje edhe në Turqi!

“Vdekje shqiptarëve” dëgjohet jo rrallë edhe në Luginën e Preshevës, ku  shqiptarët e përbënin shumicën dikur. Por athua e përbëjnë sot? Shqiptarët e Luginës nuk u mobilizuan të demonstrojnë kundër shqiptarofobisë, por dikush ua kurdisi demonstratën në mbrojtje të Erdoganit turk. Thua se atë po e sulmojnë serbët, ndërsa Serbia ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me Turqinë, prandaj Beogradi  lejoi demonstratat pro Erdoganit, por do t’i shuante më gjak demonstratat kundër shqiptarofobisë.

Jeniçerët që s’kanë komb, fe as atdhe, e kanë shtrembëruar tehun e mbrojtjes: në Luginën e Preshevës e në Maqedoni,  kanë nis fushatë tmerrësisht antishqiptare, e kanë shpik islamofobinë që ta fshehin shqiptarofobinë. Askush nuk ua rrezikon fenë shqiptarëve, por ua rrezikon rëndë qenien kombëtare, ndërkaq, problemet kombëtare i heshtin, duke e sforcuar islamizmin e terrorit. Sllavet e turqit po ua ndërtojnë në çdo lagje së paku nga një xhami, por shkollat shqipe ua kanë mbyllur.

Serbët e maqedonasit ua tundin çdo ditë para hundëve parullën “Vdekje shqiptarëve”, ua thyejnë kokat sepse janë shqiptarë, ndërsa çmendurakët islamik çirren kinse shqiptarët janë viktima të islamofobisë, thua se atyre u ka mbet të ruajnë dinjitetin e nëpërkëmbur të një miliardë myslimanëve. Kështu, shqiptarët në Luginën e Preshevës e në Maqedoni sa janë viktima të shqiptarofobisë, aq janë viktima të islamoçmendisë . Shqiptarët janë viktima të lojës së pistë që e luajtën rusët edhe në Çeçeni. Atje rusët një herë ua shkatërruan shtetin e pavarur çeçenëve të shkretë, pastaj ftuan islamikët arabë e turq, të cilët i orientuan në fe, duke ua shuar çdo kërkesë kombëtare. Shteti i tyre është i okupuar dhe i terrorizuar nga Rusia, por ju kujtohet kur një milion çeçenë të instrumentalizuar dolën në mbrojtje të terrorit islamik, në vend që të kërkonin çlirim kombëtar.  

Të njëjtën gjë po përpiqen ta bëjnë turqit, serbët e arabët edhe më shqiptarët etnik ne Luginën e Preshevës e në Maqedoni.

Please follow and like us: