Albspirit

Media/News/Publishing

Stilistja e guximshme dhe e pazakontë nga Serbia i drejtohet Nju Jorkut

Pas ndryshimit të shpeshtë të karrierave përgjatë viteve, Marina Micanoviç më në fund gjeti pasionin e saj të vërtetë si stiliste dhe tanimë veshjet e saj janë pjesë e Javës së Modës në Nju Jork.

Natalia Zaba BIRN Beograd

Marina Micanoviç

Megjithëse 34-vjeçarja nga Beogradi Marina Micanoviç është përfshirë në biznesin e modës për më pak se shtatë vite, puna e saj është prezantuar sakaq dy herë në prestigjiozen Javë të Modës në Nju Jork. Këtë vjeshtë, ajo do të shfaqet si stiliste individuale për herë të parë në  Javën e Modës në Nju Jork kur koleksioni i saj të prezantohet më 13 shtator si pjesë e AMCONYC, një platformë për stilistët dhe sipërmarrësit e talentuar të modës. Por udhëtimi i saj për në Nju Jork nuk ka qenë i lehtë. Micanoviç i tha BIRN se ajo kaloi nëpër shumë drejtime karriere përpara se të futej në degën në Beograd të shkollës së stilimit Accademia del Lusso në moshën 27-vjeçare. Pasi përfundoi gjimnazin, ajo u diplomua në shkollën e biznesit me një diplomë Bachelor në tregti dhe marketing. Micanoviç pastaj kaloi në fakultetin e shkencave politike të Beogradit, ku përfundoi një kurs një-vjeçar në shkenca politike dhe punë sociale. Pas kësaj, ajo filloi leksione të qepjes, u fut në disa kurse gjuhe, mësoi kërkim salsa dhe u stërvit në kujdesin e fëmijëve handikapë. Familja e saj e mbështeti gjatë rrugës, por ngadalë filloi të humbte besimin se ajo do të gjente ndonjë profesion ku do të qëndronte gjatë. “E ke gjithnjë mundësinë të vish në shtëpi dhe të punosh në një dyqan. Është e sigurt… një gjë e garantuar”, kujton Micanoviç t’i thoshin prindërit. Ndërsa punonte për në dyqanin e familjes si kasiere, ajo përfundoi kurse në makijazh dhe kërcimin tango. Pastaj e provoi një herë fatin në stilim mode. Prindërit e saj ishin skeptikë kur Micanoviç ndau me ta planet për t’u futur në një shkollë dizajni. “Ok Marina, a di ndonjë gjë rreth njerëzve nga kjo industri, a ke ndonjë lidhje që të mund të bësh një karrierë si stiliste”, e pyeti i ati. Ajo tha se nuk ia kishte idenë. Donte vetëm ta provonte. Ishte një rrezik që u shlye mjaft herët në karrierën e saj të modës, duke filluar me intervistën e pranimit. “Nuk kam të shkuar në modë, as dije, as eksperiencë, kam provuar thuajse gjithçka në jetën time dhe kurrë nuk kam gjetur diçka me të cilën të vazhdoj”, i tha ajo profesorëve të Accademia gjatë intervistës. Ajo u pranua pavarësisht mungesës së eksperiencës dhe në dukje mungesës së qëndrueshmërisë profesionale. Sërish, ashtu si shumë herë më parë, entuziazmi i fillimit iu shua dhe brenda pak muajve ajo po mendonte seriozisht të linte shkollën. “Nuk dija si të vizatoja dhe e kisha problemin më të madh në mësim”, kujton Micanoviç për hapat e parë të saj në botën e modës. Ajo thotë se me inkurajim të vazhdueshëm nga një profesor i dedikuar dhe gjashtë muaj praktike konstante, ajo ia doli të bëhet e zonja në vizatim. Dy vite më pas, ajo u diplomua nga Açademia del Lusso. Kur ftoi familjen e saj në një sfilatë mode të diplomimit në fund të kursit, ata e patë atë ndryshe. “Atëherë e kuptuam se këtë herë ishte serioze”, kujton Micanoviç. Por mbarimi i shkollës është një gjë dhe arritja e suksesit në botën shumë konkurruese të modës është diçka krejt tjetër.

Ndjekja e origjinalitetit

Për të gjetur suksesin në botën e modës Micanoviçin e ndihmoi origjinaliteti dhe guximi i dizenjove të saj dhe një zotim i patundur i parimeve. Veshjet e krijuara prej saj janë të një asimetrie të pazakontë, ngjyrave të guximshme dhe detajeve të bëra me dorë, si “rripat” origjinalë, që ajo shpiku dhe më pas i përfshiu në dizenjot e saj që prej fillimit. Micanoviç thotë se ajo krijon veshje për gra që janë plot kurajo, me vetëbesim dhe që e shijojnë vërtetë të qenët autentike. “Mund të tingëllojë si klishe, por ne [serbët] ende jetojmë në një shoqëri të mbyllur në të cilën është shumë e rëndësishme mënyra si të tjerët të shohin dhe ajo që ata thonë për ty”, shpjegon ajo, duke shtuar se gratë në Serbi qëndrojnë brenda të ashtuquajturave “zona rehatie” dhe nuk ndjekin ëndrrat e tyre sepse kanë frikë nga opinionet e të tjerëve. “Ka gra që e vlerësojnë stilin patriarkal të jetesës, që dominon në Serbi dhe shumica e grave që njoh preferojnë të qëndrojnë në zonën e rehatisë, sepse është më e sigurt dhe nuk sjell gjykime”, shton ajo. Ajo rrëfen se ky ishte gjithashtu problemi i saj jo shumë kohë më parë dhe thotë se edhe asaj i interesonte shumë opinioni i të tjerëve, por falë stilimeve dhe leksioneve të tangos ajo ia doli të çlirojë veten. “Isha shumë e pasigurt kur dëgjoja mendimet e të tjerëve rreth vetes dhe jetës. Në një pikë i fika të gjitha dhe fillova të punoja në fshehtësi mbi stilimet”, kujton ajo. Plani afatgjatë i Marinës është të vazhdojë të punojë në botën e modës dhe të largohet nga Serbia në Nju Jork, por jo vetëm sepse Nju Jork është synim për shumëkënd që është pjesë e industrisë. Ajo shpjegon se në Serbi nuk mund të gjejë shumë kliente, pasi veshjet e saj nuk ndjekin linjën e preferencave të klienteve të pasura. “Shpesh më këshillonin të ndryshoja stilimet, që gra të ishin më pak të “mbuluara”, se do të ishin më të lehta për t’u shitur, por nuk kishte shanse që të bëja kompromis. Gratë e mia janë të mbuluara, ashtu si në tango, ajo ka shumë për të ofruar dhe kërkon kohë për ta zbuluar atë”, shpjegon Marina. Marina pranon se aktualisht kjo mendësi nuk është shumë e përhapur dhe shumica e klienteve të saj janë të huajat që vizitojnë dyqanet e modës në Beograd. Megjithatë, ajo beson se do t’i vijë çasti. “Tani është shumë e qartë se periudha ime e artë do të fillojë. Kur isha më e re nuk e kuptoja, por tani e di se çfarë kam brenda”, thotë Marina.

Please follow and like us: