Tafil Boletini, prefekti i fundit i Shqipërisë së Bashkuar në Tetovë
Prof. Dr. Vebi Xhemaili
Pas kapitullimit të Bullgarisë në shtator të vitit 1944, kufijtë e Shqipërisë Etnike u zgjeruan gjer në Shkup. Prej atje në drejtim të vijës Kumanovë-Preshevë-Bujanocë. Në këto vise të Maqedonisë shqiptare dhe në atë territor të Kosovës, i cili më parë ishte nën sundimin bullgar. Pushtetin e morën në duar të veta forcat nacionaliste shqiptare. Më 8 shtator radio Sofja shpalli lajmin për kapitullimin pa kusht të Bullgarisë. Me kapitullimin e saj, u prishë kufiri i përkohshëm shqiptaro-shqiptar mbi fshatin Zhelinë, ku shtrihet fshati Grupçin dhe fshatrat e Dervenit deri në Tasion. Popullata e Dervenit u gëzua pa masë që u prish kufiri që e kishin shënuar bullgarët. Kufijtë gjatë kësaj pike kufitare i siguronin forcat vullnetare shqiptare.
Shqiptarët e kësaj ane tani ishin të lirë dhe me vullnetin e vetë u bashkuan me Shqipërinë Etnike. Paria e atyre katundeve erdhën në Tetovë, për të festuar se tani ndjehen të lirë dhe kishin shpëtuar prej abuzimeve bullgare dhe e lutën Tafil Boletinin që t’i organizojë komunat e reja në kuadër të Shqipërisë së Bashkuar.
Tafil Boletini si Prefekt i Tetovës e pranoi kërkesën e fshatarëve për ripërtëritjen e komunave shqiptare. Ky deklaron: “Shkova që t’i formoja komunat edhe pse e dija se ishte kohë tejet e shkurtë”. Ata më pritën me këngë e valle, ne duam shkolla shqipe dhe mësues nga Shqipëria, se po na prishet gjuha dhe duam bashkim me Shqipërinë”. Nga gëzimi i madh pandërprerë përsëritnin parullën “Rroftë Shqipëria e bashkuar”.
Tafil Boletininë mes-Prefekt i fundit në Tetovë, gjatë vitit 1944
Popull i mrekullueshëm punëtor dhe patriotë. Njëra komunë quhej Saraj, ishte pranë Shkupit, buzë lumit Vardar te stacioni i trenit për Tetovë. Ah se ç’kufij natyral, që me plot të drejtë mund te quhet etnik nga Shkupi drejt jugut, maleve të Thata, krahut te djathtë të Vardarit, kah lindja e drejtë në Ohër. Shkupi në luftën e Dytë Botërore ka pasur më shumë shqiptarë, ka deklaruar Emin bej Shkupi, kur e priti Tafil Boletinin në Shkup. Sipas tij qendra e shqiptarëve në Shkup është hotel “Kapanhan”.
Pas kapitullimit të Bullgarisë një çetë vullnetare shqiptare e Xhemë Hasës u paraqit në kufirin e Leshkës ku qëndronin disa bullgarë për ruajtjen e kufirit, te stacioni afër Leshkës: Bogda Incevski, Tome, Risto Giorgev, Tode Gigov Avramovski, Bllazhe Forçev Avramovski, Andro Sersem, Bllazho Simov Momirov, Nikolla Bozhinov Tomov, Jove Nikushov Bellianov, të cilët e ruanin postin-kufirin, kur e panë se po afrohej Xhemë Hasa u shpërndanë. Vullnetarët e Xhemës, kapën dy nga këta: Bogda Icevskin dhe Andrea Sersemin, i dërguan te Xhemoja, por ky i lëshoi në të njëjtën ditë.
Popullsia e kësaj ane pa dallim feje e kombësie i priti autoritetet shqiptare me gëzim të madh dhe me shpresë që sa më shpejtë të organizohet ndër këto vise dhe të funksionojë aparati shtetëror, sepse siç dihet këto vise pas largimit të ushtrisë bullgare kanë mbetur pa autoritete shtetërore. Vullneti i tyre i fortë dhe dashuria që të ketë qetësi dhe rregulla, është shpesh në iniciativën e tyre private duke krijuar autoritete komunale. Policia komunale plotësisht e ka siguruar pasurinë jetën dhe nderin e banorëve të këtyre vendbanimeve. Kënaqësia më e madhe ishte: “që të gjithë banorët e këtyre trojeve pa dallim feje e kombësie kërkonin bashkimin e plotë të këtyre viseve me nënën Shqipëri”. Gazeta “Zani i Sharrit” me rastin e çlirimit të territoreve shqiptare shkruan: Prefekti i Tetovës Tafil Boletini i shoqëruar prej Kryetarit të Bashkisë së Tetovës z. Shaip Kamberi, Kapiteni Kreshnik Arif Arifi i aradheve të Sharrit i vizitoi me datën 15, 16 tetor komunat e çliruara të rrethit të Tetovës: Tearcën, Vratnicën, Shemshovën, Grupçinin, Çajle, Saraj, Zhestovë. e tjerë.
Në këto rrethana të reja lufte Shtabi Kryesor i Xhemë Hasë Gostivarit tani më ishte i vendosur në Hanrievë-Tasjan. Ky qytet po ashtu me këtë emër përdoret edhe në raportet angleze. Ata pas aksionit të forcave vullnetare drejtë Shkupit, raportojnë: “se hekurudha që lidh Kërçovën, Tetovën, me Tasjanin është në gjendje të mirë. Në rajonin e Tearcës, pasi hynë forcat vullnetare shqiptare të Xhemë Hasës me të madhe u ka ndihmuar Abdullah Qerimi nga fshati Sllatinë me çetën e vet, Ky në këtë kohë ka pasur mbi 100 vullnetarë, në rast nevojë ka tubuar mbi 200 vullnetarë nga Sllatina. Me kapitullimin e Bullgarisë fashiste më 9 shtator 1944, Sllatina dhe fshatrat tjerë që ishin të okupuara nga bullgarët hynë vullnetarisht nën pushtetin shqiptar. Abdulla Qerimi, ka pasur nën komandë ushtarët në fjalë dhe ka bashkëpunuar me Xhemë Gostivarin, komandant i Forcave Vullnetare të Ushtrisë Vullnetare Kombëtare, prej Sllatine e deri në fshatin Jazhincë.
NGRITJA E FLAMURIT KOMBËTAR NË SHKUP
Me urdhër të Xhemës dhe Arif Kapetanit, me të shpejtë u çliruan fshatrat për rreth Vratnicës, kah fshati Nerasht dhe Orashje depërtuan në fshatin Radushë, në drejtim të Shkupit, duke ngritur flamurin kombëtar të Skënderbeut te Ura e Gurit më 12 shtator 1944. Në këtë akt madhështor kanë marrë pjesë komandantët e Forcave Vullnetare Shqiptare (FVSH), me Komandantin e Përgjithshëm Xhemë Hasë Gostivari, me dy zëvendësit e tij: Mefaili dhe Arif Kapedanin, pastaj, Bajram Dobërdolli, Aqif Reçani, Izmit Raveni, Musli Hasa, Abduraman Kullaku, Shaban Jahja- Kaçaniku, Shefket Fetahu-Arnaqia, Daim Islami nga Kopanica, Nevzat Roshi, Selman Shehapi, Sami Jakupi dhe shumë vullnetarë nga fshatrat e Pollogut, Kaçanikut Vitisë dhe Kumanovës. Veprimtarët nga Kaçaniku që morën pjesë në aktin solemn të Shkupit ishin: Avdyl Dura, Ismail Hoxha e tjerë, të cilët më parë kishin ngritur flamurin në Kaçanik.
Pas hyrjes të forcave vullnetare të Xhemë Hasës në Shkup dhe ngritjes të flamurit kombëtar nga vullnetarët e Dobroshtit: Kadri Azemi dhe Ferit Saliu. Vullnetarët shqiptarë pas ngritjes së flamurit të Skënderbeut, vazhduan luftën edhe më tutje në mbrojtje të territorit etnik shqiptar në rajonin e Shkupit, të komanduar nga Din Hoxha. Në këto beteja tejet të përgjakshme ranë dëshmorë duke luftuar kundër komunizmit, kapedanët e çetave që çuan lartë flamurin kombëtar te Ura e Gurit në Shkup: Kadri Azemi, Ferit Saliu nga fshati Dobrosht e shumë të tjerë.
Pas marrjes së Shkupit, gjatë muajit shtator 1944, Luan Gashi dhe prof. Ibrahim Kelmendi organizojnë funksionimin e Radio– Shkupit dhe fillojnë emetimin e emisioneve në gjuhën shqipe. Për rreth 3 muaj, deri në ndërhyrjen e partizanëve. Radio-Shkupi, i drejtuar prej këtyre dy burrave nacionalistë, jo vetëm që foli në gjuhën shqipe, por u kumtoi krejt banorëve të Maqedonisë shqiptare, të ngriheshin në këmbë për të mbrojtur Shqipërinë Etnike. Një ndër komandantët e zonës së Tearcës, Miftar Ivaja deklaron: “nga trojet shqiptare mblidheshin vullnetarë dhe shkonin në Shkup për ruajtjen e kufirit nga depërtimi i forcave komuniste, komanda ishte te stacioni i trenit në Hanrievë-Tasjan”.
Brigadat partizane maqedonase arrin nga Shkupi në Tetovë më 19 nëntor 1944, në qytet hynë në disa drejtime duke e rrethua nga të gjitha anët. Nga ana e Gostivarit është dashur të hyjnë brigadat partizane të udhëhequra nga Haqif Lleshi, ku kanë qenë edhe Nexhat dhe Qemal Agolli, por ata janë “vonuar” sipas urdhrit të Shtabit Maqedonas dhe kanë arritur më vonë, duke u vendosur në shkollën Bujqësore.
Në Tetovë me rrethin vijnë brigadat sllavo-komuniste për ta organizuar pushtetin “popullor” dhe njëkohësisht në emër të çrrënjosjes së “reaksionit” dhe të elementëve të tjerë kundërrevolucionar. Komanda partizane dhe OZN-a, filluan t’i burgosin dhe t’i eliminojnë disa njerëz me influencë. Në rrethana të këtilla kanë burgosur çdo kënd që u pengonte nga shqiptarët. Ata burgosën dhe vranë shumë bura nga fshatrat e Tetovës me rrethinë. Forcat partizane gjatë qëndrimit të tyre në Tetovë vranë shumë bura të pafajshëm nga fshatrat e Tetovës, duke filluar nga fshati Bogovinë, ku vranë babë e birë, pasi i kapën duke punuar në arë dhe i vranë mbi fshatin Çajle rrethi i Gostivarit. Pastaj nga f. Kamenjan, Pallçisht, Reçicë, Sellcë, Brodec, Xhepçisht, Sllatinë, Tearcë, Dobrosht, Nerasht, Radushë, Zhelinë, dhe shumë fshatra tjerë të rajonit të Malit të Thatë. Poashtu tejet të indinjuar janë sot e kësaj dite banorët e fshatrave: Çellopek, Miletinë dhe Stërmnicë, për torturat që Bëri OZN-a duke futur njerëz për së gjalli në tokë, në këto fshatra. Shumica e shqiptarëve që janë vrarë nga pushteti komunist ishin të pafajshëm. Ndërsa pushteti komunist deklaronte: “se kanë ndihmuar pushtetin shqiptar dhe forcat nacionaliste gjatë funksionimit të tij si shtet i bashkuar-(Shteti etnik shqiptar-1941-1944).