Albspirit

Media/News/Publishing

Kosova në samitin e hapur nga Bill Clinton

-Kryeministri Mustafa mori pjesë në samitin e Iniciativës Globale Clinton “Partneriteti për Prosperitet Global”/

1-mustafa-olbright

2-mustafaNJU JORK, 19 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit në Nju Jork, mori pjesë sot në samitin “Partneriteti për Prosperitet Global”, të Iniciativës Globale Clinton, e cila u hap nga Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Kryeministri Mustafa, mori pjesë në pritjen zyrtare si dhe në hapjen e punimeve të takimit të sivjetshëm, ku ishin të pranishëm liderë të shteteve, përfaqësues të ekonomisë, filantropë dhe drejtues të organizatave joqeveritare nga mbarë bota.

Njoftimi dërguar sonte thekson se, gjatë pjesëmarrjes në këtë samit, kryeministri Mustafa i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka takuar drejtues të shteteve të botës, të organizatave ndërkombëtare e të shoqërisë civile.

Kryeministri Mustafa u takua me Presidentin Clinton, ish-Sekretaren Amerikane, Madeleine Albright, me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, Presidentin e Sri Lankës, Presidentin e Malavit dhe shumë personalitete të tjera të botës.

Më pas, kryeministri Isa Mustafa ka zhvilluar një takim të ndarë me kryeministrin e Samoas, Tuilaepa Malielegaoi.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e ka njoftuar për progresin e arritur në Kosovë, në të gjitha fushat.

Pasi e falënderoi për njohjen dhe përkrahjen e deritashme, kryeministri Mustafa kërkoi mbështetjen e Samoas për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duke përfshirë përmbylljen e procesit të njohjeve dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi vullnetin e Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Samoan dhe forcimin e bashkëpunimit bilateral.

Gjatë ditës, kryeministri Isa Mustafa, do të takojë edhe drejtuesit e Bashkimit Evropian, kongresmenë amerikanë dhe përfaqësues të USAID-it./b.j/

Please follow and like us: