Abaz Ermenji, të jetosh në tre kohë!
Blendi Fevziu
(Sot mbushen 13 vjet nga vdekja e Abad Ermenjit, një personazh i rëndësishëm i historise së Shqipërisë. Në kujtim të tij po publikojmë këtë portret të shkruar në 2004)
E kisha njohur më 1998, por emrin e tij e kisha dëgjuar për herë të parë në verën e vitit 1990, kur një komunikatë e Partisë së Punës e akuzonte si organizator të refugjatëve që kishin ikur me ambasadat po ato ditë. Kisha pyetur tim atë dhe dajën me kuriozitet, për të marrë një përgjigje që ndrydhte brenda saj edhe informacionin, por edhe çudinë:
– Qënka ende gjallë!?
Më shpjeguan me pak fjalë se flitej për një eksponent të Ballit Kombëtar, një ish komandant të tij që kish lënë emër të mirë gjatë luftës dhe që me sa duket ishte ende gjallë.
Në ditët e ngarkuara të atij viti dhe 1991 e humba sërish, deri një ditë të vitit 1992, kur në Kongresin e Ballit Kombëtar të rilindur, mësova se ishte zgjedhur Kryetar. Jetonte në Paris dhe qe shfaqur në Shqipërinë e hapur si shumë emra të tjerë të harruar, pjesë e historisë së viteve ’30 – ’40 – të, që befas kishte filluar të shfaqej e modifikur, ndryshe, pa ato ngarkesa që kishim mësuar deri atë ditë. Emri i tij erdhi bashkë me atë të Hasan Dostit, Vasil Andonit, Sadik Premtes, Iliaz Toptanit etj, që befas, kishin dalë në kufijtë e një kohe të re.
Arrita ta takoja dhe të flisja më gjatë me të në vitin 1998. Një ditë të nxehtë korriku, kishte ngjitur shkallët e TVSH për të marrë pjesë në emisionin tim, duke lënë edhe të vetmen dëshmi televizive të tij. Por në të vërtetë, historia e Ermenjit më kishte intriguar shumë vite më parë, që më 1993, kur një artikull mbi Shqipërinë i revistës “The Economist” nënvizonte faktin se ai ishte i vetmi personalitet i viteve të luftës së dytë botërore, i gjithë Europës Lindore, që ishte rikthyer në politikë, madje në pozita të larta drejtuese, pas rrëzimit të komunizmit. Duke ndjekur këtë llogjikë dhe duke parë qëndrimet e tij, kisha besuar se më shumë se çdo gjë tjetër ai kishte arritur të plotësonte një ëndërr politike, një ëndërr që me mijëra politikanë nacionalistë të lindjes, nuk kishin mundur ta preknin më.
Aventura e tij niste shumë kohë më parë, diku në fund të viteve ’30 – të. I diplomuar në Paris dhe njohës i mirë i historisë së vendit të tij ai qe renditur që në fillim kundër pushtimit italian. Shumë prej liceistëve të Korçës rrefenin se si në fund të Marsit dhe fillim të Prillit të vitit 1939 kishte organizuar një batalion nxënësish dhe i kish stërvitur për të përballur pushtimin italian. Një lloj batalioni bojskautish, i disiplinuar dhe nacionalist që në fund, veç demostratave të ashpra nuk kish mundur të bënte ndonjë rrezistencë tjetër. Por në Liceun e Korçës ku ai kishte lënë jo pak gjurmë kish pasur edhe një tjetër histori. Të panjohur atë moment, por që kish shënjuar jetën dhe karrierën e tij. Koleg i tij ishte një djalë nga Gjirokastra, i quajtur Enver Hoxha, tre vjet më i madh se ai dhe pa diplomë të vërtetë. Një lloj dendi me bindje të majta që Abaz Ermenji nuk dukej se e honepste dot dhe me të cilin shkonte shumë keq. Në një foto të vitit 1938, duken të dy me trupin pedagogjik, në të vetmen dëshmi të një marrëdhënie të vështirë dhe problematike, që nuk do të ishte më vetëm e tyrja, por edhe e dy forcave politike që do përplaseshin fort në Shqipërinë e pas disa viteve. Por në ato vite ishte ende herët. Enver Hoxha ende nuk qe bërë lider i komunistëve dhe Abaz Ermenji njihej në Korçë për bindjet e tij. Por profesori i ri, nacionalist dhe radikal, antikomunist dhe antifashinst i afishuar, kish rënë në sy të autoriteteve të pushtimit. Fashiste të Tiranës e kishin arrestuar më 1939 dhe për tre vjet kishte qenë i internuar në Ventotene të Italisë. Kishte jetuar atje, mes privimeve, me shumë personalitete të tjera të jetës shqiptare dhe asaj italiane të internuar nga musolini. Një pjesë e tyre do të bëheshin më vonë drejtuesit më të lartë të Italisë demokratikë post fashiste dhe ai nuk do t’i humbiste kurrë lidhjet me ta. Djali i ri kish arritur t’i mbijetonte internimit dhe pas kapitullimit të Italisë, qe nisur për në atdhe.
Ishte rikthyer më 1943, pas një udhëtimi të gjatë dhe të pabesueshëm duke shpresuar se tashmë, pas çlirimit nga italianët, vendi kishte nevojë për instalimin e një sistemi demokratik. Ishte bërë një ndër drejtuesit e Ballit Kombëtar, komandant ushtarak i tij, drejtues operacionesh dhe betejash të suksesshme, përfshi edhe rrëthimin dhe rënien e Beratit.
Nuk kish besuar asnjë moment në marrëveshjen e Mukjes, nuk kishte asnjë lloj besimi tek Enver Hoxha dhe po ashtu i urrente gjermanët. Bëri ç‘mundi t’i qëndronte rritjes dhe hegjemonisë komuniste dhe luftoi deri në fund. Me të gjitha forcat që pati. Por edhe ai e dinte se komunizmi ishte më i fortë, se balli kishte bërë gabime fatale dhe se asgjë nuk mund ta kthente mbrapsht rrjedhën e asaj që ishte vendosur tashmë në jaltë. Aleatët e kishin lënë Shqipërinë në dorë të komunistëve.
Xhulian Emeri, e përshkruan mrekullisht marrshimin e tij të fundit, së bashku me plot nacionalistë, por edhe kolaboracionistë të trishtuar, nga lartësitë e Prezës drejt malësive të Laçit. I hipur mbi një kalë të bardhë, në krye të 200 forcave besnike, ai kalëronte pa e kuptuar, ashtu si Abaz Kupi, se pse duhej të merrte një ndëshkim të tillë nga një vend që e donte. Do të rikthehem, i kishte thënë oficerit anglez, shumë shpejt dhe shumë i bindur se Shqiptarët do të jenë një vend demokratik dhe jo një shtojcë e Moskës. Pastaj kishte ngarë tutje, duke mbetur i patundur në besimin e tij.
Kundërshtar i komunizmit, ai kish vijuar betejat luftarake kundër tyre. Kishte tentuar të aplikonte idetë e tij politike, por i mundur nga forcat e Hoxhës, ish kolegut të tij të Liceut të Korçës, i braktisur nga aleatët dhe një pjesë e Ballit Kombëtar, kishte qenë i detyruar të largohej më 1947, pas tre vjete qëndrese brenda vendit. Kur kish mbërritur në Greqi, i kish kujtuar oficerit të lartë Britanik që kish gjetur atje, në anën tjetër të kufirit, premtimin që i kish dhënë për t’u kthyer sërish. E kish mbajtur këtë premtim brenda vetes për më shumë se 4 dekada dhe një ditë të vitit 1992 i kish telefonuar në shtëpinë e tij në Londër.
Në moshë të thyer, me ky karriera kaq të ndryshme, njëri, Emeri, ish Ministër i Madhërisë së Saj dhe deputet, i respektuar dhe nderuar në vendin e tij; tjetri, Ermenji, një emigrant politik që kish mbijetuar duke punuar si mësues në Paris, por që nuk e kish humbur kurrë besimin tek kauza e tij.
– Po kthehem! i tha – I dashur Mik, po bëj atë që të premtova atëherë!
Në të vërtetë u kthye, por kur kishte kaluar tashmë gjysëm shekulli dhe kur gjithë miqtë e tij, ata të ndershëm dhe ata që kishin bashkëpunuar me pushtuesit, nuk do të ishin më. I ulur përballë meje në studion e emisionit “Debat” më 1998 më kishte deklaruar: “Jam kthyer që të dal nga politika me votë, siç ëndërroja dhe siç kam besuar gjithë jetën, si në gjithë vendet demokratike, ithtar i të cilave kam qenë, por jo me armë, siç më përzunë komunistët më 1947”.
Nuk e di a kishte besuar gjithnjë Ermenji se kishte mbrojtur një kauz të drejtë? Besoj se po! Ramiz Alia, lideri i fundit komunist i Shqipërisë dhe Presidenti i parë pluralist i saj më 1991 më kishte treguar se diku në vitet ’70 – të, gjatë një vizite në Paris, duke shëtitur në një nga parqet pranë qendrës ishte gjendur përballë me Ermenjin e ulur në një stol. Nuk e di cili ka qenë ndjesia që ata kanë pasur atë moment. Kishin besuar dhe përfshirë kauza të ndryshme, ishin përleshur për to; tashmë, Ramiz Alia ishte një ndër politikanët më të rëndësishëm të vendit; Abaz Ermenji, një refugjat politik, që dukej se kishte humbur gjithçka. Edhe pse besonte se angazhimi i tij i kishte kushtuar shumë, shumë më tepër se sa mund t’i kushtojë angazhimi një njeriu në politikë.
Dhe pikërisht për këtë ishte rikthyer, duke deklaruar më 1994, në shkallët e avionit në Rinas, para një turme entusiazte që kishte dalë ta priste: “E vërteta vonon, por nuk harron”!
Po a ishte vërtet kështu dhe sa vetë nga ai karvan ikanakësh që ecte me trishtim në rrugën Prezë – Laç, kishte pasur fatin të besonte se “e vërteta vonon, por nuk harron”! Sa prej tyre besonin se realisht kishin të drejtë dhe sa do t’ju kushtonte kjo bindje në të ardhmen?
Historia e tij politike në Shqipëri është po kaq e pabesueshme. U vu në krye të Ballit Kombëtar dhe tentoi të krijonte jo një parti mbetjesh historike, por një parti të vërtetë dhe demokratike. I qëndroi fort bindjeve të veta dhe më 26 Maj 1996, kur vatimet degjeneruan dhe vetëm për zgjedhje të lira nuk bëhej fjalë, ai u tërhoq i pari.
- Këto nuk janë zgjedhje, tha, zgjedhjet kanë mbaruar!
Ishte në Lazarat. Një njeri që e njihte mirë demokracinë dhe kishte sakrifikuar kaq shumë për të, nuk mund ta pranonte një filozofi të tillë.
Një javë më pas shtypi njoftoi se ai mbahej peng në një vilë në rrugën e Kavajës në Tiranë. Me sa duket qenë vetë anëtarët e partisë së tij që donin ta bindnin që të pranonte rezultatin e zgjedhjeve dhe atë që mund të fitonin ata vetë. Ai rrëzistonte. Nuk u mor vesh kurrë nëse ishte vërtet peng apo u ngujua vetë aty. Rrethohej gjithnjë nga njerëz besnikë, siç kish bërë edhe gjatë luftës; njerëz që qenë gati të flijoheshin për të dhe të cilëve ju ngjallte një besim të pakuptueshëm. Pak ditë më vonë iku. U kthye sërish më 1998, për të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale dhe për të qenë në krye të Ballit Kombëtar.
Po atë muaj kur erdhi në emision dhe më dhuroi një libër që e kishte shkruajtur shumë vjet më parë dhe titullohej: “vendi i Skënderbeut në historinë e Shqipërisë” Një libër që ndryshe nga titulli, ishte një version i plotë i historisë së Shqipërisë dhe një lloj apologjie për humbjen e Ballit Kombëtar në luftën e dytë botërore.
Dhe aty më tha frazën që më befasoi fort:
- Kam ardhur të iki nga politika më votë, siç kam besuar gjithnjë, jo me armë. Unë jam demokrat!
Dhe ashtu iku vërtet. La vendin në krye të partisë, u bë sërish kandidat për deputet dhe fitoi një vend të cilin e la për dikë tjetër. Për të nuk kish rëndësi vendi i deputetit, por ideja se bindja dhe besimi i tij kish triumfuar tashmë. Vdekja nuk e kish marrë deri në përfundim të besimit të tij…
Një ditë të vitit 2004, qëlloi që makina ime të ngecte në një bllokim trafiku, fare pranë qendrës së Tiranës. I paduruar dhe nën presionin e një axhende të ngjeshur dola të shoh se cili ishte shkaku dhe se sa kohë do të më duhej të qëndroja i bllokuar si sanduiç mes një autobuzi linje dhe një furgoni nga ata që Edi Rama i ka lyer me të bardhë dhe i ka dekoruar me ngjyrat kuq e blu të Bashkisë së Kryeqytetit. Pa shumë mundim, dallova disi më larg, pranë monumentit të Skënderbeut, një kortezh që mbante një krahë një arkivol dhe që ecte në heshtje, me solemnitet drejt zemrës së sheshit. Të mësuar ti respektojnë të vdekurit me një ceremonialitet për t’u admiruar, shoferët kishin ndalur makinat, kishin fikur motorrët dhe një pjesë kishin dalë jashtë për të nderuar në këmbë dhe me heshtje njeriun që po udhëtonte për një banesën e fundit. Pak minuta më vonë, kur ceremonia mbaroi, trafiku u lirua dhe makina ime u nis me nxitim drejt Hotel Rognerit, mësova se arkivoli i takonte njërit prej të paktëve politikanë shqiptarë që me 50 vjet vonesë i kishin realizuar aspiratat e tyre politike. Bëhej fjalë për të, Abaz Ermenjin, profesor i vjetër historie, ish themelues i Ballit Kombëtar gjatë luftës së dytë botërore, ish emigrant politik dhe më pas sërish Kryetar i Partisë së re të Ballit Kombëtar nga 1992 deri më 2003. Politikani i vjetër kishte vdekur rreth një javë më parë në Paris dhe sipas amanetit, trupi i tij po prehej në vendlindje.
Procesioni i gjatë që ndiqte arkivolin e tij, turma e madhe e njerëzve që e shoqëronte, monumenti i Skënderbeut, heroit të cilit ai i kishte kushtuar një nga tekstet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe që qëndronte si roje mbi trupin e tij tashmë pa jetë dhe shoferët e makinave që nderonin në heshtje jashtë automjeteve të tyre, më rikthyen edhe një herë bindjen se besimi është gjithçka në jetë. Se Profesor Ermenji kishte besuar tek bindjet e tij; e kish dashur Shqipërinë me atë dashuri që ai besonte se ishte e pakufi; nuk ish tërhequr prej bindjeve të tij në asnjë kohë dhe rrethanë dhe tashmë fati e kish shpërblyer. Kish arritur të jetonte përtej kohës së errët të komunizmit, kish superuar mërinë dhe izolimin e asaj kohe, kish sjellë sërish në shesh bindjet dhe parimet e asaj kohe dhe pastaj kish ikur i qetë. Jo i harruar dhe vetmuar si shumë refugjatë të tjerë politikë. Diku në botë. Por në Tiranë, në kryeqytetin që ai kish kërkuar të kontestonte demokratikisht, i përcjellë nga mijëra vetë dhe nën hijen e monumentit të heroit kombëtar. Pavarësisht jetës së tij, mund të thuash se ai ishte njeri me fat…