Albspirit

Media/News/Publishing

PETRIT KUÇANA/Mirë që në Siri apo Afganistan ka luftë, po në Shqipëri çfarë po ndodh!

Në Britani azilantët shqiptarë në vendin e tretë. Mirë që në Siri apo Afganistan ka luftë, po në Shqipëri?!!!

A duhet të jetë “vendi i tretë”, këmbanë alarmi që të shkundë nga përgjumja ministra e deputetë, klasën politike në tërësi? Fatkeqësisht “vendi i tretë” vazhdon të mbetet një lajm, tashmë i stërpërsëritur, (jo vetëm për emigrantët që mësyjnë Britaninë), lajm që me patjetër harrohet në ditën e tretë, që demagogjia e “të bërit shtet” ambalazhon çdolloj pasoje sociale që në kushte normale konsiderohet katastofike.

Për rrjedhojë zbrazja e Shqipërisë, është një fenomen kaq normal, i gjithëprekshëm në çdo cep, ku të ikurit nuk është më sfidë, por thjesht rrugëzgjidhje dhe as që mund të imagjinohet të ketë ndonjë dritë shprese, sidomos për rininë, (madje as për ata nën 18 vjeç) që kanë shansin të regjistrohen dhe s’mund të kthehen.

Slogani që “punë ka por duhen profesionistë”, është kthyer në një tragjikomedi që shikohet çdo ditë e që duket që fatkeqësisht po “zbatohet” më së miri në Britani.

Nuk kanë të reshtur lajmet për kapjen e shqiptarëve, si trafikantë droge. Raportet e institucioneve britanike bëhen gjithnjë e më të frikshme, kur qartësisht “zotërojmë” shifrën 20% e të dënuarve të Evropës Lindore, (deklaruar nga ministri i drejtësisë Britanike në kohën e fushatës BREXIT). E dhimbshme.

Rinia shqiptare po mbush burgjet britanike, çdo ditë… Britania nuk është më ajo e mëparshmja, e kohës së artë, ku ndihmat sociale apo gjetja e banesës ishte një detyrë shtetërore. Tashmë askush nuk ka të drejtë të strehojë një emigrant të paligjshëm, aq më tepër ta punësojë atë.

Megjithatë Britania mbetet “molla e ndaluar”, edhe pse çmimet e biletës “oneway” mbi Lamansh kapin shifra marramendëse. Tashmë nuk shtrohet më pyetja se si ka mundësi që prindërit “përcjellin” fëmijët e tyre akoma pa mbaruar 8-vjecaren, ashtu siç mbetet tmerrësisht e vështirë përgjigja se çfarë po ndodh në Shqipëri.

Mjafton të shikohen mosha e të dënuarve shqiptarë në Britani apo vitet që do të vuajnë dënimin për të plotësuar tablonë e tragjikes. Po a ka një strategji shteti për këtë gjendje, apo saktësisht për këta emigrantë të ardhur rishtas në Britani?

Fatkeqësisht jo. As që bëhet fjalë, as që është dëgjuar në foltoret e parlamentit, apo në institucionet e tjera shqiptare. As që do t’ia dijë njeri për ta, ndonëse është detyrim kushtetues… Është për t’u përgëzuar puna e jashtëzakonshme e shoqatave shqiptare të këtushme, dhe ai që quhet shtet, ka munguar terësisht. Mbi dhjetë herë ka qenë kryeministri në Londër, asnjëherë nuk i interesua për ta, asnjëherë nuk gjeti pak minuta kohë qoftë edhe për të dëgjuar se çfarë po ndodh me këta shqiptarë.

E krejt e pakuptimë duket edhe ftesa për një samit të diasporës, që i ngjan më tepër si; “m’ka çu nana me e la gojën”…

Please follow and like us: