Albspirit

Media/News/Publishing

Feministja arvanitase Eleni Bukura

Luan Rama

lauraNë Specaj të Greqisë, krahas shtëpisë së heroinës se famshme Bubulina, është dhe një shtëpi tjetër që mban një emër të njohur, por që nuk i ngjan muzeut patriotik të saj. Eshtë një shtëpi tipike speciote të cilën kanë dëshirë ta shohin më shumë njerëzit e artit dhe adhuruesit e pikturës e të feminizmit, pasi atje, në shekullin e XIX ka jetuar një nga feministet e para të Greqisë, një arvanitase me një emër mjaft simbolik: Eleni Bukura. Vallë vërtet ishte kaq e bukur sa ç’kishte dhe mbiemrin e familjes së saj dhe që tradicionalisht do të mbetej i shkruar kështu me drejtshkrimin e gjuhës shqipe: Bukura? Sidoqoftë ajo kishte qenë për Greqinë ashtu siç kishte qenë për Francën një feministe si George Sand, pasi dhe Eleni Bukura u shfaq me veshur me pantallona si burrë ashtu si George Sand, e cila vishej si burrë dhe shkonte në mbledhjet e asamblesë së Francës, për të shkruar e botuar korrespondencat e saj mbi ngjarjet politike që kalonte Franca monarkiste në luftë me atë republikane.
Eleni Bukura ishte vajza e arvanitasit Jani Bukura dhem besa e Gjergji Bukura, një kapedani speciot dhe kryeplak i fshatit, i cili në vitin 1820 ishte kthyer nga Barcelona, ku merrej me tregëti si gjithë kapedanët e këtij ishulli si dhe të Hidrës, të cilët i gjeje në të gjithë Mesdheun. Dhe ai ishte nga ata që kishte nisur luftën që në orët e para të Revolucionit grek kundër pushtuesit otoman bashkë me Panajot Bukura dhe të tjerë, si gjithë kapedanët hidriotë e speciotë. Eleni lindi në vitin 1821, pikërisht kur shpërtheu dhe Revolucioni dhe vitet e para të jetës së saj ishin vite të sprovës së madhe, me babain në luftë. Zonja Korina Miller, e cila ka shkruar një libër për jetën dhe veprën e kësaj piktoreje, “Jeta e jashtëzakonshme e një piktore – Eeni Bukura”, ku tregon për historinë tragjike të kësaj gruaje, e cila në rininë e saj, me një dashuri të madhe për pikturën ishte nisur të kryente studimet artistike në Romë ku dhe ra në dashuri me një garibaldist të quajtur Francesco Saverio Altamura, dhe ai një piktor i ri. Padyshim, një subjekt romancash për atë kohë. Që të shkoje të studjoje pikturën dhe të ishte para modeleve nudo ishte diçka e guximshme për një grua, pasi atëherë, arti i pikturës konsiderohej si një art monopol për burrat dhe jo për gratë. Kështu, Eleni ishte detyruar të priste flokët dhe të vishej si burrë për të mundur të futej në shkollën e artit. Një fotografi e mëvonshme e ka fiksuar portretin e saj, ashtu, në trajtën e një burri, ndërkohë që dhe i dashuri, burri i saj i ardhshëm, ka pikturur një portret të saj, por ky portreti ngjason jo pak me portretin e shkrimtares franceze George Sand, te dashurën e Chopin.
Kur Eleni mbaroi studimet, çifti vazhdoi jetën e tyre në Napoli e Firenze ku lindi djali i saj Jani e më pas vajza, Sofia. Por kur Jani ishte shtatë vjeçar, i ati ra në dashuri me një grua tjetër dhe Eleni Bukura u detyrua të kthehet me fëmijët e saj në Specaj e pastaj në Athinë. Nga dy fëmijët e saj, Sofia i vdiq mjaft e re, në moshën adoleshente. Kjo ishte goditja e parë e madhe për Eeni Bukura, e cila në atë kohë jetonte në Athinë dhe ishte në rrethin e intelektualeve të kohës dhe e afërt me oborrin mbretëror, çka tregojnë dhe disa portrete të saj kushtuar mbretëreshës Amalia, gruas së mbretit bavarez Othon I, etj. Në Athinë, Jani Bukura, ndërtoi madje dhe një teatër i cili do të quhej “Teatri Bukura”, duke mbajtur kështu emrin e tij. Vite më vonë, pas studimeve në Shkollën e Arteve të Bukura në Athinë dhe punës në atelierin e piktorit portretist grek Niqifor Litras, djali i Elenit, u dërgua të thellonte studimet e tij pikturale pranë piktorit danez Carl Frederik Sorensen, kohë dhe kur krijoi mjaft peizazhe nga porti i Kopenhagës apo fregatat e anijet daneze (Fregata Sjelland, etj). Kur Jani u kthye në Athinë, tablotë e tij u bënë mjaft të njohura, veçanërisht peizazhet detare apo tablotë me bojë vaji si Anija e kapiten Miaulis, (paraqitur në Ekspozitën Internacionale të Parisit) Thyerja e flotës turke (duke iu referuar betejës së famshme detare), etj, tablo këto të një realizmi akademik, ku jo rrallë ndjen dhe frymën impresioniste të kohës kur sapo kishte lindur impresionizmi.

Piktura e Eleni Bukura ishte një pikturë kavaleti, figurative, ku përgjithësisht mbizotëronte portreti. Por ndryshe nga piktura e saj, ajo e të birit, Jani Altamura ishte një dashuri e madhe deti, ishin anijet në rendjen e tyre drejt furtunash, e herë në perëndime të përflakura me një peizazh ngazëllues. Jani Altamara kishte padyshim një të ardhme të jashtëzakonshme, pasi talenti i tij premtonte shfaqjen e një piktori me emër në spektrin e pikturës europiane të shekullit XIX. Por jeta e tij u ndërpre, s’dihet nga ç’dorë fati. I sëmurë rëndë nga tuberkulozi ai vdiq në moshën 26 vjeçare. Dhe kjo ishte plaga e dytë për Eleni Bukura. Dy vdekje dhe bota e humbur e saj. Kështu ajo e la pikturën, kavaletin, penelat dhe vajti dhe u mbyll në shtëpinë e saj në Specaj. I mbylli kanatet e dritareve, portën dhe u zhyt në terrin e dhembjes dhe të vetmisë, duke i djegur madje shumë nga veprat e saj që kishte përreth. Kështu, bashkë me fëmijët e saj, vdiste tashmë dhe arti i saj, krijesat e saj në ngjyra. Jeta s’kishte më kuptim për të. Eleni Bukura, nga një personazh aventure e kurajo të jashtëzakonshme, u kthye në një prehë e depresionit dhe personazh tragjik si në tragjeditë e antikitetit grek. Ndryshe nga ajo, shumë tablo të Jani Altamura-s janë në “Galerinë Kombëtare” të Greqisë dhe në muzeume të tjera. Por në historinë e artit, për Greqinë, Eleni Bukura do të mbetet si piktorja e pare e Greqisë, një speciote me origjinë arvanitase…

Please follow and like us: