Zonjat shqiptare në Nju Jork shkelin tapetin e kuq – natë yjesh në “Symphony Space”
Nga Flora Nikolla
“Zonjat shqiptare në Nju Jork”, një aktivitet multidimensional i Albanian Excellence, do të zhvillohet këtë të shtunë në 24 shtator në Symphoni Space në Manhattan, Nju Jork, me prezencën e kreut të shtetit, Presidentit të Republikës, Shkëlqesisë së tij z.Bujar Nishani.
Do të jenë 65 zonja shqiptaro-amerikane me banim në Nju Jork, që do të jenë pjesëmarrëse në këtë aktivitet, një ndër më të mëdhenjtë të organizuar deri më tani në mbështetje të gruas shqiptare në diasporë .
Mbështetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare , ky aktivitet ideuar nga Albanian Excellence prej gati dy vite më parë, ka Patronatin e Presidentit të Republikës, Shkëlqesisë së tij, z. Bujar Nishani dhe parashtron një vëmendje më të madhe ndaj Zonjave në shekullin e XXI.
Libri “Zonjat shqiptare në Nju Jork “, realizuar nga Flora Nikolla, Gëzim Podgorica dhe Kozeta Zylo, vendos në këtë edicion të parë të tij, historitë e suksesit dhe të dinjitetit njerëzor që Zonjat shqiptare të të gjitha trojeve , kanë arritur në kontinentin e lirisë.
“Zonjat e prezantuara në librin “Zonjat shqiptare në Nju Jork “, të cilat janë personazhe në mbrëmjën Gala , janë histori suksesi që ju përkasin të gjitha profesioneve, mjeke, avokate, mësuese, artiste, shkencëtare” , tha për ATSH-në drejtori i bordit të Albanian Excellence, artisti Andis Gjoni , regjisor dhe skenograf i Mbrëmjes Gala, e konceptuar jo vetëm si një parakalim i vlerave të Zonjave të Nju Jorkut, por ku nuk do të mungojë edhe prezantimi artistik i emrave të njohura në art , si Hermira Gjoni, drejtore artistike e programit, koncert maestër, sopranot e njohura Dëshira Ahmeti Kërliu, Lindita Lole Mezini, kengetarja e njohur Merita Halili, pianistet, Ida Dili Trebicka, Xheni Rroji, violonçelistja e talentuar Gjilberta Lucaj, si dhe këngëtarja e vogël , por premtuese, Fiorela Miria.
Gjithçka premton për një natë yjesh ku nuk do të mungojnë edhe surprizat dhe kur për herë të parë do t’i hapet rrugë institucionalizimit të gruas së suksesit shqiptar në botë , përmes nënshkrimit të memorandumit “ Të jesh grua në shekullin e XXI”.
Prezantues të Mbrëmjes Gala , Zonjat shqiptare në shekullin e XXI, janë Rejhan Bexheti, një figurë e njohur në skenë dhe në ekran, një histori më shumë suksesi me aspiratën e saj për të qenë avokate dhe artisti i njohur i skenës dhe ekranit shqiptar , imazhi i Albanian Excellence, Ardian Cerga, i ardhur posaçërisht për këtë event nga Tirana.
“Për mua është shumë kënaqësi, të jem prezent në këtë event kaq shumë domethënës dhe aq më shumë kushtuar Zonjave shqiptare, për një hap më shumë drejt qënësisë së tyre intelektuale dhe njerëzore”, është shprehur aktori i njohur për ATSH-në.
65 Zonjat shqiptaro –amerikane do të kalojnë tapetin e kuq, do të nënshkruajnë memorandumin ‘Të jesh grua në shekullin e XXI’ , do të hypin si simbol i suksesit njerezor, profesional në skenën e Symphoni Space, një sallë shumë e njohur në Broduej dhe me shumë histori, por që sipas të gjitha gjasave nuk ka patur ndonjëherë kaq shumë shqiptarë dhe aq më shumë Zonja të të gjithë Shqiptarisë.