Epoka e mosbesimit
Nga Roxhër Kohen
Unë kam një respekt të thellë për inteligjencën e votuesve. Winston Churchilli citohet shpesh të ketë thënë se argumenti më i mirë kundër demokracisë, është një bisedë pesë minutëshe me një votues mesatar, por më e rëndësishme është ajo që ai tha në të vërtetë në Parlament, në 31 tetor 1944: “Në themel të gjithë lavdërimeve që i bëhen demokracisë është njeriu i vogël, që futet në dhomëzën e votimit, me një laps të vogël, duke shënuar një kryq të vogël, në një copëz të vogël letre – nuk ka sasi retorike, apo diskutim voluminoz, që mund të lehtësojë peshën e madhe të asaj pike”.
Askush, po të hedhësh sytë pas në në 16 vitet e para të këtij shekulli, nuk mund të thotë se elitat politike, ekonomike dhe financiare që ju sollën krizën e euros, luftën në Irak, Recesionin e Madh të vitit 2008, pabarazinë në rritje dhe (të paktën deri vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara) stanjacionin në të ardhurat e klasës së mesme, nuk kanë bërë disa gabime shumë të rënda, me pasoja shumë të qëndrueshme, dhe me një ndëshkim shumë befasues. Kjo gjë nuk i ka shpëtuar gruas së vogël, në dhomëzën me perde, me lapsin e vogël në dorë.
Nuk është çudi që ekspertët shihen si njerëz që gënjejnë për qëllimet e tyre. Njerëzit e zakonshëm mendojnë se sistemi është i manipuluar, që elitat nuk janë aty për popullin, por, më tepër, për paratë. Kjo është epoka e mosbesimit. Nuk ka ndodhur kurrë më parë, që dy kandidatët presidencialë të kenë qenë kaq shumë të dyshuar, si Donald Trampi dhe Hilari Klintoni.
Gabimet e rëndë që përmenda kanë ndodhur në mesin e një stuhie teknologjike, që zhvendosi fabrika jashtë vendit dhe na solli në brigje imigrantët, si dhe ka ofruar mundësi të mëdha për një përhapje të nyjave të globalizmit, ndërkohë që ka zhveshur shumë vende periferike dhe njerëz të dëbuar, nga arsyeja e tyre e ekzistencës.
Teknologjia është një gjë e mrekullueshme, në qoftë se e vini në përdorim, por më pak e tillë, në qoftë se ajo i jep fund dobisë tuaj. Shumë njerëz në demokracitë tona liberale mendojnë se janë duke u flakur andej-këtej, nga forcat që janë jashtë kontrollit të tyre – askund më shumë se në Greqi, ku zgjedhjet kombëtare në vitet e fundit – kanë zbuluar një shkëputje pothuajse të plotë, mes vetë votës dhe çdo efekti të prekshëm. Çfarë, pra, është demokracia, një lojë e thjeshtë?
Ka patur edhe një tjetër stuhi, këtë herë kulturore. Siç shkruan Sylvie Kauffmann, kur ministri i jashtëm i Polonisë, Vitold Vaszczykovski, thotë se bota nuk duhet të lëvizë në një drejtim të vetëm – “drejt një përzierje të re të kulturave dhe racave, një botë çiklistësh dhe vegjetarianësh” – ai është duke shprehur një ringjallje nativiste antiliberale.
I gjithë kjo shqetësim ka qenë i përbërë nga ndjesia e pasigurisë, ngulitur prej terrorizmit xhihadist, apo edhe akteve të tjera të dhunës. Një vënie bombe në Nju Jork dhe një sulm me thikë në një qendër tregtare në Minesotë janë ende nën hetim, por cilado qoftë origjina e tyre, me siguri që këto akte do të ndikojnë në zgjedhjet tashmë të tensionuar amerikane.
I gjithë ky është sfond për Trampin, Marine Le Penin në Francë, për Brexit, për qeveritë nacionaliste që dominojnë Evropën Qendrore, për rritjen në Gjermani të Alternative für Deutschland, për modën e modeleve autoritare – me pak fjalë për sfidat me të cilat përballen demokracitë liberale. Marksi thoshte se historia përsëritet, fillimisht si tragjedi, më pas si farsë. Dalja e britanikëve nga Bashkimi Evropian ishte përjashtim – tragjedi dhe farsë njëkohësisht, një fatkeqësi e përkrahur nga gënjeshtra, e shtyrë përpara nga një klloun dhe e konsumoi në kaos.
Ky ishte momenti kur u bë e pakundërshtueshme se, disa nga themelet e botës së pasluftës dhe përhapja e demokracisë liberale – tregtisë së lirë, tregut të lirë, kufijve më të hapura, debati i bazuar në faktet, integrimi gjithnjë e më i madh – ishin shembur.
Unë jam pesimist në afat të shkurtër, optimist në afat të gjatë.
Unë jam pesimist, sepse problemet nuk mund të zgjidhen në një kohë të shkurtër.
Politikanët do të duhet të punojnë shumë dhe fort për të fituar përsëri besimin e popullit. Një problem serioz ekziston me ato që Stephen Ualt i Universitetit të Harvardit i ka quajtur “elitat në pushtet, në shumë shoqëri liberale dhe sidomos në Shtetet e Bashkuara, ku paraja dhe interesa të veçanta kanë krijuar një klasë të korruptuar politike, e cila është larg kontaktit me njerëzit e zakonshëm, të interesuar kryesisht në pasurimin për veten e tyre, dhe të imunizuar nga përgjegjësitë”. Kjo duhet të marrë fund.
Demokracia duhet të ofrojë – jo vetëm për të pasurit, por edhe më të dobëtit. Ky është një mësim themelor i kohëve të fundit. Kur demokracia krijon pasuri në një shkallë të gjerë, nuk ka asnjë tension mes saj dhe kapitalizmit. Por, kur nuk ndodh kështu, vlera e demokracisë bëhet më pak e qartë për shumë njerëz. Ka tensione midis sovranitetit kombëtar demokratik, tregjeve të hapura globale dhe migrimit masiv. Përgjigja nuk është ndërtimi i mureve. Shoqëritë perëndimore duhet të krijojnë arsim, inovacion dhe mundësi për të gjithë. Bota jeton në një kohë me pasiguri të madhe.
Megjithatë, unë besoj në aftësinë ripërtëritëse të demokracisë liberale, në njeriun e vogël në dhomëzën e vogël. Greqia e di se ideja demokratike është kokëfortë. Teknologjia e ka hapur botën. Askush – a Vladimir Putini, as Xi Jinping, as Trampi – nuk mund të prishë ndërlidhësinë. Po kështu, askush nuk mund të eleminojë përgjithmonë dëshirën e njeriut për të qenë i lirë dhe për të jetuar, nën të vetmen formë qeverisjeje, e cila është në përputhje me këtë dëshirë – qeverinë përfaqësuese, të vendosur me pëlqimin e popullit.
Liberalizmi kërkon pranimin e dallimeve tona njerëzore dhe aftësinë për të ndërmjetësuar mes tyre, nëpërmjet institucioneve demokratike. Ai kërkon pranimin e të vërtetave të shumta, ndoshta të papajtueshme. Në një moshë të polarizimit dhe shpifjes, kjo mund të duket një aspiratë fisnike. Por, demokracitë kanë një zakon që ngrihen në nivelin e sfidave me të cilat përballen.
Demokracitë kanë nevojë të sfidohen, ndryshe nga diktaturat që u druhen sfidave të mëdha, sepse kjo mund t’i bëjë të lëkunden. Sfida në demokraci është gjithashtu rilindje.
Respektoni inteligjencën e votuesve. Herët a vonë ata vijnë në vete. Churchilli, natyrisht, u rizgjodh Kryeministër në vitin 1951. NYT – www.bota.al