Albspirit

Media/News/Publishing

Moda, si art i rikrijimit të vetvetes

Dizenjatorja e njohur Yllka Brada, nën përkujdesjen personale të së cilës janë këngëtarët Ledri Vula dhe Dren Abazi, por edhe zonja e parë e Kosovës, prezantoi koleksionin e saj të ri për vjeshtën 2016 të titulluar “Persona”.

Albatros Rexhaj

modaDuke ndjekur nga afër veshjet e koleksionit “Persona” të dizenjatores Yllka Brada, që u prezantua në një sfilatë dhe performancë atipike – në ambientet e një reparti pune të një shtypshkronje të vjetër të kohës së komunizmit që enkas për këtë event ishte transformuar në një pistë mode ku defiluan modelet e shkollës artistike Model MNG si dhe disa aktorë teatri e filmi që enkas për këtë natë u transformuan në modele –  në mendje më kalonte shprehja ikonë e asaj që përherë ishte në kundërshtim me të gjithë të tjerët, guximtares Tris nga trilogjia “Divergjentja”: “Do të gjej shprehi, mendime e rregulla të reja. Do të bëhem një diçka ndryshe!”

Të gjithë ne jemi një lloj viktime e të rëndomtës të vetëpërsëritshme, që fatkeqësisht sot përcakton ritmin e të gjitha hapave tanë në jetë, por, Yllka Brada beson në atë se njeriu mund ta rikrijojë vetveten. Dhe atë disa herë brenda një dite të vetme. Me koleksionin e saj “Persona”, Yllka na thotë se nëpërmjet veshjes njeriu mundet vërtet të gjejë shprehi, mendime e rregulla të reja për veten dhe mund ta përjetojë vetveten në një dritë tjetër, si një diçka ndryshe, pse jo edhe si diçka më tepër sesa percepsioni i rëndomtë që ka për vetveten. Nuk e kemi të vështirë ta kuptojmë se Yllka ka shumë të drejtë, sepse ndjenja kronike e monotonisë më së miri pasqyrohet nëpërmjet përtesës dhe mungesës së vullnetit që të ndryshojmë veshjet gjatë ditës.

Të gjithë e dimë se monotonia nënkupton një tip varfërie shpirtërore që ndjejmë, ndërkaq kjo varfëri më pas nxit një ndjesi apatie apo mungesë idesh e dëshire për të menduar për atë se çfarë mund të veshim, qoftë edhe për një shëtitje në bulevard. Me koleksionin e saj të ri, Yllka sugjeron se jo domosdoshmërisht duhet të jemi të ftuar në ndonjë ngjarje të rëndësishme në mënyrë që të kujdesemi për veshjen tonë. Dhe në psikologjinë e të gjithë kësaj ideje të Yllkës, qëndron besimi se duke u kujdesur për pamjen tonë të jashtme, ne ndikojmë edhe në mënyrën se si e ndjejmë dhe e përjetojmë veten tonë, pasi që të gjithë ne kemi nevojë urgjente që të bëjmë diçka në mënyrë për ta rritur dhe ushqyer ndjenjën e vetëvlerësimit pozitiv për veten. Kjo e fundit nënkupton pikërisht atë detaj kritik i vetë qenies sonë që edhe veshjes më ekstravagante ia shton apo ia humb vlerën.

Meqënëse “Persona” paraqet një lloj revolte kundër monotonisë dhe të rëndomtës sonë, nuk është për t’u habitur pse Yllka ka zgjedhur që të punojë veç me katër ngjyra: gri, bardhë, zi dhe blu. Këto katër ngjyra janë ngjyrat që më lehtësisht asociohen me monotoninë e të jetuarit, por në të njëjtën kohë janë edhe ngjyra themelore për vetë kuptimin e jetës. Ngjyra gri identifikohet me inteligjencën, por edhe me formalizmat në jetën tonë, prandaj Yllka e ka zgjedhur për veshjet e saj të parapara për ambiente pune. Gri më e lehtë për femrat dhe gri pak më e theksuar për meshkujt, në të dyja rastet sinonim për nevojën për vetësiguri e vetëvlerësim. Veshjet për kohë të lirë, ajo pjesa e pushimit pas punës, na vinë si ndërthurje e të bardhës me të  zezën, si sinonim i bashkëdyzimit të natyrshëm të mirëkuptimit, qetësisë, mirësisë, forcës, vitalitetit dhe dëshirave të brendshme. Ato po ashtu vinë edhe në ndërthurje të ndryshme me blunë, sinonim i lirisë dhe imagjinatës. Ndërkaq për veshjet e darkave të vona, takimeve romantike dhe festave elegante, Yllka ka zgjedhur ngjyrën e zezë si sinonim të misteriozitetit dhe pasionit të fshehtë.

moda-1Në përputhje me trendet globale të vitit 2016, por edhe brenda frymës së konceptit të saj kreativ, Yllka i shkrin vijat dalluese mes veshjeve për femra dhe meshkuj, duke krijuar hibride kreative që i japin një ndjesi më të ngrohtë krijimeve të saj. Po ashtu Yllka eksperimenton me volumin, por tregohet më e përmbajtur se një pjesë e madhe e kreatorëve të tjerë, si dhe po ashtu me shumë masë i përdor palat, rruazat dhe elementet e qëndisura, por edhe detaje nga ato që rëndom njihen si uniformë pune, që të gjitha këto elemente të trendeve globale të këtij viti, por të përdorura me një shije unike brenda idesë së saj. Konsideroj se edhe përdorimi i materialeve si lesh 100% nga brendi Marzoni, pastaj pëlhura 100%  kadife dhe mëndafsh ishin gjetje të qëlluara, sepse koleksionit i japin një shkëlqim të përmbajtur, diçka shumë komode për gjendje të ndryshme shpirtërore që mund të kemi. E veçanta e këtij koleksioni është se ajo bën një hap në të ardhmen duke funksionalizuar me shumë shije elementin “Wall street style”, të meshkujve dhe femrave afariste, që pretendohet të jetë një nga shtyllat kreative globale të pranverës dhe verës 2017.

Parë në tërësi, si veshjet e meshkujve dhe ato të femrave, vërtet lënë shijen se kanë dal nga dollapi i një personi të vetëm që është i apasionuar pas idesë që të duket bukur dhe këndshëm në çdo pjesë të ditës. Ky person ka vetëvleresimin e duhur që ta respektojë veten dhe të tregojë kujdes për dukjen, me të njëjtin pasion dhe përkushtim, në të gjitha pjesët e ditës. “Persona” e Yllka Bradës, ashtu siç e përjetova unë, është një manual për artin e rikrijimit të vetvetes, shprehur me gjuhën e veçantë dhe shumë të bukur të modës.

Si artiste, Yllka është një guximtare e vërtetë, e denjë për grupin e atyre pak artistëve që natyrshëm janë në kundërshti me të përgjumurit, prandaj, në fund të prezantimit të saj, në çastin kur modelet dhe Yllka po parakalonin për të fundit herë, duke u përshëndetur me publikun, si mesazh intim, pikë reflektimi krejtësisht personal, sikur dëgjoja një shprehje tjetër ikonë nga “Divergjentja”: kujt po i plas më për atë që të tjerët e vlerësojnë si e bukur, dua diçka që më dallon!

Dhe çfarë na bën të ndihemi të dalluar, qoftë edhe në mesin e turmave më të mëdha: ndjenja se imazhi ynë, veshjet dhe mënyra si dukemi, pasqyron faktin se vërtet po ndihemi mirë me veten.

(Autori është shkrimtar, ky shënim është krejtësisht personal)

Please follow and like us: