Albspirit

Media/News/Publishing

Konçensioni i dyshimtë/ Shpallet fituesi i parë i tenderit për riciklim mbetjesh në Fier

Edhe pse ka pak ditë që ligji për importin e plehrave u miratua, tashmë kemi fituesin e parë të konçensionit për riciklim mbetjesh urbane në Shqipëri. Është një bashkim operatorësh ndërmjet SHPK-së shqiptare ”Integrated Technology Services”, me administrator dhe ortak të vetëm Klodian Zoton dhe shoqërinë italiane ‘’Energy 2SRL’’, që kanë fituar garën për kontratën koncesionare,  për “Ndërtimin dhe Administrimin e Impiantit të Trajtimit të Mbetjeve Urbane” në qarkun Fier.

Por çuditërisht gara për këtë konçension ka nisur që në muajin korrik, ende pa u miratuar ligji për importin e plehrave. Kjo u denoncua sot edhe nga kreu i opozitës, Lulzim Basha gjatë një dalje para mediave.

Ndërkohë sipas organizatës “Open Data Albania”, tek Open Procurement Albania sapo është  bërë publik informacioni për bashkimin e operatorëve fitues të koncesionit ”Ndërtim dhe Administrim i Mbetjeve Urbane të Qarkut Fier për prodhim Energjie”, ku duket edhe objekti i kontratës.

Objekti i Kontratës është: Dhënia me koncesion e Ndërtimit dhe Administrimit të Impiantit të Trajtimit të Mbetjeve Urbane. Autoriteti Kontraktues, nëpërmjet kësaj kontrate dhe në përputhje me kushtet e saj, i jep Koncesionarit të drejtën për • Financimin, Projektimin, Ndërtimin dhe Vënien në Punë të Impiantit; • Administrimin; Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta Urbane jo te Rrezikshme; • Mirëmbajtjes se landfill-it; • Grumbullimit dhe përdorimit të mbetjeve për prodhimin e energjisë elektrike dhe • Transferimi ne fund te periudhës koncesionare të impiantit të incenerimit nga Koncesionari tek Autoriteti Kontraktues.

Rregullimi i marrëdhënieve mes Autoritetit Kontraktuese dhe koncesionarit lidhet me: • marrjen në dorëzim të terreneve mbi të cilat do të ngrihet impianti dhe transferimin në përfundim të koncesionit, tek Autoriteti Kontraktues; • kryerjen e punimeve për përgatitjen dhe vënien në siguri të zonës së kantierit për fazat e mëtejshme të realizimit të veprës; • realizimin e gjithë punimeve të nevojshme për depozitimin e mbetjeve jo te rrezikshme të ardhura nga të gjithë bashkitë që bëjnë pjesë në Qarkun e Fierit; • operimin e impiantit për 6 (gjashtë) vjet;

Vendndodhja e objektit të kontratës: Zona ku do të kryhet ndërtimi përfaqëson fundin e shpatit të fshatit Portëz. Ajo është me reliev të rrafshët me diferencë të vogël kuotash. Lartësia e vendit është variabël nga 55m në 75m mbi nivelin e detit. Kordinatat gjeografike janë: 40°41’55” Veri 19°34’09’’ Lindje.   Kontrata ka afat 6-vjeçar. Pasaportën e kontratës e gjeni tek Regjistri Koncesionar: Koncension Ndërtim dhe Administrim i Mbetjeve Urbane të Qarkut Fier për prodhim Energjie Pasaportën e kompanisë Shqiptare pjesë e bashkimit të operatorëve e gjeni tek: Open Corporate Albania Integrated Technology Services, po aty duke klikuar Transaksione keni të dhëna për pagesa nga institucione buxhetore drejt kësaj kompanie. Ku në vitin 2015 kjo kompani ka arkëtuar nga Ministria e Mjedisit 114 089 097 Lekë në 5 transaksione.

APP nuk ka njoftuar ende mbi numrin e operatorëve konkurrues në garë dhe sistemin e vlerësimit. Po njësoj APP nuk ka njoftuar ende cili është raporti i posedimit të drejtave të kontratës ndërmjet dy kompanive pjesë e bashkimit të operatorëve fitues.

Please follow and like us: