Albspirit

Media/News/Publishing

Përurohet në Bruklin shtatorja e shenjtores shqiptare, Nënë Tereza

3 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, përuroi në Bruklin shtatoren e bamirëses shqiptare me famë botërore Nënë Tereza, të shpallur shenjtore nga Papa Françesku disa javë më parë në Vatikan.

Në ditën e fundit të vizitës së tij zyrtare në Nju-Jork, Presidenti Nishani ishte i ftuar në Kishën e Saint Athanasiusit në Bruklin, ku mori pjesë në meshën e shenjtë duke falënderuar klerikët dhe veprimtarët shqiptarë, që kontribuan në ngritjen e shtatores për nismën e tyre fisnike dhe atdhetare si dhe më pas, në veprimtarinë kulturore të organizuar nga Imzot David Cassato dhe nga Shoqata “Rrënjët Shqiptare”.

Senatori Martin Goldenpasi vlerësoi Presidentin Nishani për përshkushtimin e vazhdueshëm në drejtim të përmirësimit të komunitetit, si dhe i dorëzoi Kreut të Shtetit shqiptar Rezolutën e Senatit të Nju-Jorkut të miratuar edhe nga Guvernatori Kuomo, e cila e shpall datën 4 Shtator si Ditën e Nënë Terezës në shtetin e Nju-Jorkut.

Presidenti Nishani në fjalën e tij tha se “sot dita është më e veçantë, dhe realisht ndihem jo vetëm i emocionuar, por dhe i privilegjuar, sepse jam mes miqsh të nderuar, mes vëllezërve dhe motrave të mia për një arsye që zemrën na e ngre peshë. Me ne sot është dhe Nëna jonë e dashur, e lumja Terezë, dhe të gjithë ne vetëm pak ditë më parë patëm fatin e papërsëritshëm në brezin tonë të përjetojmë shenjtërimin e Saj me një ceremoni historike që preku zemrat dhe u rrënjos përjetësisht në mendjet e gjithë botës”.4

“Jam i bindur që të gjithë ju dhe kushdo tjetër që banon në Bruklin, do të frymëzohet dhe marrë shembull nga jeta dhe vepra e kësaj Shenjtoreje shqiptare”, u shpreh Nishani.

Presidenti Nishani u shpreh se “Nënë Tereza është dhurata më e vyer që kombi shqiptar i ka falur dhe dhuruar me shumë bujari mbarë Njerëzimit”.

Më lejoni ta përfundoj fjalën time në cilësinë e Kreut të Shtetit duke shprehur mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan për mikpritjen që u kanë rezervuar shqiptarëve brez pas brezi. Ne jemi krenarë gjithashtu që jemi miq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Please follow and like us: