Albspirit

Media/News/Publishing

Blushi zbardh firmën për plehrat në 2004-ën: E mbani mend Veliajn kur qëllonte Finon me domate

Deputeti Ben Blushi ka shpjeguar firmën e tij në projekt-ligjin e vitit 2004 për plehrat. I ftuar në emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës ai u pyet për firmën e hedhur si ministër i Pushtetit Vendor në qeverinë Fatos Nanos 12 vjet më parë. Në atë kohë bëhej fjalë për ngritjen e një impianti në zonën e Kasharit, por arsyeja e dështimit të tij sipas Blushit nuk ishin protestat.

“Ai impiant për të cilin unë paskam firmosur, ku është? Dini gjë juve?” – pyeti Blushi duke shtuar: “Si mendon, nuk u bë se doli Erion Veliaj me fiq e me domate? Më kujtohet që Erion Veliaj dilte e i gjuante me domate Bashkim Finos, një koleg imi në vitin 2003-2004” – tha Blushi.

Sipas ish-ministrit arsyeja e dështimit të atij projekti nuk ka të bëjë me protestat, por me debatet brenda qeverisë së Fatos Nanos.

“Në atë kohë ka pasur një debat shumë të gjerë brenda qeverisë për shkak të ligjeve në fuqi për të dhënë një marrëveshje koncesionare për një kuotë importi të mbetjeve nga jashtë për tu djegur. Për shkak të mendimeve të ndryshme që kishim ne brenda qeverisë, ky ligj nuk u bë, ajo kontratë nuk u nënshkrua. Çfarë tregon kjo? Tregon thelbin e kësaj që po ndodh sot. Pra, brenda qeverisë kishte pikëpamje të ndryshme për një çështje. A mendon se kjo mund të ndodhë sot?” – tha Blushi duke e mbyllur:“Brenda asaj qeverie kishte kontradikta për atë akt dhe kjo është arsyeja që nuk u bë”.

Blushi e mbyll me një krahasim.

“Dëgjova kryeministrin që tha sot dhe dje, argumentet e tij janë qesharake, sigurisht. Tha: “Kemi hapur vetëm tre dogana për mbetjet”. E di si është kjo? Është njësoj sikur të kesh afër shtëpisë një fushë të ndotur dhe të ngushëllohesh se nuk i ke hapur të gjitha dritaret, por vetëm tre dhe era e keqe futet vetëm nga tre dritaret. Ky është një argument foshnjarak”.

Please follow and like us: