Hapja e dosjeve të Sigurimit te Shtetit
Komisioni i Ligjeve mban peng miratimin e pesë anëtarëve të Autoritetit të Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Shpëtojnë ish-sigurimsat e të angazhuarit në strukturat e diktaturës, mund të vazhdojnë të zgjidhen në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit 2017
Shqipëria do të ketë shumë shpejt Institutin e Kujtesës së Luftës së Dytë Botërore, luftës partizane, por ka pak gjasa të ketë institucionin e premtuar për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit që quhet, Autoriteti i Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Janë dy ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë. Ligji për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit është miratuar gati dy vite më parë por ende nuk është ngritur institucioni që duhet të zbatojë këtë ligj. Ndërsa ligji për ngritjen e Institutit të Kujtesës së Luftës së Dytë Botërore, është këto ditë në proces miratimi në Kuvend pasi është miratuar nga komisioni i Ligjeve. Ligji pritet të miratohet këtë të enjte në seancë plenare ndërsa burime pranë kuvendit i thanë 27.al se ndërkohë instituti është në përfundim të strukturimit, nën kujdesin e deputetes socilaiste Olta Xhaçka. Sipas burimeve, struktura nis të funskionojë menjëherë sapo të miratohet ligji. Është kaq e thjeshtë të ngrihet një strukturë e tillë dhe po kaq e vështirë të ngrihet një tjetër, e ngjashme për nga procedura. Komisioni i Ligjeve duhet të kishte përfunduar një vit e gjysmë më parë procesin e verifikimit dhe të votimit të pesë anëtarëve të Autoritetit të Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit. Por nuk
ka ndodhur. Kanë përfunduar seancat dëgjimore me anëtarët e këtij autoriteti, ndërkohë pesë anëtarët kanë kaluar edhe në procesin e Vetingut por ende nuk kanë kaluar në votim në komisionin e Ligjeve.
Anëtarët e Komisionit të Ligjeve nuk duan të përfshihen me këtë çështje dhe thonë se nuk e dinë arsyen e pengesave për miratimin e institucionit. Axhenda e ngjeshur e kryetarit të komisionit të ligjeve zotit Xhafaj me reformën në drejtësi paraqitet nën zë si një arsye e shtyrjes së ngritjes së institucionit të hapjes së dosjeve. Angazhimi me reformen ne drejtesi nuk e justifikon në asnjë mënyrë pengesën e ngritjes së këtij institucioni për hapjen e dosjeve sepse të tjera ligje shumë më pak të rëndësishme kanë kaluar. Ndërsa zoti Xhafaj apo deputetja Vasilika Hysi e angazhuar me kete proces, nuk kanë asnjë përgjigje. 27.al ka tentuar të komunikojë me ta për këtë çështje por edhe me sekretaren e përgjithshme të Parlamentit zonjën Albana Shtylla. Deri tani nuk ka asnjë përgjigje prej tyre.
Hapja e dosjeve si rrezik për politikën
Objekt i punës së Autoritetit të Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, është pikërisht pastrimi i radhëve të politikës dhe administratës shtetërore por edhe më gjerë, nga ish-funskionarët e ish bashkëpunëtorët e sigurimit të Shtetit. Ligji përjashton nga angazhimi në politikë edhe ata që kanë qënë të angazhuar në strukturat drejtuese të diktaturës. Është pikërisht objekti i këtij institucioni që me sa duket e pengon komisionin e Ligjeve ta miratojë procedurën me qëllim që të bëhet funskional Autoriteti i Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Nuk pritet shumë as nga ky komision pasi
ligji kufizon së tepërmi punën e tij. Kjo për shkak se një nen i ligjit të cilit detyrohet t’i bindet Autoriteti, përjashton nga hetimi ose hapja e dosjeve, persona që janë aktualisht në fusnskione drejtuese në politikë apo administratë shtetërore. Kjo varet vetëm nga vullneti i kryetarit të Partisë apo institucionit ku është angazhuar. E megjithatë, Komisioni i Ligjeve nuk e miraton strukturën e Autoritetit të Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit.
“Shqipëria duhet të përballet me të kaluarën siç bëri Gjermania”, i pati thënë ambasadori amerikan në Tiranë William Rajerson, udhëheqësit të fundit komunist, Ramiz Alia në vitin 1991. Këtë mesazh e përsëristi 25 vite më vonë ambasadori i parë amerikan, kur erdhi në Tiranë. Shqipëria ende nuk është përballur me të shkuarën e saj dhe është e desitinuar të vazhdojë të bëjë hapa mbrapa. Përballja me të shkuarën do të thotë hapje e dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe këtë nënkuptoi mesazhi i ambasadorit të parë amerikan në Tiranë. Por hapja e dosjeve të sigurimit ka mbetur “rastësisht” në fund të axhendës së kryetarit të komisionit të Ligjeve, Zotit Fatmir Xhafaj. Nuk dihet kur do ti vijë rradha. E sigurt është që Autoriteti i Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit nuk do të mund të veprojë para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2017. Kështu shpëtojnë edhe kësas here “rastësisht” të gjithë ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit apo të angazhuar në strukturat drejtuese të diktaturës komuniste. Mund të jenë edhe kësaj here pjesë e listave të kandidatëve për deputetë, në mandatin e ardhshëm parlamentar.