Ischinger: Siria, një turp për Evropën
Ish-ambasadori gjerman dhe kryetari i Konferencës së Sigurisë i Mynihut, Wolfgang Ischinger, akuzoi Evropën lidhur me dështimin për t’i dhënë zgjidhje konfliktit në Siri.
“Ajo që po ndodh në Siri është një turp për Evropën”, tha Ischinger në një intervistë me gazetën e përditshme gjermane “Handelsblatt”.
“Edhe pse ajo e ka të lehtë të tregojë me gisht Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët mbështesin anë të kundërta në luftën që filloi në vitin 2011, Evropa ka dështuar totalisht për të marrë përsipër përgjegjësinë e saj në lidhje me konfliktin”, u shpreh ish-ambasadori.
Ai shtoi se “Evropa tani duhet të përdorë stimuj politikë dhe financiare për të ndikuar në palët ndërluftuese në Siri”.
“Europa mund të premtojë miliarda dollarë për rindërtimin e Sirisë, në këmbim të ruajtjes së armëpushimit”, shtoi Ischinger, i cili kryeson eventin triditor që mbledh udhëheqësit e botës si dhe ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes në kryeqytetin bavarez.