“DE-KRIMINALIZIMI DHE REFORMA ZGJEDHORE”
INSTITUTI I STUDIMEVE POLITIKE, DHOMA ZGJEDHORE
Tiranë, 29.09.2016
Kuvendi i Shqipërisë më 17.12.2015 miratoi 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji i “de-kriminalizimit”.
- Qëllimi kryesor i ligjit ishte “të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to, apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen të krimeve”.
- Objektivi final është mbrojtja dhe garantimi i shtetit demokratik “nga ndikimi apo pjesëmarrja në politik-bërje dhe/ose vendimmarrje i personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve[1]”.
Burim i ligjit ishte problematika e konstatuar në zgjedhjet parlamentare 2013 dhe 2015, në të cilat u evidentuan raste të përfshirjes në kandidim dhe zgjedhje të individëve me të kaluar të inkriminuar.
Instituti i Studimeve Politike, në kuadër të Dhomës Zgjedhore, u investua në zgjedhjet lokale 2015 në hartimin e Zonave të Riskut, zona në të cilat kandiduan individë me të shkuar kriminale dhe ku shanset për incidente, konflikt dhe kontestimi ishin të mëdha. Fatkeqësisht, parashikimi i ISP doli i saktë për zonat e riskut dhe sidomos për faktin se të paktën 5 kryetarë bashkie u zgjodhën në post pavarësisht të shkuarës së tyre kriminale në të kaluarën.
Paketa kushtetuese mbi de-kriminalizimin (2015), si dhe Reforma Kushtetuese e realizuar në korrik 2016 e përfshijnë konceptin e de-kriminalizimit në të gjithë elementët zgjedhorë dhe promovues të organizimit të ri gjyqësor dhe të prokurorisë, si dhe për institucionet e reja kushtetuese. Partitë politike deklaruan vullnet politik për zbatimin e plotë dhe integral të ligjit të de-kriminalizimit, por një numër rastesh të veçuara, si dhe zgjedhjet e fundit të pjesshme në bashkinë Dibër, treguan kontrastin e thellë midis deklarimeve politike dhe zhvillimeve praktike në terrenin elektoral.
Rasti i parë kur paketa e de-kriminalizimit do të duhet të zbatohet e plotë dhe të prodhojë organe përfaqësuese të pastra, në aspektin ligjor, – janë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare 2017. Në muajin dhjetor 2016 do të duhet të shpallet me dekret data e zgjedhjeve, ndaj periudha 60 ditore deri në dhjetor mbetet afati i vetëm ligjor për ndryshime e përmirësime në Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin plotësues për Reformën Zgjedhore.
Komisioni i Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore deri tani është jo vetëm i vonuar, por edhe jofunksional dhe pa një program të qartë aktiviteti dhe ndërhyrjesh. Shtyrja e afatit ligjor të Komisionit pa arritur të realizojë asgjë në afatin e parë, është sinjal negativ dhe flet për pritshmëri të pakta në afatin e ri ligjor të tij.
Gjithsesi, është detyra dhe përgjegjësia jonë, si pjesë aktive e shoqërisë civile, të ofrojmë publikisht dhe zyrtarisht pranë Komisionit, sugjerimet tona lidhur me ndërhyrjet e mundshme përmirësuese në legjislacionin zgjedhor. Këtij qëllimi i shërben edhe tryeza e sotme mbi de-kriminalizimin dhe problematikat elektorale.
PËRVOJA ME DE-KRIMINALIZIMIN: Përpara viteve 2005-2007 nuk ka pasur pretendime dhe as informacione për përfshirjen e individëve të inkriminuar në politikë. Kjo ndodhte për dy arsye.
- Sepse vetë partitë ishin kundër dhe refuzuese ndaj prurjeve të tilla
- sepse elektorati ishte kundër dhe i refuzonte me votë.
Kjo përvojë domethënëse vlen për të kuptuar se sot, zgjidhja reale nuk është vetë ligji, por fryma e tij, – zgjidhja reale janë vullneti politik i partive dhe sjellja qytetare në zgjedhje. Refuzimi i kandidatëve të inkriminuar nga liderit politikë dhe ndërgjegjësimi qytetar për refuzim edhe në kutinë e votimit mbeten sfidë e politikës dhe shoqërisë. Zbatimi i ligjit të de-kriminalizimit mbetet detyrim, por nisur nga hendeku në nivelin e zbatimit të ligjeve në Shqipëri, ky synim mbetet një objektiv afatgjatë.
Aktiviteti organizohet nga Instituti i Studimeve Politike (www.isp.com.al), si dhe nga Qendra për Çështjet e informimit publik (www.infocip.org), në kuadër të Dhomës Zgjedhore, nismë e mbështetur financiarisht nga OSFA (www.osfa.al/tematika/reforma-zgjedhore).
Falënderim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetares znj. Lefteri Luzi, për mbështetjen e nismës dhe pjesëmarrjen aktive në debatet mbi të.
REZULTATET E “DEKRIMINALIZIMIT”: EFEKTET E PARA NOMINALE
Më hyrjen në fuqi të ligjit dhe ngritjen e strukturave përkatëse, një rol specifik në jetësimin e tij morën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Prokuroria e Përgjithshme.
- KQZ publikoi në faqen zyrtare deklarimet e të gjithë personave që kanë kandiduar në zgjedhjet 2015 dhe 2013. Numri i madh i deklarimeve dhe publikimi i tyre online rezultoi sukses për KQZ, por edhe paralajmërim se në rastin e zgjedhjeve 2017 dhe 2019, do të jetë teknikisht e pamundur publikimi ne afat i rreth i 6-7 mijë kandidatëve për deputetë dhe mbi 35 mijë kandidatëve për këshillat bashkiakë dhe bashkitë.
- Në përfundim të procesit të deklarimeve KQZ njoftoi zyrtarisht humbjen e mandatit për rreth 38 këshilltarë lokalë, një pjesë e të cilëve refuzuan plotësimin e formularit, një pjesë tjetër dhanë dorëheqje paraprake dhe një pjesë tjetër për shkak të përfshirjes në nenet e dekriminalizimit. Midis emrave që humbën mandatin bëjnë pjesë edhe disa emra, të cilët kanë qenë pjesë e akuzave dhe retorikës politike në zgjedhjet 2015, dhe ndaj të cilëve partitë politike respektive patën refuzuar akuzat dhe ofruan mbështetje maksimale.
- Në zbatim të ligjit të “dekrimninalizimit” Prokuroria e Përgjithshme më 1 qershor 2016 i kërkoi KQZ materialet paraprake të deklarimit të kryetarit të bashkisë Kavajë Elvis Roshi, kurse më 13 qershor Prokuroria regjistroi procedim penal ndaj tij. Ai akuzohet se nuk ka deklaruar dënimin e kryer prej tij më 1995 në Itali, nuk ka deklaruar dëbimin nga shteti italian dhe zviceran respektivisht 1995 dhe 1993, si dhe nuk ka deklaruar arrestimin dhe dëbimin e tij nga Zvicra më 1997[2]. Zoti Roshi u ndalua dhe më pas, me vendim të Gjykatës së Apelit prej datës 3.7.2016 ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Më 4 qershor Prokuroria njoftoi fillimin e hetimeve të thelluara mbi deklarimet e bëra nga kryetari i bashkisë Krujë, Artur Bushi. Gjithashtu Prokuroria njoftoi kërkesën për materiale “shtesë nga strukturat e specializuara” për vlerësim mbi vlefshmërinë e akuzave adresuar deputetit FN.
- Burime nga prokuroria konfirmojnë edhe praktikat verifikuese për 4 individë të tjerë të zgjedhur në pushtetin vendor dhe në parlament, praktika që kërkojnë kohë dhe bashkëpunim aktiv me vendet partnere ndërkombëtare.
- Për një numër akuzash (rreth 16) adresuar nga partitë politike ndaj deputetëve apo drejtuesve vendorë të palës tjetër, ende prokuroria nuk ka njoftim nëse ka nisur hetim apo nëse planifikon në të ardhmen ti trajtojë ato.
NDËRSHKOHEN NGA LIGJI, POR MBROHEN NGA PARTITË POLITIKE
Reforma e “dekriminalizimit” u iniciua kryesisht adresuar anëtarëve aktualë në parlament dhe drejtuesve në bashkitë e reja.
- Në parlament, disa deputetë përfunduan në gjyq për vepra të ndryshme penale, ku rastet më të njohura janë ato të deputetëve M.F. (nga PKD), T.D. dhe A.P. (nga PS). Një deputet tjetër (A.N nga PS) dha dorëheqje nga Kuvendi. Aktualisht vetëm një deputet është në burg (në pritje të ekstradimit), një tjetër deputet është në ndjekje të lirë, kurse të tjerët janë çliruar nga akuzat ligjore.
- Nga tri raste të tjera të ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese për të gjykuar papajtueshmërinë e mandatit të deputetit me aktivitetin e tyre ekonomik, në një rast u hoq mandati i deputetit, kurse në dy rastet e tjera u vendos mos-shqyrtimi i rasteve.
- Nga kryetarët e bashkive, kemi një rast flagrant kur kryetari i Bashkisë (E.R, Kavajë) është ndaluar, tani ndodhet në arrest shtëpie, ndërkohë që ka dhënë fillimisht dorëheqje, më pas është dorëhequr nga dorëheqja dhe aktualisht e ushtron aktivitetin e tij indirekt nga gjendja e arrestit.
- Një rast tjetër është në shqyrtim, kurse disa raste të kryetarëve të bashkive të dënuar brenda ose jashtë vendit, nuk janë ende objekt zyrtar hetimi dhe vlerësimi në raport me ligjin e de-kriminalizimit.
Në këtë bilanc minimal zyrtar, ka një tipar domethënës të partive politike:
- në asnjë nga rastet e mësipërme partitë politike respektive, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, nuk kanë deklaruar distancimin zyrtar nga individi, përkundrazi. Ato vijojnë tu ofrojnë atyre mbështetje maksimale publike, gjë që bie në kundërshtim me deklarimet e tyre për vullnet politik në jetësimin e procesit të dekriminalizimit.
- I njëjti vlerësim vlen edhe për LSI, PDIU dhe partitë e tjera, zyrtarë të të cilave janë arrestuar ose dënuar brenda kornizës së neneve penalizuese të de-kriminalizimit.
Partitë kryesore politike kanë njoftuar transferimin e parimeve të de-kriminalizimit edhe në dokumentet e tyre statusore dhe ngritjen e strukturave përkatëse verifikuese. Deri tani, asnjë parti nuk ka depozituar ndryshime të tilla në Gjykatën e faktit Tiranë (ku respektohen ndryshimet në legjislacion, si dhe asnjë strukturë partiake verifikuese nuk është mbledhur dhe as ka vepruar).
ZGJEDHJET E PJESSHME NË DIBËR nxorën në pah një fenomen të ri që lidhet me cilësinë e përfaqësimit dhe de-kriminalizimin.
- Partitë politike emëruan kandidatë për kryetarë bashkie individë me integritet të lartë dhe figura të respektuara, por në prapavijë, në stafet elektorale dhe në jetësimin e fushatës në bazë, partitë politike ftuan, organizuan, sponsorizuan dhe mbështetën individë me të shkruar kriminale.
- Disa prej këtyre individëve ishin edhe sponsorë kryesorë financiarë të fushatës, pjesë e komisionerëve dhe pjesë e grupeve monitoruese partiake në zgjedhje.
- Edhe pas disa të dhënave kritike që erdhën nga ISP, grupe të tjera monitoruese, media dhe vetë subjektet politike konkurruese, nuk pati asnjë hetim zyrtar mbi denoncimet dhe as deklarim distancues të partive politike ndaj praktikave të gabuara zgjedhore
- Ne vlerësojmë se koncepti i de-kriminalizimit nuk vlen vetëm për anën formale, – kandidatët, por edhe për atë substanciale, – stafet elektorale dhe integritetin e fushatës elektorale.
- Në rastin e Dibrës ky parim u shkel, dhe nëse nuk merr vëmendjen e duhur, rrezikon që i njëjti fenomen të përsëritet në përmasa shumë më të mëdha (në më shumë zona dhe nga më shumë se 1-2 parti politike) është në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017.
PROBLEMATIKA TË DE-KRIMINALIZIMIT & LIDHJA ME ZGJEDHJET
Në një vend me demokraci të brishtë si Shqipëria, raportet midis politikës përfaqësuese dhe grupeve informale, përfshirë edhe atyre që përbëjnë botën e krimit, kanë qenë dhe janë një kërcënim permanent.
- Një numër rastesh të njohjeve dhe lidhjeve të afërta midis grupeve kriminale dhe politikanëve me pushtet qendror e lokal janë evidentuar gjatë 2016 dhe raportuar në media. Disa prej individëve me të shkuar kriminale, falë lidhjeve politike, ia arritën të marrin poste ekzekutive dhe përfaqësuese.
- Vetë partitë kanë denoncuar 30-40 raste të implikimit të politikës me grupe kriminale dhe sponsorizim prej politikës të këtyre individëve në Tiranë, në Durrës, në Kavajë, në Shkodër, në Kurbin, në Sarandë, në Tepelenë, në Vlorë, në Peqin, në Delvinë, në Ersekë, në Fier, në Lezhë, në Kukës, në Librazhd, në Pogradec, në Kamez, në Malsinë e Madhe, në Berat, në Lushnje, në Burrel, etj. Rasti i emërimit në post drejtues dhe i mbrojtjes së dukshme politike e zyrtare të një biznesmeni në kërkim ndërkombëtar (K.B), është simbolikë e kësaj lidhje të fortë midis politikës dhe botës së krimit.
- Disa parti hapën portale online denoncimi, por ato nuk kanë bërë asnjëherë publike të dhënat që rezultuan nga kjo nismë. Në asnjë rast nuk pati hetim për zyrtarët që në kundërshtim me ligjin, kryen emërimet në postë politike apo ekzekutive për individë të inkriminuar.
REKOMANDIMET E ISP LIDHUR ME ‘DE-KRIMINALIZIMIN’
Rekomandimet e ISP lidhen vetëm me kuadrin ligjor mbi partitë dhe zgjedhjet dhe nuk kanë qëllim të gjithë legjislacionin dhe fushëveprimin e gjerë të ligjit mbi de-kriminalizimin. Rekomandimet do t’i adresohen në formë problematike dhe projekt aktesh konkrete, Komisionit të Reformës Zgjedhore në Kuvend.
- Në legjislacionin mbi partitë politike të përcaktohet detyrimi që partitë politike, në statutet e tyre të përfshijnë konceptin e de-kriminalizimit, si dhe në zgjedhjet për organet drejtuese në degë edhe në qendër, të aplikojnë testimin e kandidatëve të tyre me përcaktimet / kategorizimet e ligjit të de-kriminalizimit. Nëse partitë zgjedhin në struktura drejtuese individë me të shkuar kriminale, ato duhen trajtuar në të njëjtën formë si me rastin e kandidatëve zyrtarë në zgjedhje, me dallimin se në rastin e partive, ato duhen penalizuar me gjoba të larta financiare deri në humbjen e të drejtës për regjistrim në zgjedhje.
- Në legjislacionin mbi partitë politike dhe Kodin Zgjedhor, duhet përcaktuar detyrimi që partitë të mos pranojnë sponsorizim financiar nga individë me të shkuar kriminale, pra që emrat e individëve me të kaluar kriminale ose me aktivitet kriminal ekonomik, të përjashtohen nga e drejta e financimit / kontributit elektoral tek partitë dhe kandidatët në zgjedhje.
- Në legjislacionin mbi partitë dhe Kodin Zgjedhor të përcaktohen nene penalizuese e përjashtuese për individët me rekorde kriminale (objekt i de-kriminalizimit) për të marrë me qira ose blerë media vizive, audio ose të shkruara, me objekt përdorimin në fushatat elektorale.
- Përfshirja në Kodin Zgjedhor (neni 61) e dispozitës të nenit 12 të ligjit të de-krimianlzimit që lidhet me veprimet në lidhjes me zgjedhësit.
- Specifikimi më tej ne ligj i rasteve kur zgjedhësi është dënuar jashtë vendit
- nëse ky dënim vlen edhe për Shqipërinë (rasti i ekstradimeve, i marrëveshjeve midis dy vendeve për transferim, etj),
- rastet e pamundësisë së verifikimit (pjesa më e madhe e rasteve të dënimeve penale të shtetasve shqiptarë në botë nuk janë të njohura për shtetin shqiptar).
- Saktësimi i aplikimit të këtij kufizimi, si p.sh, rasti i zgjedhjeve Dibër nuk u aplikua.
- Përfshirja në Kodin Zgjedhor ( 63/3) të neneve specifike ligjit të de-kriminalizimit, që lidhen me kushtet për kandidim dhe për t’u zgjedhur në funksione publike.
- Në legjislacionin zgjedhor duhet të bëhet ndryshimi ligjor për përputhjen e afateve për regjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet për Kuvendin dhe Organet e Qeverisjes Vendore me afatet për verifikimin e integritetit.
- Në Kodin Zgjedhor, të rishikohet struktura e monitorimit në KQZ të procesit të deklarimeve/verifikimeve që burojnë nga ligji i de-kriminalizimit. Pamundësia teknike dhe e burimeve njerëzore për të kryer këtë proces brenda afatit ligjor dhe me cilësinë e duhur, duhet të jetë objekt debati në Komisionin e Reformës, dhe të ofrohet zgjidhje e qëndrueshme për të ardhmen.
- Legjislacioni duhet të trajtojë rastet e kandidimit në zgjedhje të pjesshme (rasti i Dibrës), periudha e kufizuar kohore nuk lejoi kohë për KQZ dhe organet e tjera të ligjit, për të kryer verifikimin teknik të kandidatëve. Në rastin e një kontestimi politik, ky element teknik mund të shndërrohet në burim krime politike.
- Legjislacioni duhet të trajtojë rastet e zëvendësimit të mandateve të deputetëve në parlament, të ministrave në qeveri dhe të këshilltarëve në këshillat bashkiakë: debati mbi natyrën e verifikimit, afatet e verifikimit, rastet e mungesës së përgjigjes nga institucionet etj.
- Legjislacioni duhet të sqarojë, nëse vetë-deklarimi i plotë i të dhënave duhet të bëhet në çdo zgjedhje, një herë të vetme apo duhet ndjekur praktika e ILDKP vetëm për ndryshimet e reja vjetore.
- Legjislacioni duhet të bëjë sqarime, p.sh, të kontradiktës, se ligji për de-kriminalizimin njeh si organ verifikues vetëm KQZ, kur kandidatët lokalë sipas Kodit Zgjedhor nuk regjistrohen në KQZ, por në KZAZ. Ndërhyrja duhet të sqarojë përgjegjësinë dhe afatet.
- Legjislacioni duhet të krijojë përputhshmëri të plotë midis kërkesave të ligjit të de-kriminalizimit dhe përmbajtjes së formularit të deklarimit, pasi aktualisht ky i fundit, ka elementë shumë më tepër sesa kërkon ligji. Në rast të procedurave ankimore kjo përbën një objekt të debatueshëm ligjor.
- Legjislacioni duhet të sqarojë rastet e pasaktësive në të dhëna dytësore, si p.sh, adresën e banimit rreth 20-30 vjet më parë në një vend të huaj, ose datat e sakta të lëvizjes në vite jashtë vendit, – duke specifikuar nëse detaje të tilla përbëjnë objekt penalizmi ose nëse faza e verifikimit lejon përcaktimin e saktë të tyre.
- Legjislacioni mbi de-kriminalizimin ka vetë nevojë për ndërhyrje në specifikime të veçanta: p.sh:
- për ndarje të qarta të kompetencave verifikuese midis KQZ, prokurorisë dhe enteve të tjera të përfshira/përgjegjëse;
- për unifikimin e praktikave të verifikimit/deklarimit si për KQZ (mbledhje të hapura) ashtu edhe për organet e tjera;
- për krijimin e një manuali të saktë dhe unifikues për interpretimin e saktë të veprave penale të përcaktuara nga ligji i de-kriminalizimit, në mënyrë që çdo institucion verifikues të bëjë të njëjtat interpretime për të njëjtat vepra penale
- për sqarimin e konceptit “analiza e formularit duhet të bëhet fillimisht nga institucioni”, p.sh, KQZ. Kemi të bëjmë me analizë teknike, formale apo të detajuar/përmbajtjesore?!
- Nevoja për praktika unike për rastet e detyrimit ligjor mbi deklarimet.
- kur individi ndodhet në pamundësi deklarimi brenda afatit ligjor (arsye shëndetësore, udhëtim jashtë vendit, etj),
- kur kemi pamundësi deklarimi nominal të individit (për Presidentin dhe zyrtarë të lartë),
- kur kemi pamundësi të tjera subjektive (gabimi ose vonesa nga shërbimi i postës, defekti në deklarimet elektronike, dërgimi i deklarimit në një institucion tjetër nga i duhuri, por edhe ai me kompetencë verifikimi, etj.
- sqarimi a përbën periudha e postimit të të dhënave nga individi tek institucioni periudhë të vlefshme deklarimi, apo merret për bazë data e pranimit të materialeve?
- sqarimi a mund të ushtrohet kjo përgjegjësi indirekt me delegim (avokat, noter, subjekt juridik, subjekt politik)?
- Lidhur me publikimin e formularëve të vetëdeklarimit në faqen e internetit në pikën 3 të Kreut VI të vendimit thuhet “Publikimi është i detyrueshëm nëse kërkohet nga një subjekt i interesuar”.
Legjislacioni duhet të specifikojë cilët konsiderohen subjekte të interesuara: partitë politike, media e ndryshme, kolegët, institucioni, prokuroria, shoqëria civile monitoruese, misionet ndërkombëtare, organet e posaçme….?
- Sqarimi, a mund të ketë kufizime dhe cili institucion mund ta bëjë këtë interpretim?
- Ligji mund të saktësonte të drejtën e institucionit kryesor (p.sh, KQZ) për një rregullore model ku përfshihet kjo çështje.
- Lidhur me rastet, kur ligji përcakton detyrimin të kërkohet informacion pranë zyrës së gjendjes gjyqësore dhe zyrës së gjendjes civile, kërkohen specifikime, p.sh;
- cili duhet të jetë objekt kërkimi?
- Karta e Identitetit si dokument ligjor a kryen edhe funksionin identifikues të gjendjes civile?
- Krijimi i një database funksionale dhe arkivore me të gjitha të dhënat e deklarimeve në kuadër të ligjit të de-kriminalizimit. Sqarimi ligjor:
- A përbën kjo një masë me mundësi abuzuese nga institucionet në të ardhmen, sidomos në rastin e fushatave elektorale?
- A mund të ketë devijim të të dhënave në procesin e hedhjes së tyre online ose në sisteme të përpunuara, për shkak të programeve të ndryshme që përdoren?
- A përbën zgjidhje afatgjatë përdorimi i sistemit me skaner optik për marrjen e informacioneve origjinale sipas deklarimeve origjinale?
MBI INSTITUTIN E STUDIMEVE POLITIKE
Instituti i Studimeve Politike (www.isp.com.al) është një organizatë e shoqërisë civile që vepron në fushën e demokratizimit dhe shtetit të së drejtës.
ISP është e fokusuar në monitorimin e institucioneve demokratike, si dhe në hartimin e raporteve / analizave profesionale mbi problematika specifike politike me interes për qytetarët, shoqërinë dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në kuadrin e zgjedhjeve ISP është pjesë e projektit të Dhomës Zgjedhore dhe ka krijuar një database unik, me të dhëna mbi partitë politike, zgjedhjet, dokumentet statusore e programore, me modele të funksionimit dhe problematika të aktivitetit të tyre.
ISP në fokusin e saj përfshin edhe studimin e të kaluarës komuniste në kuadrin e kujtesës kombëtare.
ISP prej vitit 2014 monitoron zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit nga autoritetet publike qendrore dhe vendore duke i testuar, provuar dhe ushtruar presion pozitiv në bashkëpunim me grupet e interesit.
PROJEKTET MË TË RËNDËSISHME REALIZUAR NGA ISP 2015-2016
- Database politike.al mbi partitë politike, zgjedhjet, organizimin dhe aktivitetin e tyre, 2016
- Monitorimi i aktivitetit parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë, Tiranë 2016.
- Monitorimin e demokracisë së brendshme në partitë politike shqiptare, 2015-2016
- Monitorimi i përfaqësimit të grave në zgjedhjet lokale 2015, UN Women
- Monitorimin e ligjit mbi të drejtën e informimit, bashkia Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, 2016
- Projekti online muzeuimemories.info Shqipëria në periudhën komuniste, 2014-2015
- Database http://pushtetivendor.com mbi organizimin e pushtetit vendor ne Shqipëri, 2015
- Monitorimin e ligjit mbi të drejtën e informimit, Gjykata Administrative Tiranë 2014-2015
- Asistencë online për të drejtën e informimit, informohem.al
- Fushata sensibiluese “Pse voton!?”, me US Embassy, 2015.
- Projekti online http://luginaeqendreses.al/ rast ilustrimi, burgu i Spaçit, periudha komuniste. 2016
[1] Neni 1, Ligji 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, 17.12.2015.
[2]http://ëëë.pp.gov.al/ëeb/Ligji_per_Dekriminalizimin_Arrest_ne_burg_kryetarit_te_Bashkise_Kavaje_Elvis_Rroshi_971_1.php#.V-QOLIh961s