Albspirit

Media/News/Publishing

Eksperienca politike e Hillary Clintonit

Nëse kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton, do t’i fitonte zgjedhjet e nëntorit, a do të vepronte ajo më tepër si në kohën kur ishte Zonjë e Parë, kur bashkëshorti i saj Bill Clinton ishte president, apo si në periudhën kur ishte senatore e Nju Jorkut në vitet 2001 deri 2009?

Nëse do të zgjidhej, zonja Clinton sjell një eksperiencë të madhe politike, përfshirë atë të sekretares së shtetit gjatë mandatit të parë të Presidentit Obama. Kjo eksperiencë ka për të ndikuar tek mënyra e saj e drejtimit, si dhe tek mënyra se si ajo perceptohet nga publiku amerikan.

“Nëse si Presidente, Clinton do të sillej më tepër si në periudhën kur ishte Zonjë e Parë, kjo ka për të qenë problematike për të. Nëse ajo do të sillej më tepër si në kohënkur ishte senatore, ajo do të jetë më e suksesshme,” – thotë John Hudak, ekspert për qeverisjen në Institutin Brookings.

Hillary Clinton si Zonjë e Parë

Hillary Clinton zgjodhi të ishte një Zonjë e Parë më aktive se sa shumë nga paraardhëset e saj; ajo u mor me çështje që lidheshin me politikat, si psh ajo e reformës së shërbimit shëndetësor. Por projektligji i saj prej 1 mijë faqesh nuk u miratua në Kongres në vitin 1993 dhe kjo u bë shkas për kritika, si për kompleksitetin e tij, edhe për rolin e saj si bashkëshortja e Presidentit, në hartimin e tij. Mbështetja për zonjën Clinton pas dështimit të ligjit ra thuajse 20 pikë.

Por mbështetja u kthye në vitin 1998, kur zonja Clinton mbrojti me forcë të shoqin gjatë skandalit lidhur me marrëdhënien e tij me Monica Lewinsky-in.

“Hillary Clinton ka patur gjithmonë prirjen për t’i parë me dyshim mediat, ajo ka qenë gjithmonë luftarake dhe kjo karakteristikë e saj bie në kundërshtim me imazhin publik që i pëlqen asaj të paraqesë.”- thotë Michael Isikoff, gazetari që zbuloi i pari lajmin për çështjen e Lewinsky-it.

Isikoff thotë se Clinton edhe tani ruhet shumë nga shtypi.

“Ndërsa ajo jep intervista televizive”- thotë gazetari, “ajo nuk jep konferenca shtypi, ku gazetarët mund ta pyesin atë për gjithshka që duan dhe ta ngacmojnë me pyetje për të cilat ajo nuk do të shpenzojë kohë që t’i përgjigjet.”

Ky hezitim i saj për të folur me median, i kombinuar me dobësinë e vetë-deklaruar si politikane, mund t’i japin zonjës Clinton imazhin e një kandidateje të dobët.

Por për Hillary Clintonin, është e rëndësishme të kujtojë se angazhimi në fushatë nuk është njëlloj si qeverisja, thotë Indira Lakshmanan, gazetare për botimin “Politico”, e cila mbuloi fushatën presidenciale të zonjës Clinton të vitit 2008, si dhe periudhën kur ajo ishte sekretare shteti.

“Ajo i paraqet më mirë aftësitë kur është në post dhe këtë mund ta shohësh edhe me mënyrën se si ajo sillet. Ajo ishte më e qetë me ekipin e vartësve të saj dhe me shtypin kur ishte në postin e sekretares së shtetit”, thotë Lakshmanan.

Hillary Clinton si senatore

Nëse zgjidhet si presidentja e parë grua në Shtetet e Bashkuara, Hillary Clinton pritet ta vazhdojë punën e paraardhësit të saj, presidentit të parë afrikano-amerikan.

“Ne e dimë që ajo ka prirjen që t’i trajtojë çështjet me vendosmëri. Ajo është më tepër një demokrate e rrymës realiste, që preferon praktikat tradicionale të periudhës së Luftës së Ftohtë. Por unë mendoj se ajo ka për t’i dyfishuar përpjekjet për sukses për kujdesin shëndetësor dhe ndoshta ka për t’i kushtuar më tepër vëmendje politikave të ndërhyrjes për arsye humanitare në politikën e jashtme, se sa është marrë administrata Obama”, thotë analistja Lakshmanan.

Një ndryshim i rëndësishëm midis zonjës Clinton dhe zotit Obama mund të jetë tek qëndrimi i tyre ndaj Kongresit. Presidenti Obama nuk u dallua për aftësinë për të ndërtuar ura komunikimi me ligjvënësit në Capitol Hill, por eksperienca e zonjës Clinton në Senat mund të jetë e vlefshme, kur ajo të formulojë axhendën e politikave që do të ndjekë në 100 ditët e saj të para, nëse zgjidhet presidente.

Nëse Kongresi kontrollohet nga republikanët, zonjës Clinton do t’i duhet t’i verë veton përpjekjeve legjislative të republikanëve për të anuluar reformën Obamacare në kujdesin shëndetësor. Asaj do t’i duhet të merret me të gjitha çështjet që është marrë presidenti Obama në Kongres.”- thotë eksperti Hudak, i Institutit Brookings.

Zonja Clinton mund të shfrytëzojë pragmatizmin e saj në sfidat që do të kishte me republikanët në Kongres; ajo ka për të përdorur mënyra paqësore më bashkëpunuese në trajtimin e disa çështjeve, duke thënë psh: “Unë nuk do të përpiqem për një reformë të thellë taksash, apo për zgjerimin e reformës në kujdesin shëndetësor, apo diçka tjetër që ju e urreni. Unë dua zgjidhjen praktike të çështjeve dhe për këtë dua të më ndihmoni”, – mendon zoti Hudak.

Hillary Clinton do të bënte mirë të kujtonte dhe të vepronte si në kohën kur ishte senatore, kur ajo u përpoq dhe punoi shumë, duke hyrë në detaje ekspertësh, për të arritur miratimin e ligjeve që kërkonin mbështetjen e të dyja partive”, – thotë analistja Lakshmanan.

Mësimet e nxjerra nga përvojat e mëparshme politike

Për të drejtuar një administratë të efektshme, Hillary Clinton po ashtu do të duhet të zbatojë mësimet e nxjerra nga gara e parë presidenciale dhe nga periudha si sekretare shteti.

“Ne pamë në vitin 2008, si edhe kur ajo ishte në Departamentit e Shtetit, paaftësi nga ana e saj në drejtimin e një operacioni të madh të shekullit të 21-të,” thotë Ron Fournier, gazetar për politikat i revistës “National Journal.” “Argumenti më i mirë që ajo ka për çështjen e emaileve është: ‘nuk i dinim rregullat’ por ky nuk është justifikim i mirë,”– thotë ai.

Fournier po ashtu përmend çështjen shumë të përfolur, të sulmit në konsullatën amerikane në Bengazi, duke thënë se debati për këtë çështje, qoftë edhe i parë nga një këndvështrim favorizues për zonjën Clinton, përsëri ngre pikëpyetje lidhur me besueshmërinë dhe stilin e saj të menaxhimit.

Gazetari Ron Fournier, i cili njihet me zonjën Clinton që në vitet 1980, kur ajo jetonte në Arkansas, thotë se në planin personal ai e njeh atë si një njeri të mirë që i do njerëzit dhe se admiron mënyrën se si ajo i trajton problemet:

“Ajo ka mënyrën e të menduarit të një juristi: Na duhet të bëjmë këtë gjë. Ta bëjmë. Ta analizojmë me kujdes, ta çojmë deri në fund”, – thotë Fournier.

Please follow and like us: