Albspirit

Media/News/Publishing

Miq të Shqipërisë, apo miq të pushtetit?

Res publica

Ç’do të thotë që miqtë ndërkombëtarë e ndihmojnë Shqipërinë? Përgjigja më e thjeshtuar është që si vende me tjetër kulturë demokratike dhe kushtetuese, me tjetër zhvillim dhe fuqi, këta miq asistojnë vendin tonë me projekte, ndihma financiare, me ristrukturim legjislacioni dhe me monitorim. Pjesën tjetër duhet që ta bëjmë vetë ne. Ky është njësoj si ai muhabeti i mikut që të gjen punë me ndonjë ndërhyrje:  Miku bën të vetën, pra ndërhyn, kurse i interesuari duhet të dëshmohet që di të përballet me sfidat e punës. Ndryshe ose bën për atë punë, ose nuk bën.

Ndihma e miqve perëndimorë të vendit tonë është shumë e madhe: ajo zë fill që me hapjen e Shqipërisë, ecën më tej me tranzicionin e viteve të para, vazhdon me krizën e vitit 1997, me Kushtetutën e parë, me presionin pozitiv në përmbushje të stabilitetit dhe mbi të gjitha me garancitë për zgjedhjet.

Këto janë aspekte pozitive por të cilat kanë prodhuar gjithsesi një stanjacion të dëmshëm në vendimmarrje dhe një boshllëk në përfaqësim real të tillë që po mbushet nga aktorë ndërkombëtarë në Tiranë. Ndihma për natyrë është jo permanente, ajo plotëson defiçencat e funksionimit të sistemit; ndihma mund të jetë referencë dhe njëfarë garancie, por ajo nuk zëvendëson asnjëherë instrumentet kushtetues. Pasi jemi koshientë se asistenca që po na jep Perëndimi ka një qëllim të shpallur: krijimin e një demokracie funksionale në Shqipëri.

Nga kjo pikëpamje edhe “miqtë e Shqipërisë”, që janë këtu për axhenda që burojnë ngë kryeqytetet e tyre, prej kohësh tashmë po tejkalojnë tagrin e përfaqësimit si diplomatë, për t’u atashuar fare normalisht si pol pushteti. Këtë për mjerimin tonë e kemi pranuar pa asnjë farë rezistence dhe me një përulje që përligjet moralisht vetëm kur sheh sesa shumë votohen njerëzit me precedentë penalë, apo një parti si ajo e Ilir Metës.

Përtej kësaj, ndihma e miqve strategjikë të Shqipërisë, duhet sqaruar mirë sa kohë qëndrime të emisarëve të tyre diploamtike sfidojnë vetë investimin e tyre ndër vite, qëllimin final të sipërcituar dhe mbi të gjitha kur godasin edhe atë proces të natyrshëm të kristalizimit të opozitës konstruktive.

Ka dy raste që sillen këto ditë nga media të ndryshme, të cilat deri më dje çirreshin kundër Arvizusë që quajti Sali Berishën “burrë shteti”, apo ndaj kreut të OSBE-së, Wolfarth për një lloj heshtjeje konsensusi ndaj qeverisë së PD-së. Dhe këto dy raste po amplifikojnë apelin absurd që i bëhet PD-së për ankimimin në Gjykatë Kushtetuese të ligjit të vettingut, që është një e drejtë e patjetërsueshme dhe në zbatim të Kushtetutës.

I pari është qëndrimi i ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili lejoi që apeli i tij për PD-në të interpretohej si thirrje që kjo e fundit të mos e çojë në Gjykatë vettingun.

I kemi thënë udhëheqjes së PD-së se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë, tek të cilët kanë ndikim politik”, tha Lu. PD-ja vazhdoi duke përgatitur ankimimin diçka që përballë kësaj që thotë Lu humbet vlerën e një përpjekjeje të “Berishës për t’u mbrojtur nga reforma shqiptaro –amerikane”, siç thotë ndonjë zhurmues, për t’u rikualifikuar si e drejtë që duhet  mbështetur dhe mbrojtur.

Por Lu është një diplomat që ka hapur tanimë kartat dhe flet në mbështetje të pushtetit aktual, ose më saktë: disa qëndrime të tij e orientojnë perceptimin drejt interesit të qeverisë.

Çudia për këtë lloj rreshtimi vazhdon sot me intervistimin e një ish-zyrtari të BE-së nga Vizion Plus.

Unë nuk ndjek në detaje ecurinë e politikës shqiptare, por ka diçka që unë nuk e kuptoj, nëse Kushtetuta është ndryshuar për të lejuar reformën në sistemin gjyqësor, përse këtë ligj, i cili është pjesë e kësaj reforme, ta apelosh në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur ish-Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorin e Zgjerimit në KE Pierre Mirel. Mund të pyesim: ku qëndron interesi gazetaresk për atë që mendon Mirel për këtë çështje? Dhe më tej: A do guxonte Mirel ta thoshte këtë në Francë për ndonjë iniciativë që mund të merret nga qyetarë apo parti?

Është e qartë se kjo është një lojë të cilën e çoi në apogjeun e komikes Sali Berisha kryeministër. Lloj lloj zyrtarësh të BE-së që shpreheshin pro, flisnin me gjuhën e Ezopit, apo që talleshin me opozitarizmin alogjik të Edi Ramës që ngrinte kauza që nuk i argumentonte dot, në thelb i bënin dëm situatës dhe vendit.  Sot luhet e njëjta muzikë: meqenëse qeveria është nevojtare që të bëjë disa akte “heroike” me mjetet e reja kushtetuese dhe ligjore, thirren në ndihmë deklarime të tilla që shiten si “presion ndaj opozitës” se kështu na u cenoka integrimi.

Këtë politikë margarine mund ta hanim në vitin ’90, atëherë kur ishin të rrallë ata që kishin refleksione. Sot është tjetër kohë. Pasi sado primitivë të jemi dëshmuar ne, një farë evolucioni është arritur. Dhe është jo pak që loja e PD-së me reformën në drejtësi po mbyllet brenda hapësirave kushtetuese: pra politika e saj në këtë drejtim po detyrohet të adoptohet me fushëveprimin ligjor e kushtetues. Kjo është arritje, qoftë edhe në krahasim me politikat e histerisë kolektive të grevave të urisë në mes të bulevardit, pa konsumuar më parë të drejtat që t’i njeh ligji dhe Kushtetuta. Duke bërë shurdhin dhe autikun në emër të parimeve që instrumentalizohen për qëllime të protestave.

Ankimimi i PD-së është politikë legjitime, e drejtë dhe përmasë e duhur opozitare. Aq më tepër kur pamë sesi ndryshimet kushtetuese ishin bitisur nga duar që prodhuan kaos për zbatimin e tyre për Këshillin e Lartë të Emërimeve. T’i thuash sot opozitës mos ndiq të drejtat e tua pse cenohet integrimi, është një thirrje nihiliste që provon hallin e qeverisë, por edhe që u thotë shqiparëve: mos mendoni, se cenohet integrimi. Kjo nuk është ndihmë. Është tjetër gjë. Të gjithë e kuptojmë se çfarë.

 

Please follow and like us: