25 vjetori i rihapjes së ambasadës së SHBA, Nishani vlerëson ambasadorin Hill
Me rastin e 25-vjetorit të rihapjes së Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka vlerësuar diplomatin e parë amerikan, rezident në vendin tonë, Christopher R. Hill me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”për kontributin e dhënë .
Kreu i Shtetit çmoi Ambasadorin Christopher R. Hill me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të rëndësishëm që ky mik i çmuar i shqiptarëve ka dhënë në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë fjalës së tij Presidenti Nishani ka vlerësuar rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetje të Shqipërisë.
Presidenti Bujar Nishani: Të gjitha këto arritje dhe fitore të Shqipërisë, vendit të fundit të Evropës që u çlirua nga Perdja e Hekurt, u bënë të mundura dhe realitet edhe në saje të ndihmës dhe mbështetjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara dhe popullit mik amerikan. Dhe tashmë Shqipëria e gjen veten një aleate besnike e Amerikës, pjesëtare kontribuuese në koalicionin e madh ndërkombëtar që lufton terrorizmin dhe ekstremizmin e që përpiqet preshtuar në përhapjen, mbrojtjen dhe lartësimin e vlerave dhe të parimeve të lirisë e demokracisë anembanë rruzullit.
Ambasadori Christopher R. Hill falënderoi Kreun e Shtetit për dekoratën dhe tha se gjatë këtij rikthimi në vendin tonë ndihej pozitiv e i nderuar, duke qenë se përparimi dhe gjithçka që ka arritur Shqipëria gjatë këtij çerek shekulli i ngjan një projekti të madh ndërtimi mbresëlënës, por ende i papërfunduar. Në ceremoni morën pjesë personaliteteve të rëndësishme të politikës shqiptare në këto 25 vite.