Kompleksi monumental i vëllezërve Gërvalla, shtëpi-muze
-Vepra e vëllezërve Gërvalla pjesë e rëndësishme e historisë së re të Kosovës/
PRISHTINË, Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Me rastin e 71 vjetorit të lindjes së Jusuf Gërvallës, në vendlindjen e tij, në Dubovik të Deçanit, te Shtunen pasdite, me 1 tetor 2016, u mbajt ceremonia përuruese e punimeve të përfunduara në kompleksin monumental të vëllezërve Bardhosh e Jusuf Gërvalla, vepra e të cilëve u vlerësua pjesë e rëndësishme e historisë së re të Kosovës. Po ashtu, u rihap edhe oda e Nënës Ajshe, pas ristaurimit të kësaj vatre.
Në këtë ceremoni morën pjesë ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryetarët e Deçanit dhe Pejës, Rasim Selmanaj, respektivisht Gazmend Muhaxheri, dhe personalitete të shumta nga Kosova e Shqipëria.
Ministri Shala u shpreh se sot po kujtojmë kolosë të vërtetë të historisë së re të Kosovës, te shtëpia ku u rritën vëllezërit Gërvalla dhe se është i lumtur që shëtpia e cila rriti e ushqeu dy burra të mëdhenj me ideale të larta atdhetare e kulturore, Kullën e Bardhosh e Jusuf Gërvallës, dhe odën e Nënës Ajshe po e inaugurojnë pas restaurimit.
“Kjo punë modeste, është dëshmi se Institucionet e Kosovës e vlerësojnë veprën e madhe të Vëllezërve Gërvalla dhe ato janë të përkushtuara për të ruajtur dhe kultivuar këtë pjesë të rëndësishme të historisë së re të Kosovës”, tha ministri Shala, duke shtuar se tani vizitorët e interesuar do të kenë mundësinë që për së afërmi të njihen me vlerat që përfaqësonin vëllezërit Gërvalla.“Ata u sakrifikuan për lirinë tonë, ndërsa ne sot, po e kujtojmë veprën e tyre me pietet e nderim, duke e përjetësuar dhe bërë pjesë të trashëgimisë kulturore e historike të Kosovës: të identitetit të saj modern”, tha ministri.
Ndërsa në cilësinë e mikpritësit, kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, theksoi se ndjehet jashtëzakonisht i lumtur që po e përurojnë restaurimin e kompleksit të vëllezërve Gërvalla dhe odën e Nënës Ajshe në një ditë të shënuar siç është ditëlindja e atdhetarit Jusuf Gërvalla.
“Është një nder për ne si komunë, por edhe për Kosovën që i kujtojmë vepra si ajo e vëllezërve Gërvalla, dhe këtë ua lëmë pas bijave e niparve si shembull i guximit e trimërisë, kulturës dhe të dashurisë që kishin dy vëllezërit”, tha Selmanaj. Në emër të familjarëve, të pranishmëve u foli dhe i përshëndeti bashkëshortja e Jusufit, Suzana Gërvalla. Ajo kujtoi lidhjen e pandashme që kishte Jusufi me vendlindjen, Dubovikun, e cila s’mund të përjashtohet nga veprimtaria e Jusufit si dhe dashurinë që kishte ai për Nënën Ajshe. Gjithashtu, ajo falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e projektit restaurues të kompleksit monumental, veçanërisht ministrin e Kulturës, Kujtim Shalën e kryetarin e Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj.
Ministria ka investuar rreth 50 mijë euro në kuadër të projektit të restaurimit të tërësishëm të kompleksit të vëllezërve Gërvalla. Vitin e ardhshëm parashihet që ky kompleks të shndërrohet në shtëpi-muze, e që vizitorëve të interesuar do t’u mundësohet të mësojnë më shumë për vëllezërit Gërvalla.
Në prag të festës së 28 Nëntorit 2010, atëherë Presidenti në detyrë i Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka dekoruar personalitete të njohura të kombit shqiptar, mes të cilëve me Urdhrin Hero i Kosovës Jusuf e Bardhosh Gervallën dhe Kadri Zekën, të vrarë në 17 Janar 1982 nga regjimi ish-jugosllav.