Lokja ime, bereta e zezë, plisi, kufiri …
Bota e fëmijërisë sime ka qenë e thjeshtë. Kishte vetëm shqiptarë dhe serbë. Serbë kishte shumë. Sot, serbë ka më pak por bota është komplikuar më shumë. (Pos shqiptarëve dhe serbëve janë lajmëruar edhe do tjerë).
Bota e lokës sime ishte poashtu e thjeshtë në përbërje por shumë më e rrezikshme se e imja. Ajo e ndante botën në: Na dhe Ata që në fakt, sipas saj, ndarja përfshinte ‘shiptart me shkije’. Sipas lokes, Ata nuk kishin asgjë të përbashkët me Ne. Ata as nuk flisnin, as nuk visheshin, as nuk dukeshin, as nuk silleshin, as nuk qanin e qeshnin e as nuk hanin e pinin sikur Na. Bota, sipas definicionit të lokes, më dukej shumë e rëndë dhe impononte segregim.
Lokja ishte e sigurt që ‘dynjaja shpejt ka mu ba hashërr-neshërr’. Kur e pyesja për domethënien e ‘hashërr-neshërr’ ajo përgjigjej:’ përzihemi me Ata e dikur bahemi sikur Ata’. Të bëhesh sikur Ata, për loken ishte fundi i botës apo ‘soni i dynjasë’ siq thoshte ajo.
Njëherë u ktheva nga Beogradi me një beretë të zezë në kokë, një lloj kapele që atëherë (besoj edhe sot) në popull quhej ‘kapuq francuski’. E bleva vetëm për arsye që të dukem më ‘frajer’. Për asgjë tjetër. Lokja u tmerrua kur më pa në atë gjendje. E kapi kapuqin me dy drunjë të shporetit (nuk e prekte me dorë dot) i qeli broncat dhe e lëshoi në prush. Me habi e shikoja se si i dilte flaka dhe tymi beretës sime taze t’re.
‘Jeni ba sikur Ata. Veq kapuqat ju kanë metë pa i ndërru’- më tha dhe shtoi:’mos ma flliq derën’!
Në botën e saj sundonte PLISI. Çdo kapelë tjetër ishte e huaj për te.
Një ditë e shikoja në televizor një meq boksi në mes Xhevdet Pecit dhe një malazezi, emri i të cilit sot nuk më kujtohet.
‘Kush asht ai tjetri’- më pyeti. ‘Një malazez’ – i thashë shkurt dhe me mospërfillje. (Tek e fundit, çka dijnë plakat se çka është boksi).
‘A shkâ, asht ai tjetri a’? – e vazhdoi ajo në mënyrën e saj. ‘Malazez’ i thashë me nervozë dhe shtova:’Mos i përzij senet’.
‘Po de, shkâ. A dallohen a?’
Unë atehërë e merrja vehten për të mençur. Lokja ishte e pashkollë dhe pasi ishte edhe e moqme, ishte rralluar – mendoja unë. Prandaj, i mbaja ligjërata në lidhje me kombet dhe kombësitë dhe dallimet e tyre. Ligjërata të bazuara në të drejtën kushtetuese dhe sistemin politik, natyrisht.
‘Nisoj janë’ – përfundonte ajo dhe jepte shenja se nuk ishte e interesuar të dëgjonte se çka thoshte ‘shkenca’ për TA. E dinte ajo vetë.
Bota e lokes fillonte diku larg por përfundonte te Udha e Frengit (hekurudha: Preshevë – Bujanoc). Hekurudha ishte kufiri i saj me botën tjetër, me Ata. Matanë Udhës Frengit i kishte rënë burri duke e mbrojtur kufirin që e sulmonin Ata. Përjetimet janë mësim. Në rastin e lokes përjetimet ishin udhërrëfim për të ardhmen. Ishin edhe diktim për mënyrën e jetës.
‘Pse ma dogje kapuqin?’ – e pyesja shpesh. Nuk përgjigjej me fjalë dhe mundohej ta shtrëngonte gojën se kishte frikë mos i plaste gazi. Megjithatë, buzëqeshja e ambël ia tradhëtonte qëllimin.
Bota e lokes ka ndryshuar moti. Edhe bota ime po ndryshon. Gjithnjë e më shpesh po mendoj që kjo botë shpejt do të bëhet ‘hashërr – neshërr’.