Medalja “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për Christopher R. Hill
Presidenti Nishani vlerëson Ambasadorin Christopher R. Hill me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me rastin e 25-vjetorit të rihapjes së Ambasadës së SHBA-së në Tiranë/
Në kuadër të 25-vjetorit të rihapjes së Ambasadës amerikane në Tiranë, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani organizoi në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës një ceremoni të veçantë ku shprehu mirënjohjen personale dhe institucionale për kontributin diplomatik të Ambasadorit Christopher R. Hill në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve politike e diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në prani të personaliteteve të rëndësishme të politikës shqiptare në këto 25 vite, të Presidentëve Berisha e Meidani, deputetë të Kuvendit, etj, Kreu i Shtetit çmoi Ambasadorin Christopher R. Hill me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të rëndësishëm që ky mik i çmuar i shqiptarëve ka dhënë në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; për përkrahjen dhe inkurajimin e palëkundur ndaj vendosjes së demokracisë në vendin tonë në fillim të viteve 1990-të si dhe për ndihmesën e vyer në konsolidimin e marrëdhënieve historike, strategjike dhe miqësore mes popullit shqiptar dhe atij amerikan”.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani u shpreh se: “Pikërisht sot një çerek shekulli pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, – një gur themeli në marrëdhëniet tona strategjike, miqësore dhe të përjetshme, kam kënaqësinë e veçantë të organizojmë së bashku këtë ceremoni solemne për të nderuar dhe vlerësuar një mik të sinqertë të vendit dhe popullit tonë. Dhjetë muaj më parë festuam 25-vjetorin e shembjes së diktaturës komuniste në vendin tonë. Duke nisur nga demonstratat paqësore të studentëve në vitin 1990 e deri tek themelimi i partive të para opozitare, vendosja dhe konsolidimi i demokracisë – shqiptarët dhe Shqipëria kanë përjetuar ngjarje dramatike, që na kanë ndryshuar jetën kryekëput dhe tashmë jemi anëtarë të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto arritje dhe fitore të Shqipërisë, vendit të fundit të Evropës që u çlirua nga Perdja e Hekurt, u bënë të mundura dhe realitet edhe në saje të ndihmës dhe mbështetjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara dhe popullit mik amerikan. Dhe tashmë Shqipëria e gjen veten një aleate besnike e Amerikës, pjesëtare kontribuese në koalicionin e madh ndërkombëtar që lufton terrorizmin dhe ekstremizmin e që përpiqet pareshtuar në përhapjen, mbrojtjen dhe lartësimin e vlerave dhe të parimeve të lirisë e demokracisë anembanë rruzullit.”
Më tej, Kreu i Shtetit vuri në dukje se: “Ambasadori Hill ishte diplomati i parë amerikan rezident në vendin tonë pas më tepër se katër dekadash, dhe dita e shumëpritur kur u më në fund, pas izolimit të imponuar nga vetë shqiptarët dhe territ të diktaturës komuniste, në Tiranë u hap Ambasada e Shteteve të Bashkuara, shënoi edhe një pikë kthese vendimtare në ripërtëritjen e lidhjeve historike dhe shpirtërore mes vendeve dhe popujve tanë. Nuk duhet të harrojmë se ndryshimet demokratike në Shqipëri gjatë viteve 1990-91 shënuan edhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me tri shtete të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, me të cilat Shqipëria e izoluar për gati gjysmë shekulli nuk kishte as një lloj kontakti diplomatik. Këto vende që në histori kishin qenë gjithmonë pranë shqiptarëve ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vatikani dhe Shteti i Izraelit, dhe pavarësisht lidhjeve të ngushta shpirtërore, historike dhe tradicionale që ushqeheshin dhe mbeteshin të patjetërsueshme në zemrat e qytetarëve të thjeshtë shqiptarë, regjimi i kishte privuar nga këto lidhje dhe komunkime.
Puna e palodhur, veprimtaria e pareshtur dhe kontributet e një miku të Shqipërisë dhe popullit shqiptar për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin, miqësinë, mirëkuptimin, ndjenjën e afërsisë, ofrimin dhe dhënien pa rezerva të shembullit, përvojës së vyer amerikane në shumë fusha me interes të përbashkët, kanë karakterizuar misionin diplomatik të Ambasadorit Hill në vendin tonë. Askush më mirë se ai nuk diti në fillim të viteve 90-të e më pas, të na gjendet në krah, këtu në mes të Tiranës, duke punuar fillimisht në Hotel ‘Dajti’ e më pas në selinë e rihapur të Ambasadës amerikane, të na ndihmojë me përvojën e tij të pasur diplomatike të shtrirë në disa kontinente, të ndajë me ne vizionin për një të ardhme më të ndritur bashkëpunimi dhe partneriteti strategjik, në ngulitjen e parimeve të shenjta të lirisë, demokracisë e të kulturës e mendësisë amerikane, si dhe në organizimin dhe planifikimin e vizitave të rangjeve më të larta zyrtare. E paharrueshme në kujtesën tonë do të mbetet vizita historike në Tiranë e Sekretarit të Shtetit James Baker dhe mesazhet frymëzuese e shpresëdhënëse që ai përcolli – vizitë që u parapërgatit dhe u mundësua në mënyrë të përkryer edhe nga Ambasadori Hill.” – u shpreh Kreu i shtetit referuar kësaj ngjarje historike.
“Ambasadorit Hill iu desh të largohet nga Shqipëria në përfundim të mandatit diplomatik për të vazhduar me sukses detyra dhe misione të tjera të rëndësishme, por sidoqoftë ai mbeti gjithmonë një mik i shtrenjtë, i cili na ka munguar, por nga ana tjetër, prania e tij sot sërish na ofron mundësinë që të bëjmë bilancin e sukseseve të punës së tij dhe të arritjeve të Shqipërisë e shqiptarëve gjatë njëzet e pesë vjetëve të fundit. Përfitoj nga rasti t’i shpreh sinqerisht nga thellësia e zemrës, edhe në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë mirënjohjen për kontributet e pamohueshme dhe veprimtarinë e palodhur në shërbim të forcimit të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve. Prandaj, për të gjitha arsyet e lartpërmendura, kam nderin dhe privilegjin të vlerësoj e të nderoj sot në emrin tim, të Institucionit të Kreut të Shtetit si dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, kontributin e qenësishëm diplomatik të Ambasadorit Hill, të mikut tonë të vyer Chris në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve politike, e diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.” – tha Presidenti Nishani në përfundim të fjalës së mbajtur me këtë rast, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen dhe falënderimet e përzemërta për gjithçka që Ambasadori Hill ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ambasadori Christopher R. Hill, pasi mori në dorëzim Dekoratën e lartë, falënderoi Kreun e Shtetit duke u shprehur se gjatë këtij rikthimi në vendin tonë ndihej pozitiv e i nderuar, duke qenë se përparimi dhe gjithçka që ka arritur Shqipëria gjatë këtij çerek shekulli i ngjan një projekti të madh ndërtimi mbresëlënës, por ende i papërfunduar dhe se të jesh shqiptar, është diçka e veçantë dhe krenari njëkohësisht.