Albspirit

Media/News/Publishing

Muzeu kushtuar afrikano-amerikanëve në Uashington


Në Uashington u zhvillua të shtunën ceremonia e hapjes së Muzeut Kombëtar të Historisë së Afrikano-Amerikanëve. Në fjalimin e rastit, Presidenti Barak Obama tha se historia e afrikano-amerikanëve zë një vend qendror në historinë e Shteteve të Bashkuara. Për të ndjekur ceremoninë e hapjes së muzeut, ndërtimi i të cilit ka kushtuar 540 milionë dollarë, në Uashington ishin mbledhur dje mijëra njerëz.

Ky është muzeu më i ri i Amerikës dhe inagurimi i tij nga presidenti i parë afrikano-amerikan i vendit ishte i përshtatshëm.

“Ky muze na tregon se edhe përballë shtypjes dhe vështirësive të pa imagjinueshme, Amerika ka ecur përpara. Pra ky muze lidhet mirë me debatet e kohës sonë,”– tha Presidenti Obama.

Përmes gjestit të rënies së një këmbane që i përkiste një kishe të ndërtuar nga skllevërit dhe afrikano-amerikanët e lirë, presidenti Obama hapi dje zyrtarisht Muzeun Kombëtar të Historisë dhe Kulturës së Afrikano-Amerikanëve në Uashington.

Kjo ishte një festë për mijëra njerëz që kishin ardhur në kryeqytetin e vendit për të qenë në mesin e njerëzve të parë që vizitojnë muzeun.

“Përshkrimi i ngjarjeve dhe paraqitja e tyre kronologjike ishin të jashtëzakonshme,” – tha një vizitor.

Muzeu i çon vizitorët në një udhëtim nëpër kohë, duke filluar nga kapitujt e errët të skllavërisë e deri në ditët më të vonshme të ndarjeve dhe diskriminimit racor.

“Shumë njerëz nuk duan të flasin për skllavërinë, por unë mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, sepse paraardhësit tanë erdhën nga Afrika, ata u sollën këtu. Ata ishin skllevër dhe unë nuk mendoj se kjo është diçka për t’u turpëruar, unë mendoj se ata ishin shumë të fortë.”– tha një vizitore.

Shumë artifakte të muzeut janë objekte të çmueshme nga koleksionet familjare. Ato tregojnë histori, jo vetëm të njerëzve të famshëm, por edhe të qytetarëve të thjeshtë, të cilët ishin të vendosur të përpiqeshin për një jetë më të mirë: psh njerëz si Alex Davis nga Miçigani, i cili pati marrë pjesë në protestat e lëvizjes për të drejtat civile:

“Unë mendoj se fëmijët sot duhet ta dijnë se kemi patur një histori që duhej të ndryshohej. Unë u them fëmijëve të mij: unë po protestoj që ju të mos keni nevojë ta bëni këtë,” thotë ky vizitor.

Vizitorët thonë se muzeu do të shërbejë si një vitrinë e sfidave të afrikano-amerikanëve dhe e kontributit të tyre në historinë e vendit.

Please follow and like us: