Çili kërkon mandat të dytë për Ramën
Henri Çili nuk ka anjë dyshim: kryeministri duhet përkrahur edhe për një mandat të dytë.
Kur Berisha ishte në pushtet, ai e mbështeste këtë ide me formulën “mandati i parë pjell të dytin”, Dikur ai shkruante: “Çdo shoqëri, në faza të caktuara të saj nxjerr administratorë të rëndësishëm apo të aftë, por shumë rrallë reformatorë të mëdhenj. Berisha i përket reformatorëve të mëdhenj”.Kurse tani thotë se Rama duhet të fitojë përsëri pasi është reformist. Ja seç shkruan ai për Mapo:
“Edi Rama është investim i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare, të gjithë ata që e kanë mbështetur, madje edhe ata që e kanë kundërshtuar, kanë krijuar një figurë politike me fuqi të madhe, bashkuar edhe me ambicien e tij të rëndësishme si individ dhe siç e thekson ai vetë “për të mbetur në histori”. Ky potencial duhet shfrytëzuar në dobi të shoqërisë shqiptare dhe interesit publik dhe si i tillë cikli historik i nisur nga Rama duhet të vazhdojë përtej një mandati”.
Përpos idesë së përsëritur se kryeministri që është në detyrë duhet tè fitojë gjithmonë, Çili ka habitur në shkrimin e tij edhe me një ide tjetër që nuk e thotë për herë të parë:
Rama është aq i madh sa e sulmojnë nga zilia. “Jemi në kulmin e një kundërshtimi laraman ndaj qeverisë dhe ndaj Ramës personalisht, në të cilin mblidhen grupe ekstremiste, ziliqarë, intelektualë të mbetur pa kauzë, të hatërmbetur të çdo lloji dhe moralistë publikë të çdo ngjyre”, shkruan Çili. Më shumë sesa kaq nuk ka nevojë të citohet për të kuptuar.