Edhe juristët kundër Ramës, i shkruajnë Nishanit: Ja argumentet pse nuk duhet ta dekretosh
Në një letër të hapur, një grup individësh të pavarur, mes tyre edhe shumë juristë i kanë dërguar një letër të hapur Presidentit të Republikës, Bujar Nishani ku i kërkojnë mosdekretimin/kthimin e Ligjit nr.92/2016 datë 22.09.2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10463 datë 22.09.2011 “Për manaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”.
“Me anë të kësaj letre, duam të përçojmë tek Ju, drejtpërdrejt e zyrtarisht, mendimin e nënshkruesve të kësaj letre, por edhe të atyre shumë shtetasve që kanë reaguar publikisht në forma e mjete të ndryshme, për kundërshtimin e këtij Ligji. Duke kuptuar fazën ligjore në procesin e miratimit dhe të hyrjes në fuqi të këtij Ligji, në bazë të kompetencave që Ju jep Kushtetuara e Republikës së Shqipërisë dhe ligji përkatës shqiptar, kërkojmë nga Ju një vlerësim të drejtë dhe të paanshëm të çështjes në fjalë dhe kërkojmë mosdekretimin / kthimin e Ligjit për arsyet e mëposhtme (të cilat nuk janë renditur sipas peshës së argumentit)”, thotë në hyrje të letrës av.Ardjana Shehi, hartuesja e këtij dokumenti dhe njëra prej firmëtareve, raporton Monitor.
Përmbajtja e letrës
I nderuar President i Republikës,
Siç mund të jeni vënë në dijeni, më datë 22.09.2016 organi ligjvënës Kuvendi i Shqipërisë miratoi, në seancë plenare me 63 vota të deputetëve të pranishëm, Ligjin nr.92/2016 datë 22.09.2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10463 datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar” (këtu referuar si ‘Ligji i Mbetjeve’ ose ‘Ligji’). Me anë të kësaj letre, duam të përçojmë tek Ju, drejtpërdrejt e zyrtarisht, mendimin e nënshkruesve të kësaj letre, por edhe të atyre shumë shtetasve që kanë reaguar publikisht në forma e mjete të ndryshme, për kundërshtimin e këtij Ligji. Duke kuptuar fazën ligjore në procesin e miratimit dhe të hyrjes në fuqi të këtij Ligji, në bazë të kompetencave që Ju jep Kushtetuara e Republikës së Shqipërisë dhe ligji përkatës shqiptar, kërkojmë nga Ju një vlerësim të drejtë dhe të paanshëm të çështjes në fjalë dhe kërkojmë mosdekretimin / kthimin e Ligjit për arsyet e mëposhtme (të cilat nuk janë renditur sipas peshës së argumentit):
Miratimi i Ligjit të Mbetjeve nuk vjen si një detyrim i Republikës së Shqipërisë që duhet plotësuar në bazë të ndonjë konvente përkatëse apo akti tjetër ndërkombëtar. Për më tepër, Ligji bie ndesh me direktivën e BE-së për zbatimin e “parimit të vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë”: sipas direktivës 2008/98/KE, çdo vend duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit. Për këtë arsye, vullneti i shtetit shqiptar në lidhje me këtë çështje është veçse i kushtëzuar nga faktorë dhe vullneti i brendshëm.
Duke qenë se miratimi i Ligjit të Mbetjeve varet vetëm nga faktorë dhe vullneti i brendshëm shqiptar, dhe duke qenë se Neni 59 i Kushtetutës parashikon shprehimisht se “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon: … d) një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm; dh) shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm; …”, Ju bëjmë me dije mendimin tonë se strukturat përkatëse të shtetit shqiptar me miratimin e Ligjit në fjalë nuk kanë respektuar me mirëbesimin e duhur orientimet e parimet e mësipërme dhe nuk kanë konsideruar aspektet e mëposhtme ligjore e institucionale, sociale, ekonomike e financiare:
Shqipëria tashmë është një vend me shumë avantazhe bazuar në atë që i ka dhënë natyra dhe burimet njerëzore vendase, dhe ka tashmë të përcaktuara strategji zhvillimi në turizëm, energji e bujqësi, të cilat nëse vihen në eficiencë krijojnë e do të krijojnë mjaftueshëm vende pune e mirëqenie në këtë vend. Kurrsesi, avantazhi konkurrues i Shqipërisë nuk duhet parë në industrinë ricikluese e cila kërkon si lëndë të parë mbetje të importuara pasi, stimulimi i kësaj të fundit, do ti sillte dëm ecurisë dhe zhvillimit të vendit në drejtimet strategjike ekonomike të sipërpërmendura të orientuara tashmë drejt zhvillimit.
Ju bëjmë me dije se për Ligjin e Mbetjeve nuk ka asnjë angazhim konkret në Strategjinë dhe Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve[1], dhe mosmiratimi i tij nuk vjen në kundërshtim me objektivat dhe strategjitë përkatëse; edhe ky akt, i miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, duhet lexuar dhe zbatuar në përputhje të plotë me parimin e ‘vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë’ (të shkruar edhe më sipër).
Ju vëmë në vëmendje se sipas Raportit të Progresit të BE 2015, Shqipëria si një vend kandidat që synon bashkimin me Bashkimin Europian, duhet të përmbushë disa detyrime. Fusha e mjedisit është një ngaçështjet delikate në të cilën Shqipëria ka shumë për të bërë, veçanërisht në fushën e legjislacionit horizontal për mjedisin. Edhe pse thuhet që legjislacioni është i përafruar, kjo nuk është gjithnjë e vërtetë, pasi procesi i përafrimit përfshin tre faza: transpozimin, zbatimin dhe ekzekutimin. Ndërkohë që faza e parë mund të jetëplotësuar në masën më të madhe, dy fazat e tjera, dhe veçanërisht faza e zbatimit të ligjit, kanënevojë për shumë punë për t’u arritur. Kjo vjen për shkak të mungesës së kuadrit të plotëinstitucional ose te kapaciteteve dhe ekspertizës së pamjaftueshme të cilat nevojiten për zbatimin e ligjit. Sa më sipër është informacion i vlefshëm dhe i paanshëm për të gjykuar mbi kushtet që nuk plotëson Shqipëria edhe në lidhje me importin, përpunimin dhe prodhimin bazuar në mbetjet e riciklueshme.
Edhe në bazë të monitorimit të brendshëm[2], Shqipëria rezulton se ende nuk ka kapacitetet e duhura të kontrollit dhe monitorimit institucional të cilat do të mundësonin kontrollin efektiv, moslejimin dhe mospërdorimin e importimit të mbetjeve të rrezikshme. Qeveria e Shqipërisë nuk ka dhënë asnjë informacion për ndonjë masë konkrete, buxhet apo shtesë personeli konkret, etj., për të mundësuar forcimin e kapaciteteve ekzistuese apo për të siguruar kapacitete shtesë të kualifikuara kontrolluese e monitoruese që do ti shtohen strukturave të organeve doganore shqiptare dhe/apo inspektoriatit / policisë mjedisore për të siguruar zbatimin e ligjit e të standardeve përkatëse bashkëkohore gjatë importimit, menaxhimit, përpunimit, prodhimit të produkteve të riciklimit, dhe menaxhimit të mbetjeve të krijuara nga vetë industria ricikluese. Për këtë arsye, dhe për arsyen që nuk ka të ardhura të mjaftueshme për shtesa buxhetore vendase përkatëse, nuk është koha që në Shqipëri të lejohet importimi i mbetjeve.
Detyra e Ministrisë së Mjedisit dhe e strukturave të tjera përkatëse qëndrore e vendore është që të investohen në drejtimin për të miratuar politika, kuadër ligjor dhe forcuar institucionet për të mundësuar ndarjen në burim, mbledhjen, manaxhimin dhe përpunimit dhe përdorimin për prodhim dhe me sa më pak mbetje të gjitha mbetjeve urbane, etj., që prodhohen VETEM brenda Shqipërisë: Ministria e Mjedisit duhet të maksimizojë mbrojtjen e mjedisit si më sipër në funksion të mbrojtjes së shëndetit të shtetasve shqiptarë dhe jo mbrojtjen e interesave të industrisë ricikluese; në konkurrimin midis këtyre interesave duhet medoemos të mbizotërojë interesi i parë, pra, mbrojtja e shtetasve shqiptare.
Industria ricikluese në vend mund të kërkojë nga organet përkatëse shtetërore efektivitet dhe eficiencë në mbledhjen e lëndës së parë në Shqipëri, pasi është çështje fakti që Shqipëria ka mjaftueshëm mbetje të papërpunuara të cilat nuk ndahen në burim, nuk mblidhen dhe nuk përdoren në linjat ricikluese vendase. Vetëm për kaq kapacitet riciklues ka nevojë Shqipëria për të synuar një Shqipëri të pastër, pra duhet dhe ka nevojë vetëm për kapacitet për të përpunuar dhe përdorur për prodhimin përkatës të gjithë mbetjet që prodhohen vetëm brenda Shqipërisë. Detyra e Ministrisë së Mjedisit dhe e strukturave përkatëse është të investohen në këtë drejtim, e këtë ta kenë prioritet, pasi vetëm kështu edhe mjedisi do të mbrohet më mirë, edhe fabrikave të industrisë ricikliuese do ti përdoret më shumë nga kapaciteti tashmë i investuar vetëm për përpunimin e mbetjeve vendase.
Bazuar edhe në argumentin e mësipërm, stimulimi i industrisë ricikluese me lëndë të parë të importuar veçse dëmton edhe edukimin e publikut në lidhje me qëndrimin e tyre ndaj mjedisit dhe, në veçanti, në lidhje me mbledhjen, ndarjen dhe menaxhimin, etj., të mbetjeve në vend; më tej, në vend të edukojmë edhe se si të nxjerrim përfitimin ekonomik prej mbetjeve në vend, këndvështrimi i strukturave qeveritare është të përfitojmë lehtësisht nga “pagesat e pastruesve” të mbetjeve të vendeve të tjera në dëm të mjedisit e shëndetit tonë në Shqipëri.
E drejta që i është dhënë nëpërmjet ligjit organizatave përkatëse të shoqërisë civile për të monitoruar importin nuk është as mjeti i përshtatshëm dhe as efektiv ligjor; ai është përdorur vetëm si një trukim për të bërë të pranueshëm miratimin e Ligjit.
Në lidhje edhe me argumentet e mësipërme, mund të konstatojmë që nga strukturat përkatëse nuk është bërë analiza e mirëfilltë tërësore dhe ekonomike (kosto/përfitim, etj.) përkatëse e Ligjit; duhet analizuar sa i kushton vendit në të gjitha aspektet zbatimi i Ligjit në afatshkurtër dhe afatgjatë si dhe sa do të jetë e ardhura kombëtare përkatëse neto afatgjatë nga miratimi i këtij Ligji. Pa paragjykuar sa më sipër, edhe çdo vlerësim tjetër ekonomik / financiar (nëse ka) i bërë nga Qeveria[1] dhe e përdorur si racionale për miratimin e Ligjit duhet bërë publike. Vlen për tu përmendur se zbatimi i një ligji të tillë është i kushtueshëm edhe për vendet e zhvilluara, dhe kjo mund të verifikohet lehtësisht në burimet e informacionit publik ndërkombëtar.
Nuk ka asnjë informacion publik transparent për ndonjë çertifikim nga struktura profesionale të pavarura ndërkombëtare në lidhje me standardin e fabrikave të riciklimit të ndërtuara në vend dhe të cilat kërkojnë medoemos importimin e mbetjeve. Ky është kushti paraprak i domosdoshëm për besueshmëri të standardit të përpunimit dhe prodhimit të produkteve me mbetje të riciklueshme.
Po kështu, nuk ka asnjë informacion të besueshëm profesional në lidhje me mbetjet që do të krijojnë e mbeten në Shqipëri nga vetë mbetjet e importuara të riciklueshme të përpunuara e të përdorura për prodhimin të produkteve përkatëse në vend. Ky është një aspekt i cili, edhe teorikisht, jep të dhënën që në Shqipëri do të krijohen dhe mbeten të papërpunueshme mbetje importi të pariciklueshme; si në cdo industri tjetër edhe në industrinë ricikluese do të ketë mbetje të cilat do ti shtohen mbetjeve shqiptare të papërpunuara, pra, do të kemi më shumë ndotje mjedisi për territorin shqiptar. Normat përkatëse (të shprehura në përqindje, etj., sipas manualeve, etj., përkatëse bashkëkohore) të mbetjeve të krijuara nga vetë industria e riciklimit nuk janë bërë publike dhe ato duhen bërë publike e transparente edhe për përpunimin e mbetjeve vendase si dhe domosdoshmërish para çdo hapi për miratimin e importit të mbetjeve. Pavarësisht nga kjo, parimi i thjeshtë që duhet të na udhëheqë në lidhje me mjedisin është që “shtëpia pastrohet më mirë dhe mbahet më pastër nëse e bën më pak pis…”.
Mundësia e falimentimit të shoqërive tregtare të cilat kanë investuar në industrinë ricikluese duket që është argumenti i vetëm që përdoret për mbrojtjen e këtij Ligji; në fakt, ky duhet të ishte argumenti i fundit që duhet të ishte marrë parasysh gjatë miratimit te Ligjit. Nëse keto shoqëri para dhe gjatë fazës së investimit nuk kanë bërë planet e biznesit profesional për të gjykuar siç duhet nëse janë fitimprurëse bazuar në ofertën në Shqipëri të lëndës së parë përkatëse, atëherë, si çdo biznes tjetër kur nuk ka investim të kujdesshëm e profesional, shoqëritë përkatëse mund të futen në procesin e falimentimit për ti hapur rrugë investimeve që janë fitimprurëse sipas parimit ‘fresh start’. Duhet mbajtur parasysh se Ligji për Falimentimin në fuqi dhe ai që pritet të miratohet i jep mundësi ligjore ortakëve të këtyre shoqërive edhe që të riorganizohen në procedurë falimentimi duke riskrukturuar detyrimet dhe shlyerjen e kreditorëve, nëse kanë, dhe të vazhdojnë biznesin vetëm në funksion të përpunimit të mbetjeve të riciklueshme vendase. Mekanizmat ligjore dhe institucionalë janë më se të mjaftueshëm dhe efektive në këtë drejtim.
Pa kundërshtuar sa më sipër, edhe njëherë duhet të mbajmë në vëmendje se detyra e shtetit shqiptar është të bëjë politika zhvilluese në industri të caktuara dhe nuk është të mbrojë interesat e shoqërive private të caktuara. Në lidhje me këtë dhe me argumentin e mësipërm, për këto shoqëri ricikluese është e hapur edhe rruga e gjykatës apo arbitrazhit me shtetin shqiptar nëse ka pasur premtim zyrtar shtetëror mbi miratimin e Ligjit për importimin e mbetjeve në kohën kur është bërë lejimi i ndërtimit, financimi dhe investimi përkatës.
Më tej, si një argument i rëndësishëm ligjor për mosmiratimin e Ligjit, janë penalitetet administrative të vendosura nga Ligji të cilat janë vetëm penalitete në formën e gjobës, shumë të ulëta dhe joproporcionale, të papërshkallëzuara në raport me shkeljet e ndryshme të mundshme, dhe aspak të krahasueshme me dëmet që mund të shkaktojnë dhe kostot për riparimin e këtyre dëmeve. Penalitetet në formën e gjobës administrative, siç janë parashikuar nga ligji, nuk kanë as funksion edukues dhe as penalizues.
Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë nuk ka të parashikuar vepra penale konkrete për shkelesit e Ligjit dhe të akteve të tjera të lidhura me to. Nëse shihet Kodi Penal nuk ka vepër penale të shprehur të parashikuar për importimin e mbetjeve. Edhe në këtë këndvështrim, nuk ka asnjë siguri ligjore të përshtatshme që të lejohet importimi i mbetjeve. Përmirësimet përkatëse të Kodit Penal duhet medoemos të paraprijnë iniciativën e guximshme të importimit të mbetjeve. Kjo mangësi dhe të tjera të rëndësishme në legjislacionin penal në lidhje me shkeljet mjedisore është konstatuar edhe në Raportin e Progresit 2015 të BE.
Më tej, kujtojmë që Ligji është miratuar me një minimum votash (më pak se gjysma e numrit total të deputetëve të Kuvendit) dhe ky është tregues që ky Ligj nuk ka marrë as miratimin minimum moral të Kuvendit, ndërkohë që për një ligj të tillë pritet të këtë konsensus politik sa kohë që ndikon edhe në orientimin ekonomik e mjedisor të vendit për të ardhmen.
Besojmë shumë që parimi i mirëbesimit në zbatimin e kontratës sociale të Presidentit të Republikës me shtetasit e vet do të respektohet. Zbatimi i këtij parimi është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në këtë rast në mënyrë që të mënjanojë humbje energjie publike, e shprehur kjo edhe në humbje të ardhure kombëtare, nëse shtetasit do të ishin gjithnjë në rrezik, dhe do të investoheshin herë pas here në protesta, etj., nëse institucionet nuk respektojnë vullnetin e popullit dhe parimet bazë të mbrojtjes së interesave të tij të shprehura edhe në Kushtetutë.
Pa paragjykuar sa është thënë më sipër, duam të shprehemi se ne si shtetas të këtij vendi, që duam të jetojmë e të rrisim fëmijët në këtë vend, edhe nëse do të mund të plotësoheshin standardet përkatëse, nuk pranojmë futjen në këtë vend të vogël dhe shumë të bukur të asnjë gram mbetje nga jashtë.Vullneti i qartë refuzues publik në lidhje me këtë çështje (e shprehur qartë me protesta masive edhe në rastin e diskutimit të importimit në vend të lëndëve/armëve kimike), moskompatibiliteti i strategjive afatgjata zhvilluese të vendit me industrinë ricikluese bazuar në mbetjet e importuara, mosrespektimi i orientimeve dhe parimeve përkatëse kushtetuese nga institucione përkatëse gjatë hartimit dhe miratimit të Ligjit, si dhe mungesa e kuadrit ligjor të përshtatshëm dhe të kapaciteteve të duhura institucionale për zbatim e monitorim efektiv të ligjit e standardeve përkatëse, janë arsye shumë të forta për mospranimin e këtij ligji.
Duke qene se i përkasim grupit të shtetasve shqiptare të cilët në më shumë se 14 vite e kanë kundërshtuar me të njëjtën konsekuence importimin e mbetjeve për arsyet e mësipërme, edhe kësaj radhe, duam të përdorim ligjin dhe institucionet në mënyre efektive, dhe kërkojmë ndërhyrjen Tuaj të paanëshme në bazë të dispozitave përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke mos dekretuar / kthyer Ligjin nr.92/2016 datë 22.09.2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10463 date 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”.
Me besimin në marrjen parasysh të qëndrimit tonë dhe në pritje të qëndrimit Tuaj si President në mbrojte të interesave të shtetit dhe të shtetasve shqiptare.
[1] Mund të bëhet kërkim në raportet vjetore që vetë Qeveria Shqiptare dhe organizatat mjedisore vendase dhe të huaja si burime alternative informacioni (të cilat monitorojnë dhe raportojnë në mënyrë të pavarur) dorëzojnë para strukturave përkatëse të BE.
[2] Mund të bëhet kërkim në raportet vjetore që vetë Qeveria Shqiptare dhe organizatat mjedisore vendase dhe të huaja si burime alternative informacioni (të cilat monitorojnë dhe raportojnë në mënyrë të pavarur) dorëzojnë para strukturave përkatëse të BE.
Neni 82 i Kushtetutës parashikon: “1. Propozimi i ligjeve, kur është rasti, duhet të shoqërohet kurdoherë me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij.”