Ja ku ruhen sendet personale të Enver Hoxhës
Në ambientet e mbetura nga ish-Kinostudio, bashkë me gardërobën e mbetur të filmave shqiptarë, fustanet e Elvira Diamantit nga “Përrallë nga e kaluara”, Margarita Xhepës nga “Koncert në vitin ‘36″, Drita Pelingut te “Njeru me top”, kamerat jashtë funksionit e makinat gjendet edhe një fond me sende, objekte, që i janë dhuruar e veshje të ish-diktatorit, Enver Hoxha.
Në dy magazinat e mëdha, ku ruhet gjithë pasuria e Kinostudios, objektet e sipërpërmendura kanë një hapësirë të posaçme, veçmas të tjerave. Është një dhomë e ngushtë, e vogël, e errët, që ruan sendet e tij. Jashtë saj gjenden karriget dhe dy sëndukë, që gjithashtu kanë qenë në pronësi të Hoxhës. Pranë tyre dukej peliçja ngjyrë kafe, dy triko të mëdha e të trasha, një xhaketë dhe disa këmisha që dikur kishin qenë të bardha e që sot, nga vitet e keqtrajtimi, kishin marrë thuajse ngjyrën e peliçes. Në total janë afërsisht 273 objekte e veshje, që janë sot në mirëmbajtje nga “Albafilm”, pasi i ka dorëzuar atje Muzeu Historik Kombëtar.
MBETJET E ISH-KINOSTUDIOS DHE TEPRICAT E SENDEVE TË ENVER HOXHËS
Se ç’ka qenë e ç’ka mbetur, ekzaktësisht, nga “qyteza” e vetme e filmit shqiptar, Kinostudio, nuk arrin ta kuptosh. Kthinat e rrugicat të nxjerrin vetëm nëpër hyrjet e televizioneve private. Është vetëm një qoshe anonime, pa zë e figurë, që të bën të dyshosh se është ajo. Aroma e barit të molës që ka ngacmuar shiu vjen nga brenda derës, deri përjashta. Nëse vazhdon të ngjisësh shkallët për të mbërritur në katin e dytë, pasi ke kapërcyer kangjellat e hekurit që ndanin korridorin kryesor me atë të “Albafilmit”, e ndien edhe më të përqendruar.
Sikur fustanet e aktoreve të filmave shqiptarë, të varura nëpër drurët e sajuar, të ishin më pak të pluhurosur me ngjyrat e kohës (ose, e moshës) do të ishe dyshues për dekadën në të cilën jetoje! Pra, ajri i godinës ishte i përshtatur më së miri me përmbajtjen, ose e anasjella. Ç’është e vërteta, pak njerëz dinin për ekzistencën e “Albafilmit”! Edhe nëse pyet njerëz të fushës, do t’ju duhet kohë për të pyetur një tjetër e një tjetër akoma që të të japin një përgjigje përgjysmë.
“Albafilm” është ajo çfarë ka mbetur nga gjithë industria e prodhimit të filmave; janë disa fustane, disa kostume a xhaketa burrash, disa kamera e disa makina; të dyja jashtë funksioni, disa objekte ende të hapërdarë në depon provizore ku gjenden disa e disa të tjera… Nga Kinostudio ka mbetur vetëm disa! Për origjinën e mungesave, sigurisht që nuk di të flasë drejtori aktual i “Albafilm”, Nezir Selimaj, i emëruar vetëm në vitin 2014, pas zhurmës së abuzimeve që u fol se ishte bërë ndër vite në ish-Kinostudio. Sot puna e tij dhe e atij pak stafi që ka mbetur, është të sistemojnë gjithë ç’ndodhet, pra gjithë ç’kanë lënë në pronësi të Kinostudios dhe t’i mirëmbajë.
Të renditura të gjitha në inventarë, sendet e veshjet që duken e ato që të mbështjella në thasë që nuk duken, presin të zhvendosen sërish, siç kanë bërë gjithë këto vite. Këtë herë, destinacioni i radhës nuk do të jetë i largët. E shumta, do të ngjiten një kat më sipër për të përfunduar më pas në pjesën e Parkut, në krahun e djathtë të Ministrisë së Kulturës, ku Selimaj kishte rikonstruktuar një hapësirë të posaçme për të vendosur rregull në gjithë rrëmujën që dukej haptazi. Këndi më i “kruar” ishte mbuluar me karrige të përmbysura, ishin në të gjithë objektet e dhuruara, veshjet personale e sende të tjera që i përkisnin ish-diktatorit, Enver Hoxha.
NË DHOMËN E ERRËT KOMUNISTE
Gjithë ç’ju thamë më lart, pra, veshjet dhe sendet e tjera të Enver Hoxhës, nuk u përkisnin aktorëve e as Kinostudios. Janë objekte që dikur kanë qenë në pronësi të Muzeut Kombëtar e që sot zhvendosen sa në një kat në tjetrin, bashkë me fustanet e aktoreve. “Unë kam ardhur në krye të këtij institucioni në vitin 2014 dhe duke vlerësuar të gjitha gjërat që ishin këtu, midis të tjerave, gjeta në një garazh edhe një fond të caktuar të ardhur nga Muzeu Historik Kombëtar, si transferim inventari, për ruajtje të një numri të konsiderueshëm artikujsh, rreth 274 sende, orendi, veshje dhe dhurata për ish-diktatorin. Ky fond i është dorëzuar Muzeut Historik nga ish-muzeu i diktatorit (Piramida).
Muzeu Historik ka marrë shumë, por, me sa duket, për arsye vendi e ka transferuar këtu. Meqenëse për shumë vite kjo pjesë që ishte nën mbikëqyrjen e këtij institucioni nuk kishte qenë në kushte të përshtatshme, e morëm dhe e bëmë pjesë të ruajtjes së gjithë gjërave që kemi nën kujdes!”, thotë drejtori “Albafilm”, Nezir Selimaj. Asnjë plan konkret nuk ka për këtë pjesë jo pjesë të ish-Kinostudios, përveç se do të trajtohet me të njëjtin kujdes, si dhe trashëgimia tjetër.
GJENDJA E MAKINAVE DHE PLANI PËR RESTAURIM
Në të djathtë të sheshit hyrës së Ministrisë së Kulturës ndodhet ish-parku i automjeteve. Disa janë të dukshme, të rrënuara e të ndryshkura, të tjerat janë të kyçura në garazhe. Pirgu i makinave jashtë funksionit, në të vërtetë, nuk është vetëm ajo çfarë ka mbetur nga ish-Kinostudio. Ka ngelur aty në shenjë kujtimi edhe makina e dalë boje e ndonjë drejtori që është kamur rrugës! Mes tyre gjenden edhe disa hekura, me sistemimin e të cilëve po merreshin tre punëtorë.
“Albafilmi”, në këto vite, të vetmen veprimtari fitimprurëse ka pasur dhënien me qira të objekteve dhe materialeve rekuizitë, ish-pronë të Kinostudios. Nga dhënia me qira e tyre dhe shumat e mbledhura janë bërë investimet e domosdoshme e më pas do të bëhen ato të nevojshme. Restaurimi i parkut të makinave ka nisur! Godina përballë garazheve ku ruheshin, thuajse ishte restauruar për t’u kthyer në magazinë me kushte optimale. Pjesa tjetër, ndërhyrja në automjete për t’i bërë sërish funksionale do të bëhet në një fazë të dytë.
“Mundësitë e pakta financiare kanë lënë jashtë investimeve shumë drejtime të ‘Albafilmit’, një nga këto janë edhe makinat të cilat ne, megjithatë, nuk i heqim nga vëmendja”, ka thënë Selimaj. Aktualisht janë në gjendje inventari 24 makina të tipave të ndryshëm. Kryesisht autovetura që u përkasin viteve të paraçlirimit dhe makina të periudhës së pasluftës, prodhime ruse e kineze. Makinat kanë qenë më të dëmtuarat nga vjedhjet. Disa janë “zhdukur”, ndërsa të tjerat i ka rrënuar koha e gjithashtu vjedhjet (e pjesëve), duke i shndërruar në llamarina. “U mendua që makinat në gjendje të pariparueshme t’i shisnim për skrap, por pastaj ky plan nuk u realizua”, përfundon Neziraj. Me aq sa mundëm të shohim, me vlera të padiskutueshme duket se ishin makinat e kyçura, megjithëse të pluhurosura.