Kush është Tim Kaine?
CV-ja e Tim Kaine-it përfshin një pëvojë të gjatë me arritje të shumta: ai flet spanjisht; ka qenë misionar katolik në vende në zhvillim dhe ka gradën Doktor i Jurisprudencës nga Harvardi. Tani e tutje ai do të njihet edhe si kandidat për nënpresident amerikan. Ja një profil i senatorit demokrat dhe aktualisht kandidat i Partisë Demokrate për nënpresident të Shteteve të Bashkuara, Tim Kaine:
Ai është politikan që nuk bën bujë dhe e përshkruan veten si njeri i mërzitshëm.
Por kur del së bashku me kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton, ai gjallërohet. Zgjedhja e zotit Kaine u pa si një vendim i matur dhe i natyrshëm për zonjën Clinton.
Tim Kaine ka 22 vjet në politikë, duke u ngritur gradualisht nga anëtar i një këshilli bashkiak në kryetar bashkie, e më pas guvernator e senator i Virxhinias.
Ai mbaroi studimet në Universitetin e Mizurit dhe më pas në Harvard. Një katolik i devotshëm, ai ndërpreu studimet për një vit për të punuar si misionar në Honduras, ku mësoi spanjisht.
Zoti Kaine thotë se varfëria që pa në Amerikën Qendrore e frymëzoi të përqafonte një jetë në shërbimin publik, ku u prezantua edhe me Anne-n, me të cilën u martua.
“Shumë veta në vendin tonë po kalojnë kohë të vështira, por ne jemi popull i fortë. Kam mësuar nga familja ime se kohët e vështira nuk vazhdojnë përgjithmonë, por njerëzit e fortë vazhdojnë,” thotë zoti Kaine.
Zoti Kaine thotë se kaloi një nga momentet më të vështira kur ishte guvernator dhe universiteti Virginia Tech u trondit nga një masakër e përgjakshme në 2007. Sulmi i kryer nga një student me probleme mendore, e bëri guvernatorin Kaine të kërkonte reforma mbarë-shtetërore për shëndetin mendor.
Si kryetar i Komitetit Kombëtar Demokratik në 2008, ai ishte një ndër emrat që u lakuan si kandidat për nënpresident përkrah Barak Obamës.
Tani, në garën presidenciale me Hillary Clintonin, kandidatura e tij lavdërohet nga disa dhe kritikohet nga të tjerë:
Lafayette Barnes, Banor i Uashingtonit
“Më pëlqejnë qëndrimet e tij politike; mendoj se e forcon pozitën e demokratëve”.
Michelle Gotico, banore e Virxhinias
“Mendoj se plotëson shumë mirë ekipin konkurrues demokrat”.
Tom Schmit, banor i Çikagos
“Nuk ia kam shumë besën Hillary-t, prandaj preferoj të mos i kushtoj rëndësi asgjëje nga ato që bën ajo”.
Senatori shpreson të ndryshojë mendjet e të lëkundurve gjatë fushatës intensive në përgatitje për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.