Raportet “sekrete” dhe një histori me Kokëdhimën
Nga Mero Baze
Kam pas një kërshëri të fortë, për faktin pse u “mërzit” Kokëdhima me Edi Ramën. Koço Kokëdhimën e kam sulmuar qysh ditën që kandidoi për deputet i PS dhe kam botuar i pari dosjen që çoi mandatin e tij në Gjykatën Kushtetuese. Edi Rama gjatë gjithë kësaj kohe nuk është se ka ndërhyrë tek unë për shkak të shkrimeve, por nuk ka lënë rast pa më dëshmuar se Kokëdhima është në vendin e duhur. Prej kohës që Gjykata Kushtetuese e nxori nga Kuvendi, nuk jam marrë më me të, as me lëvizjet e tij të çoroditura politike, por kurioziteti për të kuptuar se çfarë ndodhi mes tij dhe Ramës, ishte ende i fortë.
Pyeta gjatë rreth kësaj çështjeje, dhe të gjitha faktet më çuan tek një skenar qesharak, por i denjë për Koçon dhe lajthitjet e tij, plot paranoja dhe skema konspirative.
Dikush, i ka njohur Koços vesin e tij më të suksesshëm, fobinë nga “shërbimet sekrete” dhe “ambasadat”. E ka thirrur në një drekë dhe i ka treguar një tekst anglisht, me tre paragrafë, pa kokë lart dhe pa nënshkrime poshtë.
“Është kabllogramë e ambasadës amerikane”, i ka thënë. Ata i kanë kërkuar Edi Ramës të të eliminojë ty, meqë ke lidhje me kinezët dhe po nxit mbjelljen e hashashit në Shqipëri.
Teksti anglisht që i kanë servirur ishte i shkruar sipas gjuhës së kabllogrameve të zbuluara nga Wikileaks disa vite më parë.
Dhe pas kësaj ka vazhduar skenari, se si Edi Rama i ka dhënë fjalën “amerikanëve”, se do ta eliminonte Koçon për të mirën e partisë, dhe e bëri.
Është tmerrësisht qesharake si skenë, por fatkeqësisht është e vërtetë dhe ka funksionuar, duke bërë një mrekulli. Duke ndarë Koçon nga Rama, qoftë dhe përkohësisht.
Nuk është ndonjë fitore e madhe sa i përket Ramës, pasi kam idenë që atij i mungon Kokëdhima si projekt politik, por është impresionuese, se si një i sëmurë plot vese të rrezikshme për politikën, mund të nxirret jashtë loje vetëm me metoda të sëmura.
Tezat e tij për liberalizmin e hashashit nën tagrin e njeriut më të afërt të Edi Ramës, në fakt bënë një dëm të madh në Shqipëri dhe po përballin vendin dhe pushtetin me një sfidë që nëse dorëzohen një ditë, ky vend do ta paguajë shtrenjtë. Ideja se nga cannabis-i do të vijnë mrekullira ekonomike, janë ide vetëm të njerëzve që pinë hashash dhe nuk mendojnë se ç’vjen pas saj. Kriminalizimi i sturkturave të rendit përballë ofertës marramendëse të trafikantëve, kapja e shtetit, shkatërrimi i bujqësisë dhe krijimi i një modeli kallp për ekonominë, janë pasoja vdekjeprurëse, njësoj si “Piramidat” e Berishës më ‘97, madje me efekte më afatgjata.
Kokëdhima me sofizmat e tij të “kanabisit mjeksor”, që qenka i mirë dhe me shanset që Shqipëria paska nga ky mekanizëm ekonomik, ishte një rrezik publik, ndërsa identifikohej me pushtetin.
Sot, nuk është më. Sot, është një i lajthitur që mendon se planin e tij të madh reformist e asgjësuan shërbimet sekrete amerikane pasi i “blenë” Edi Ramën.
Dhe pas kësaj, ai ka filluar luftën kundër armiqve që ia prishën këtë ëndërr. Më ka sulmuar mua disa herë, por jam zbavitur me marrëzitë e tij, siç jam befasuar, sesa e lehtë paska qenë për ta hequr qafe, me tre paragrafë të shkruar me anglishte të mirë.
Sot e pashë, teksa i qe lëshuar ministrit të brendshëm, të vetmit që i bëri rezistencë dy vite më parë, për betejën e hashashit.
Dhe duket se mendon që gjithkush mund të nxirret nga loja me të njëjtën skemë që doli ai. Duke shpikur një raport të shërbimeve sekrete, tashmë jo më me tre paragrafë për Koçon, por me tre faqe për Tahirin.
E ka pas bërë këtë dhe një herë në vitin 2007, kundër të ndjerit Sokol Olldashi, duke botuar një raport përshkrues për trafiqet e drogës në Shqipëri, i cili ishte përdorur më 2005 kundër Fatos Nanos. Por, Olldashi e çoi në gjyq dhe Koços iu desh të bënte sqarime e përgënjeshtrime, deri sa të bënte pazar me të.
Koçua tani mendon se i vetmi mekanizëm që të bën të rëndësishëm ose të shkatërron është një raport shërbimesh. Nuk është se e ka keq, kur ato egzistojnë. Por, ai është nga ata që është vetvrarë, pa pasur plumb në pistoletën që i kanë treguar. Dhe mendon se kështu mund të marrë hak ndaj të gjithëve. Paska qenë aq e thjeshtë të kuptohej se kush ishte dhe jemi lodhur aq shumë ta marrim seriozisht. Biles dhe si mafioz.
/gazetatema.net/