Albspirit

Media/News/Publishing

Takimi i 10 nëntorit 1960. Enveri përplaset me Mikojanin

Intervista me Myfit Mushin / Mehmeti-Hrushovit: Turpi ju mbuloftë! (PJ.II)

Përkthyesi i Enver Hoxhës tregon atmosferën tejet të tensionuar në prag të mbledhjes së 81 partive. Përpjekjet e Hrushovit për të zbutur palën shqiptare dhe përmendja e prishjes së marrëdhënieve, baza e Vlorës dhe dalja nga Traktati i Varshavës…

 

Ishte e natyrshme që më tej biseda me Myfit Mushin të vijonte me takimet që ne paralajmëruam dje me udhëheqjen më të lartë sovjetike në 10 dhe 12 nëntor 1960. Ai ka shumë detaje të tilla nga Enveri, Mehmeti por edhe nga Hrushovi dhe udhëheqës sovjetikë të asaj kohe. Rëndësia e atyre takimeve qëndron në faktin se Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe vetë Nikita Hrushovi i kushtonin shumë vëmendje marrëdhënieve me Shqipërinë. Një vit më parë, më 1959 Hrushovi bëri një vizitë të paparë në Shqipëri ku qëndroi për dy javë. Asnjë udhëheqës nuk e ka bërë këtë. Por duhet të vendosemi në kohën kur zhvilloheshin ngjarjet për të kuptuar thelbin e tyre. Ishte kulmi i luftës së Ftohtë mes Lindjes dhe Perëndimit dhe Shqipëria ishte në vijën e parë të përballjes, menjëherë pas perdes së hekurt. Vëmendja dhe kujdesi i sovjetikëve ndaj Shqipërisë e kishte këtu arsyen. Pavarësisht nostalgjisë për miqësinë me rusët, që vazhdon të shfaqet edhe pas afro 60 vjetësh, duhet pranuar se qëndrimi i Enverit në Moskë ia rriti atij dhe Shqipërisë prestigjin në nivel ndërkombëtar.

Pavarësisht se Myfit Mushi ka një qëndrim të qartë për ato që kanë ndodhur dhe iu përmbahet thuajse plotësisht dokumenteve të botuara, janë disa detaje dhe insinuata që e bëjnë mjaft interesant rrëfimin e tij.

 

****

Takimi i 10 nëntorit 1960. Enveri përplaset me Mikojanin

Unë hyj direkt në temë. Dy ditë pas takimit me Andropovin, erdhi takimi i Enverit me Mikojanin, Kozllovin, Susllovin e të tjerë. Si shkoi ai takim?

Myfit Mushi përgjigjet: Nuk kish si të ndodhte ndryshe. E kishte marrë ferra uratën. Natyrisht që do të vazhdonte në vijën e takimit të parë. Ky takim vetëm sa u ngrit në një nivel më të lartë, por nuk ndryshoi gjë në rrjedhën e ngjarjeve. Ata erdhën në vilën tonë dhe që në fillim u duk se ai do të ishte një takim shumë i tensionuar.

I kërkoj Myfitit të më sjellë detaje nga ai takim, dhe ai më thotë:

Ja një fragment nga ai takim, siç e kam shënuar unë, pasi unë isha përkthyes i atij takimi.

Myfit Mushi tregon se në atë takim Mehmet Shehu e ka quajtur oportunist:

Më ka qëlluar vetëm një herë të bëj ndërhyrje gjatë përkthimit për të saktësuar një shprehje të Enverit. Në mbledhjen e Moskës, për të cilën kam folur e do të flas më vonë, para fillimit të saj, në vilën ku ishte vendosur delegacioni shqiptar, erdhi për një takim paraprak një delegacion i partisë sovjetike, i kryesuar nga Mikojani. (Mikojani në atë kohë ishte anëtar i Byrosë Politike dhe zëvendëskryeministër i Bashkimit Sovjetik).

Cilat janë përshtypjet e mia nga ai takim?

5Mund të them vetëm kaq: Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë shumë të tensionuar. Enver Hoxha herë pas here përdorte shprehjen “ne jemi marksistë-leninistë dhe problemet duhet t’i trajtojmë në këtë frymë”. Qysh në rastin e parë, Mikojani e ndërpreu: “Pra, ju qenkeni marksistë-leninistë, kurse ne jo!”. Pak më vonë Enveri përdori të njëjtën shprehje. Edhe Mikojani përsëriti të njëjtin reagim.

Më duhet të theksoj se deri atë ditë partia jonë ende nuk i kishte quajtur revizionistë udhëheqësit sovjetikë. Pas reagimit të përsëritur të Mikojanit, u ndodha shumë ngushtë. Duhet të bëja një sqarim. Mora parasysh edhe pasojat e rënda, por e kisha detyrë si përkthyes. Ndërhyra: “Shoku Mikojan, me sa duket e kam unë fajin. Po sqaroj se kur shoku Enver thotë ‘ne jemi marksistë-leninistë’, ka parasysh jo vetëm palën shqiptare, por të dyja palët”.Me bisht të syrit vura re fytyrat e Enverit dhe Mehmetit. Asnjë lëvizje. Vazhduan bisedimet, por këtë që bëra unë, do ta shohim thashë me vete, se dardha e ka bishtin prapa…

Bisedimet morën fund. Të gjithë ngihen në këmbë. Më afrohet Mikojani, më vë dorën mbi sup e më thotë: “Ju jeni marksist-leninist”. Menjëherë reagoi Mehmet Shehu: “Jo, ky është oportunist!”. Për fat të mirë, kaq ishte dhe ‘bishti i dardhës’. Me sa duket ndërhyrja ime u quajt me vend…

Sidoqoftë më interesante është ajo se çfarë u bisedua midis delegacionit të PK të BS të kryesuar nga Mikojani dhe delegacionit shqiptar të kryesuar nga Enver Hoxha më 10 nëntor. Pas dështimit të përpjekjeve të Jurij Andropovit dy ditë më parë, pala sovjetike e ngriti nivelin e përfaqësimit, duke dërguar një ekip që vinte menjëherë pas Hrushovit në hierarkinë e partisë sovjetike. Ky takim ka qenë më i gjatë, me akuza dhe kundërakuza dhe, sikurse dihet tashmë përfundoi pa asnjë rezultat për të bindur palën shqiptare që të ndiqte rrugën e Hrushovit.

Takimi

Ja si e tregon Myfit Mushi atë takim sipas shënimeve personale të tij:

Në atë takim morën pjesë nga pala sovjetike A. Mikojan, F. Kozllov, M. Susllov, P. Pospjellov dhe J. Andropov. Delegacionin tonë e kryesonte Enver Hoxha, ndërsa të tjerët ishin Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Ramiz Alia. Në atë takim u shfaqën hapur divergjencat dhe rrebeshi që po afronte për marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike. Për herë të parë aty u fol për bazën ushtarake të Vlorës dhe për mundësinë e daljes nga Traktati i Varshavës…

Ky takim u zhvillua gjashtë ditë para se Enveri të fliste në mbledhjen e 81 partive.

Mikojani e mori fjalën i pari duke shprehur keqardhjen për mosmarrëveshjet që kishin lindur midis PK të BS dhe PPSH. Ai akuzoi Partinë e Punës se ajo ishte shkaktare e mosmarrëveshjeve, se kjo, pra PPSH nuk ushqente më ndaj PK të BS atë besim që ushqente më parë. Mikojani akuzoi ushtarakët shqiptarë në bazën e Vlorës se po sillen ndryshe me ushtarakët sovjetikë, ndërsa pyeti: “Mos doni të dilni nga Traktati i Varshavës”? Pastaj ai zbuti tonet duke thënë se udhëheqja sovjetike dëshiron zgjidhjen e keqkuptimeve në rrugën më të drejtë. “Na thoni ku i kemi gabimet, ne nuk zemërohemi. Ne zemërohemi kur ju bisedoni prapa shpine”.

Enveri ia ktheu menjëherë: “Na thoni kur dhe ku ne kemi biseduar prapa shpine kundër jush? Ne shqiptarët e kemi zakon, asnjëherë nuk bisedojmë prapa shpine.” Pastaj ai foli për gjendjen në bazën e Vlorës, duke paraqitur një tablo të ndryshme nga ajo e Mikojanit dhe tha “t’i marrin shqiptarët nëndetëset”. “BS na la vendin pa bukë duke anulluar marrëveshjet. Bëhen kërcënime për të na përjashtuar nga Traktati i Varshavës (ambasadori dhe disa gjeneralë). Ambasadori ndërhyn paturpësisht në punët tona. Ai pyet gjeneralët tanë: me kë është ushtria?”

Ndërhyn Kozllovi: Ambasadori ynë nuk është shumë i zgjuar, sidomos politikisht…

Enveri doli në një temë tjetër: Unë ju kam pyetur pse e hoqët Zhukovin, por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Ne kishim grurë vetëm për 15 ditë dhe u detyruam të blejmë në Francë. Tregtari francez u çudit dhe na kujtoi se kemi marrëveshje me sovjetikët… Dhe ne prapë nuk ua treguam të vërtetën francezëve.

Ndërhyn Mehmet Shehu:  Rëndoftë turpi mbi ju, shoku Kozllov, që i lejoni vetes t’i jepni ultimatume Shqipërisë: “Me ne, ose me Kinën!”

une-dhe-mushiNë atë takim u diskutua edhe çështja e Stalinit. Mikojani thotë se e ka dashur Stalinin, mirëpo“dhjetë vitet e fundit Stalini nuk më thërriste në mbledhjet e presidiumit të partisë…”

Hidhet prapë Mehmet Shehu: Ju e kini pështyrë Stalinin. Çfarë shkruat për 70 vjetorin e tij e çfarë thatë pas vdekjes. Çfarë aktori!

Pak a shumë kështu u mbyll ai takim pa arritur asnjë gjë konkrete. Sidoqoftë, kur të gjithë u ngritën, Enveri më porositi t’i mbaja pallton në dalje Mikojanit. Aty u zhvillua ky dialog në këmbë:

Mikojani: Stalini nuk kishte qejf t’i mbanin pallton…

Enveri: Nga modestia.

Mikojani: Jo, kishte frikë se e quanin plak.

Enveri: Stalini ishte modest.

 

Takimi i Enverit me Hrushovin në Kremlin

Më 10 nëntor, më në fund delegacioni shqiptar pranoi të takohej me delegacionin sovjetik në Kremlin. Ishte një ballafaqim i drejtpërdrejtë midis Enverit dhe Hrushovit, para mbledhjes së madhe dhe aty mund të thuhet se u nda përfundimisht shapi nga sheqeri. Përfundimi i asaj mbledhjeje ishte i hidhur, me fyerje dhe kërcënime. Po a është i vërtetë episodi kur Hrushovi e krahasoi Enver Hoxhën me Makmilanin dhe cili ishte reagimi i shqiptarëve.

Myfit Mushi, gjithnjë sipas kujtimeve me shkrim që ka mbajtur nga ajo kohë, vazhdon të tregojë:

Nga pala sovjetike morën pjesë Hrushovi, Mikojani, Kozllovi, Andropovi. Delegacioni shqiptar përbëhej nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia. Atmosfera ishte mjaft e nderë. Dhe ja disa nga replikat kryesore:

Hrushovi: S’e di çfarë ka ngjarë midis nesh pas vizitës sime më 1959. Nëse edhe atëherë ju ishit të pakënaqur ndaj nesh, unë duhet të jem i trashë dhe shumë naiv që nuk e kuptova këtë. Përveç fjalëve të mira, ne atëherë nuk kemi thënë asgjë, në qoftë se nuk përmendim shakatë e veçanta siç është ajo që bëra me shokun Mehmet Shehu lidhur me plepat. (Gjatë vizitës në Shqipëri më 1959, Hrushovi tha se plepat ndanë rrugëve tona automobilistike të zëvendësoheshin me fiq e kumbulla).

Enveri: Shakaja me plepat këtu s’mund të ketë vend këtu.

(Në vijim replikat e ndërsjellta lidhur me shkaqet e prishjes, sidomos për mbledhjen e Bukureshtit dhe qëndrimin e PPSH).

Enveri: Ambasadori juaj pyet gjeneralët tanë: me kë është ushtria?

Hrushovi: Po qe kështu, ambasadori ka bërë budallallëk…

Enveri: Budallallëku i një budallai mund të falet, por kur përsëritet, ai është bërë vijë…

Hrushovi: Po, kjo është e vërtetë…

Enveri shtron çështjen se çfarë thuhej për Shqipërinë në letrën drejtuar PK të Kinës.

Mikojani: Ai ishte mendimi ynë.

Hrushovi: Si është puna me Liri Belishovën dhe qëndrimin ndaj saj? Po për Koço Tashkon, të cilin s’e kam parë as në fotografi.

Mehmeti: Po të doni jua dërgojmë ne fotografinë e tij.

Hrushovi flet për bazën e Vlorës: Shoku Enver, mos e ngrini zërin. Nëndetëset janë tonat.

Enveri: Tuajat dhe tonat, ne luftojmë për socializmin. Territori është yni.

Hrushovi: Ju nxeheni, ju më keni pështyrë, me ju nuk mund të bisedosh…

 

Më tej, Myfit Mushi tregon finalen e këtij takimi:

Po afronte fundi i takimit dhe gjakrat ishin nxehur shumë. Këtu është ai episodi me Makmilanin dhe si reagoi Mehmet Shehu.

Enveri: Ju gjithnjë thoni se ne jemi gjaknxehtë.

Hrushovi: Ju shtrembëroni fjalët e mia. (Pastaj, duke u kthyer nga unë): Përkthyesi a e di rusishten?

Unë me gjysmë ironie: Pakëz…

Enveri: Mos u kapni pas përkthyesit, ai e di fort mirë rusishten. Edhe unë e kuptoj. Unë ju respektoj, edhe ju duhet të më respektoni.

Hrushovi: Kështu me mua ka dashur të bisedojë Makmilani.

Mehmeti: Shoku Enver nuk është Makmilan. Merreni mbrapsht atë që thatë!

Hrushovi: Po ku ta fus?

Mehmeti (ngrihet nga vendi dhe përkulet mbi tavolinë  duke drejtuar gishtin nga xhepi i Hrushovit): Futeni në xhepin tuaj!

Hrushovi (duke parë instinktivisht xhepin e tij): Jo, nuk mundem.

Në këtë moment Mehmeti propozon të ndërpriten bisedimet. Të njëjtën gjë bëri dhe Hysniu. Delegacioni ngrihet si me komandë dhe braktis sallën. Unë ndoqa menjëherë Enverin, duke lënë prapa Mehmetin dhe të tjerët. Pasi bën disa hapa, Mehmeti kthehet dhe i thotë Hrushovit rusisht: Pozor, vam, pozor! (Ju mbuloftë turpi).

Në përfundim të kësaj pjese të dytë të bisedës, Mysfit Mushi, përkthyesi i Enver Hoxhës, thotë:

Le të thotë kush të dojë e çfarë të dojë. Kjo që po them është plotësisht e vërtetë. Se si është deformuar më vonë dhe si mund ta deformojnë disa këtë të vërtetë, është tjetër punë. Unë iu them vetëm kaq: Nuk ishte e lehtë t’ia thoshje këto fjalë Hrushovit, udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, mu në zemër të Kremlinit!

 

Please follow and like us: