Albspirit

Media/News/Publishing

Edhe unë do të iki nga Shqipëria!

Nga Mentor Kikia

Nesër, 4 Tetor, fillon aplikimi për llotarinë amerikane. Besoj se do të jemi më shumë se vitin e kaluar. Edhe unë do ta provoj….

Dy ditë më parë takova dy mjekë të rinj, që kanë vetëm 2 vjet që kanë filluar punë. Kishin vendosur të hiqnin dorë nga specializimi dhe përpjekjet për të ndërtuar jetën këtu. “Po paguajmë kursin e gjermanishtes, dhe qëllimi i vetëm është të ikim”. U trondita sesi dy njerëz që kanë një profesion kaq të admirueshëm e të lakmueshëm, kishin marrë këtë vendim. “Gjermanishten po e mësojnë pedagogët tanë dhe mjekët e vjetër të QSUT-së dhe Spitalit Ushtarak, që duan të ikin para nesh, e jo më ne”. Eshtë e qartë, nga ky vend nuk duan të ikin vetëm ata, më hallexhnjitë, ata që opozita thotë se janë pa bukën e gojës. Nga këtu tashmë po ikën edhe shtresa e mesme, mjekët, inxhinierët, veterinerët e agronomët… Ata, specilaistët, për të cilët bërtet qeveria çdo ditë, se ka nevojë tregu i punës.
Ne duhet të kuptojnë se jemi në kushtet e një shpërnguljeje masive të popullisë, pavarësisht se nuk ka nga pas ushtarë që u vënë zjarrin shtëpive. Pavarësisht se nuk janë ngarkuar karvanët, fakti që gati gjysma e popullsisë rezidente është gati të marshojnë, është një tragjedi kombëtare. Dhe mos pranoni që qeveria të thotë se kjo është normale, se edhe holandezët punojnë në Belgjikë e belgët në Francë. Kjo nuk është liri pune, kjo është arrati, ikje për të mos u kthyer më.
Po pse?
Këta nuk janë njerëz që duan thjeshtë një vend pune dhe pagë më të mirë, por njerëz që duan të jetojnë në një shoqëri më të drejtë, në një end ku sundon barazia dhe rregulli, ligji dhe drejtësia, konkurenca e barabrët, aftësia dhe garancia për punën e jetën. Kërkojnë të jetojnë në një vend më normal, më të pastër, më qytetar, më të denjë, më të kulturuar.
Nuk është thjeshtë varfëri!
Nuk është thejshtë mungesë shprese! Është edhe më keq.
Pjesa dërrmuese e shoqërisë, mbi 90% e saj, ndodhet sot nën diktatin, prepotencën dhe arrogancën e 10%-dëshit tjetër. Të asaj pjese që zotëron 95% të parasë dhe pronave, asaj që zotëron pushtetin politik dhe ekonomik, asaj që zotëron minierat dhe naftën, bregdetin dhe rrugët, shëndetësinë dhe energjitikën. Shqiptarërt, me dhe pa shkollë, me dhe pa punë, me dhe pa profesion, duan të ikin nga vendi i tyre. Duan të ikin sepse nuk e ndjejnë më vendin e tyre. Duan të ikin sepse kanë kuptuar se e kanë të vështirë, gati të pamundur, të ndryshojnë gjë më dhe i janë dorëzuar ikjes.

Please follow and like us: