OKB i kërkon qeverisë Rama të hapë dosjet e Sigurimit të Shtetit
Nënkomisionerja e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Kate Gilmore: Tregoni historinë e së shkuarës që të mbroheni nga përsëritja e po atyre gabimeve në të ardhmen
Nënkomisionerja e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Kate Gilmore i kërkoi qeverisë shqiptare të veprojë sa më shpejt për të konkretizuar hapjen e dosjeve të komunizimit. Në një intervistë për Top-Channel, Gilmore thekson se e shkuara e dhunshme e Shqipërisë duhet të zbardhet dhe se duhet guxim nga qeveria që të marrë hapat e duhur për hapjen e dosjeve.
“Jemi një çerek shekulli pas vitit 90 dhe shohim një Shqipëri të transformuar në mënyrë të thellë por një vend, rrugëtimi it ë cilit nuk ka përfunduar ende veçanërisht sa i përket të drejtave të njeriut. Ka ende të zhdukur nga ajo periudhë tiranie e komunizimit ndaj dhe ne i kërkuam qeverisë të jetë e guximshme të tregojë historinë e plotë të së shkuarës në mënyrë që të mbrohemi nga përsëritja e po atyre gabimeve në të ardhmen”, tha nënkomisionerja e OKB-së për hapjen e dosjeve në Shqipëri.
Ligji për hapjen e dosjeve është miratuar gati dy vite më parë, por ende nuk është konkretizuar procesi i hapjes së dosjeve. Në mënyrë të qëllimshme, Komisioni i Ligjeve po mban peng zgjedhjen e komisionerëve për institucionin që do të mundësojë hapjen e dosjeve, Autoritetin për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Ligji parashikon pastrimin e rradhëve të politikës nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, ish-funksionarët e regjimit komunist dhe drejtues të niveleve të ndryshme të partisë shtet, PPSH.
Nga neni përkatës në ligjin për hapjen e dosjeve mund të rrezikojnë karrierën disa politikanë në dy krahët, nga mazhoranca, por edhe nga opozita. Duket se kjo është marrëveshja që i bashkon dy palët dhe që mban peng hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit.