Albspirit

Media/News/Publishing

Arti bashkëkohor shqiptar në Marsejë

Emra të njohur të artit kontemporan shqiptar prezantohen me një ekspozitë në Muceum në qytetin e Marsejës

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Në një karrige që duket tej shkallëve të një pallati të thjeshtë të ndërtuar në kohën e komunizmit në Shqipëri, artistja Edit Pula ka vendosur një fustan, me dy ngjyra të kuq dhe të zi. Një ëndërr e bukur gruaje mbetur pezull, në pushimin mes shkallëve, me një histori të fshehur kushedi ku. Ka një histori përtej çdo veshjeje, aq më tepër fustanet e bukura për femrat, sidomos në kohët kur ato ishin aq të rrallë. Vepra e Pulës, vjen përmes një fotoje në prezantimin që Muceum në Marsejë i bën artistes shqiptare. Kjo vepër është vetëm një nga një mori veprash të dhjetë artistëve bashkëkohor shqiptar që kanë prezantuar një pjesë të identitetit të ri kulturor shqiptar, në muzeun e artit në Marsejë. “Shqipëria 1207 km në Lindje”, quhet ekspozita ku prezantohen artistë si Anri Sala, Driant Zeneli, Adrian Paci,Edit Pula, Leonard Qylafi, Endri Dani, Yllka Gjollesha, Ilir Kaso, Fani Zguro dhe Ermela Teli. Në ceremoninë e hapjes ka qenë e pranishme dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila e ka quajtur këtë event si një “vjeshtë të mbarë kulturore për diplomacinë shqiptare”.”Kultura çel ato dyer që shkojnë përmes zemrës dhe emocionit dhe që politikës i duhet kohë t’i hapë sa të bjerë në ujdi, ndërsa ekonomia duhet të kërkoje kredi pa të gjejë çelësin…
Shqipëria flet me gjuhën e artit dhe te kulturës më mirë e më bukur në Marsejë”, thotë Kumbaro. Anri Sala prezantohet me videon e realizuar më vitin 2003 ” Dammi i Colori”, një udhëtim rrugëve të Tiranës në kohën kur kryebashkiak ishte kryeministri Edi Rama, i cili shpjegon përgjatë një bashkëbisedimi të natyrshëm konceptin e ngjyrave që i kishte veshur pjesës më të madhe të ndërtesave të qytetit. Videoja është xhiruar gjatë natës, duke krijuar një situatë disi surreale, për një qytet që kërkonte ngjyrat që për më shumë se gjysmë shekulli i kishin munguar. Adrian Paci sjell videon “histori shqiptare, një lojë e vërtetë”, ku protagoniste është e bija, dhe ku përmes një situatë gati imagjinare ai sjell përvojën e tij si artist emigrant në Itali. Një lojë tërheqëse dhe bindëse, përmes së cilës kalojnë tema të një një tranzicioni me të cilën u përball vëndi pas viteve 90-të, përmes një përvoje tërësisht personale. Edit Pula ka realizuar një instalacion e komisionuar nga Muzeu dhe i bërë posaçërisht për ta.
“Kjo është kështjellë”, quhet puna e Driant Zenelit, një ironi ndaj fenomenit të ndërtimeve të shumta që kanë pushtuar vendin këto vite, për “kështjellat” që i gjen lehtë si vende ku mund të pushosh për kafe.

marsejeFani Zguro prezantohet me veprën “Shfarosësi”, një seri portretesh të ish diktatorit Enver Hoxha, mbuluar me një letër transparente e duke i kthyer të gjitha fotot në imazhe monstruoze.
Vepra e Leonard Qylafit sjell imazhe nga propaganda e komunizmit, duke sjellë foto të vjetra mbi të cilat promovohej imazhi i realizmit socialist, marrë nga gazetat e kohës.
Endri Dani prezantohet me veprën “Palimsest 01”, e ndërtuar në vitin 2010 e cila ndan eksperiencën studentore me atë të artistit të ri.”Betoniera është një objekt shumë I rëndësishëm në industrinë e ndërtimit e cila vjen nga popullsitë e lashta egjiptiane, mesopotamese apo greke dhe sot është e pranishme në peizazhet tona urbane, rurale apo natyrore. Më shumë se për historinë e saj betoniera më intereson për shkak të procesit. Funksioni I saj tranzicional (Tranzicion; lëvizje, kalim, ose ndryshim nga një pozicion, gjedje, fazë, subjekt, koncept, etj, në një tjetër). Marrja e materialeve natyrore dhe mbajtja e tyre në brendësi për një kohë të caktuar në një proces përsëritës dhe monoton. Vitet 90 e gjetën Shqipërinë në një sistem të ri. Roli I arkitektit dhe urbanistit u ndërmor nga profesionistë të cilët kishin jetuar dhe vazhdonin të jetonin në izolim ndërsa për arkitektët e huaj Shqipëria ishte një hapësirë eksperimentale. Arkitektura pas rënies së regjimit komunist mund të konsiderohet si arkitektura e refuzimit dhe e mohimit të trashëgimisë ndërtimore përmes zhvillimit të pakontrolluar. Qytetet shqiptare pësuan një metamorfozë drastike. Metamorfoza luan një rol të rëndësishëm në rrjedhën e gjeneratave njerëzore. Fëmijëria ime njohu një shoqëri në krizë identiteti dhe e pa papërgatitur të krijonte një ekuilibër mes të shkuarës dhe modeleve të aspiruarara të vendeve të zhvilluara. Duke u shtrirë në një tokë mes qytetërimesh shumë të lashta, vendi ynë mbart një trashëgimi material shumë të pasur. Gjatë dhe pas rënies së regjimit komunist trashëgimia popullore ishte një ofertë komerciale për vendet e zhvilluara. Vendosja e kësaj trashëgimie në ritmet e sistemit industrial dhe më pas kapitalist solli deformim dhe komprometim estetik dhe fizik të kulturës popullore”, shpjegon Dani. “Palimsest 01” bën të qartë në mënyrë simbolike dhe poetike disa aspekte kritike që I drejtohen shoqërisë bashkëkohore.
Ilir Kaso prezantohet me vidion “Nëna ime”, ku përmes gjashtë minutave dhe 39 sekondave vjen jeta e së ëmës nga mosha 19 vjeçare deri në atë 46 vjeçare, me të njëjtin model flokësh dhe stil veshjeje, por me rrudhat që pushtonin ngadalë portretin nga vitet. Vepra e Ermela Telit sjell një raport mes njeriut dhe arkitekturës në Shqipëri.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 2 janar 2017-të. Ekspozita synon të japë një imazh të artit bashkëkohor shqiptar, por dhe të përccojë një realitet të munguar të asaj çfarë ka ndodhur në një vend si Shqipëria. Teksti shoqërues i ekspozitës tregon mbi aspiratat e një vendi që ka kaluar një nga diktaturat më të errëta në Ballkan drejt Bashkimit Evropian, dhe faktit që ai tashmë drejtohet nga një kryeministër i cili është dhe piktor. Por komunizmi reflektohet në pjesën më të madhe të veprave që mbart ekspozita, si një e shkuar e cila vazhdon të lejë gjurmë në memorien artistike.

Please follow and like us: