Albspirit

Media/News/Publishing

KE: Greqia dhe Shqipëria duhet të bisedojnë mbi çështjen e Çamërisë

MPJ e Greqisë akuzon Johannes Hahn se mban anën e shqiptarëve në çështjen çame.

KE: Greqia dhe Shqipëria duhet të bisedojnë mbi çështjen e Çamërisë

Ministria e Jashtme e Greqisë, akuzoi anëtarin e Komisionit të BE-së për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerim, Johannes Hahn se mban anën e shqiptarëve në çështjen e Çamërisë. Më 28 shtator Komisioneri, Johannes Hahn kishte deklaruar se në mesin e problemeve mes Shqipërisë dhe Greqisë, të cilat presin zgjidhje, ndodhet edhe çështja e Çamërisë. Sipas kanalit televiziv shqiptar “Top Channel”, Johannes Hahn propozoi formimin e një mekanizmi të përbashkët mes Shqipërisë dhe Greqisë që do të negocionte mbi problemet mes dy vendeve. Sipas Hahn-it, negociatat në fjalë do të duheshin të përfshijnë edhe çështjen e Çamërisë. Ndërkaq sipas medias greke, Athina zyrtare reagoi ashpër ndaj deklaratave të Johannes Hahn. Në reagimin e dërguar Komisionit Evropian nëpërmjet kanaleve të Ministrisë së Jashtme u tha se nuk ekziston një çështje e quajtur “Çështja e Çamërisë”, prandaj edhe nuk mund të bëhet temë e negociatave.

Nëse shikojmë në marrëdhëniet greko-shqiptare mund të shohim se ato gjatë historisë kanë patur batica dhe zbatica dhe se deri në vitet e 90-ta më shumë dominonte armiqësia mes dy vendeve. Pakica greke, e cila në mënyrë të ngjeshur jeton në jug të Shqipërisë dhe emigrantët shqiptar në Greqi paraqesin burimin themelor të mosmarrëveshjeve. Plani për aneksimin e jugut të Shqipërisë, të cilin Greqia e quan “Epiri Verior” bëri që Tirana zyrtare në përgjithësi ti qaset me skepticizëm pakicës greke në Shqipëri. Madje edhe në ditët e sotme në Greqi ndodhen rrethet e tilla, të cilat në pjesën jugore të Shqipërisë shikojnë si në “territoret greke të pushtuara nga shqiptarët”.

Ndërkohë që Greqia interesohet nga afër me pakicën greke që jeton në Shqipëri, ajo që nga viti 1940 në mënyrë sistematike mohon praninë e pakicës shqiptare brenda kufijve të saj. Sot shqiptarët që jetojnë në Greqi ndahen në tre grupe, në shqiptarë ortodoks (arvanitas), shqiptarët e Çamërisë dhe shqiptarët emigrantë, të cilët ndodhen në Greqi për të punuar.

Dihet se shqiptarët ortodoks gjatë shekullit të 19-të kanë jetuar në mënyrë të ngjeshur në rrethinën e Athinës. Historianët bëjnë të ditur se në fillim të shekullit të 19-të shqiptarët përbënin 24% të banorëve të Athinës. Sipas Hugh Poulton, Greqia arriti që në masë të madhe të “helenizoj” shqiptarët ortodoks duke i mbajtur nën kontroll institucionet arsimore dhe fetare.

Shqiptarët e Çamërisë, pra shqiptarët që jetojnë në zonën e Çamërisë (Thesproita), në masë të madhe janë myslimanë. Sipas Elez Biberaj rreth 85 mijë persona prej shqiptarëve myslimanë u vendosën në Anadoll si rezultat i marrëveshjes së shkëmbimit të popullsisë të arritur mes Turqisë dhe Greqisë në vitin 1923. Në anën tjetër supozohet se Greqia pas vitit 1945 dëboi rreth 30 mijë shqiptarë nga Çamëria me arsyetim se kanë bashkëpunuar me forcat okupatore italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në politikat që ish-Presidenti dhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ndoqi ndaj Greqisë të shpeshtën e rasteve kanë qenë në rendin e ditës çështjet e mundësimit të kthimit të familjeve shqiptare të dëbuara nga Greqia dhe mundësimi i kthimit të pronave të tyre. Mirëpo Greqia asnjëherë nuk shikoi seriozisht në këto kërkesa.

Dhe jo vetëm shqiptarët, por edhe një pjesë e maqedonasve që jetonin në pjesën veriore të Greqisë janë dëbuar matanë kufirit gjatë periudhës së luftës civile që u jetua mes viteve 1946-1949. Për herë të parë pas 55 vitesh në vitin 2003 maqedonasve të dëbuar iu lejua të vizitojnë pronat e tyre në Greqi.

Sikur edhe të mos merren parasysh pretendimet e nacionalistëve shqiptarë mbi numrin e popullsisë, supozohet se në ditët e sotme në zonën e Çamërisë jetojnë rreth 100 mijë banorë me origjinë shqiptare. Ndërkaq kur bëhet fjalë për emigrantët shqiptarë, bëhet e ditur se në Greqi jetojnë mbi 400 mijë shqiptarë. Disa raporte, të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut, në të kaluarën tërhoqën vëmendjen në dhunën e ushtruar nga ana e ushtarëve dhe policëve grek ndaj emigrantëve shqiptarë.

Në saje të shkëmbimit të popullatës mes Turqisë dhe Greqisë që u krye në kuadër të traktateve të Athinës, Lozanës dhe Neuilly-it dhe disa emigrimeve të mëvonshme, Greqia arriti që ta homogjenizoj mjaftë strukturën e popullsisë së saj. Ndërkaq autoritetet greke vazhdojnë të mohojnë praninë e grupeve etnike, të cilat vazhdojnë të jetojnë në Greqi. Për këtë arsye, pakicat kombëtare që jetojnë në Greqi, me në krye shqiptarët, maqedonasit dhe turqit, edhe në ditët e sotme vazhdojnë të sjellin në rendin e ditës problemet e tyre. Për këtë arsye Greqia edhe pas kërkesës së Komisionit të BE-së nuk do të hapë për negociata me Shqipërinë çështjen e Çamërisë. Fatkeqësisht Athina nuk është mjaftë konstruktive në çështjen e zgjidhjes së problemeve dypalëshe. Greqia dështon në zgjidhjen e problemeve me fqinjët pasi ajo këmbëngulë në drejtësinë e saj.

Autor: Dr. Erhan Turbedar

Please follow and like us: