Albspirit

Media/News/Publishing

Kredi elektorale falas nga Greqia për Edi Ramën

Para disa ditësh në disa media të Shqipërisë bëri jehonë një lajm me protagonist Johannes Han, komsioneri i Zgjerimit. Në një përgjigje që Hahn i kthente një eurodeputeteje greke, ai përdorte termin “çështja çame”. Kaq ka mjaftuar që mekanizmi automatik i gjimanstikës mediatike dhe diplomatike të vihet në veprim në Tiranë dhe në Athinë, me siguri edhe për argëtimin e “austriakut Hahn”, siç e cilësoi kombësinë e tij “historikisht në miqësi me shqiptarët”, ndonjë media.

Mediat në Tiranë deklaruan njohjen e çështjes çame nga Brukseli, por nuk pati një reagim zyrtar të Ministrisë së Jashtme e as të qeverisë. Lajmi, u la të rridhte në llagëmet mediatike pse kështu ai nuk kalon në korrektimin e detyrueshëm që kërkon gjuha diplomatike. Në Athinë, reagoi Ministria e Jashtme e cila i kujtonte Hahn se çështja çame nuk ekziston dhe mandej edhe zëdhënëses Koçijançic me një fjali: “Në Bruksel disa njerëz nuk e kuptojnë se nuk është mirë të gënjesh”. Mirëpo në këtë rast përballja zyrtare po akternohet nga përballja mediatike, e cila në Shqipëri ka më shumë dominancë, pasi raportet me Greqinë dhe çështja çame kanë më shumë rezonancë te ne sesa në publikun e vendit fqinj.

Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, shërbeu veten përmes një interviste në të cilën foli edhe deklaratën e Hahn. Bushati përsëriti edhe njëherë tezat e tij se “çështja çame është ngritur me palën greke, se për marrëveshjen e detit Shqipëria nuk vë në diskutim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se ka një mekanizmë dypalësh për trajtimin e të gjitha çështjeve të mbetura pezull, mes të cilave edhe ligji i luftës”.

Bushati më tej u tregua më i shkathët sesa homologu i tij grek kur zbuloi se ato që Athina i cilëson si çështje që nuk ekzistojnë, në fakt i janë adresuar Brukselit në formën e një kërkese për konsultim. Kjo është një goditje poshtë brezit për “mikun Kotzias”, i cili është i pari që ndau në Tiranë pikëpamjen greke se ka “çamë bashkëpunëtorë me nazistët ndaj të cilëve duhet qëndrim dhe çamë që nuk kanë qenë bashkëpunëtorë”. Është e tillë po të shohësh reagimin e sotshëm të ministrit grek, i cili i detyruar nga intervista e Bushatit, ka dalë e ka pranuar konsultimet me Brukselin, por duke shtuar se “Referenca e vetme në atë “jo-letër ishte se çështja nuk është e negociueshme për shtetin grek”( http://www.ekathimerini.com/212575/article/ekathimerini/news/kotzias-rejects-claims-by-albanian-counterpart).

Sesi do të sillet Bruskeli këtej e tutje mbetet për t’u parë. Por mund të hamendësojmë se çfarë do të bëjëtë Shqipëria. Ish-këshilltari i Bushatit, Shaban Murati sugjeronte në një shkrim të vetin në “Gazeta Shqiptare” dy ditë më parë se ky korridor që ka hapur Hahn nuk duhet lënë të mbyllet:

Mbajtja mbyllur e kësaj çështjeje ka qenë dhe është interes i diplomacisë dhe i qeverisë greke, të cilave u intereson që qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare të mos kenë njohuri për ekzistencën e një çështjeje të madhe të pazgjidhur midis Shqipërisë dhe Greqisë”, shkruan Murati, për të shtuar edhe diçka që ka rëndësi parësore në momentin e tanishëm:

Njohja nga BE e ekzistencës së çështjes çame dhe e nevojës së zgjidhjes së saj është padyshim një sukses diplomatik i Shqipërisë dhe duhet konsideruar si i tillë nga të gjithë krahët e politikës në Tiranë, pavarësisht se çfarë humori kanë për njeri-tjetrin. Duhet vlerësuar merita e Kryeministrit Edi Rama në këtë proces diplomatik të ndërkombëtarizimit dhe të njohjes diplomatike të çështjes çame nga Komisioni Europian, sepse është i pari kryeministër në historinë e shtetit shqiptar, që e ka futur çështjen çame në programin e qeverisë së tij për politikën e jashtme. Çështja çame është çështje kombëtare, pjesë e çështjes se pazgjidhur shqiptare në Ballkan, dhe si e tillë duhet të bashkojë përpjekjet dhe strategjinë e politikës së jashtme të të gjitha forcave politike shqiptare, pavarësisht se kush është në pushtet në momentin e dhënë”(http://www.balkanweb.com/site/nderkombetarizimi-i-ceshtjes-came/).

Është ky konstatim që nominalizon meritat që e gërryen vlerën e vërtetë që mund të kishte hapja e rrugës për zgjidhjen e problemit. Nga ky mesazh, nga qëndrimi “me karakter” i Bushatit si dhe lënia e qëllimshme e trajtimit mediatik të deklaratës Hahn, mund të kuptohet fare mirë se përpara se të ketë interesa kombëtare, apo qasje të strukturuar, qeveria aktuale dhe Edi Rama, kanë një axhendë elektorale. Dhe kauza nacionale me disa frute shërben jo keq në turbullimin emocional si dhe në relativizimin e rolit të LSI-së me PDIU-në e Shpëtim Idrizit. E themi këtë sepse një çështje kaq e ndërlikuar dhe me pasoja, nuk mund të zgjidhet duke kaluar nga zhurma mediatike dhe nga vuvuzelat nacionaliste, por më së pari nga zbardhja e propozimeve konkrete, nga njohja me idetë për të si dhe nga debati i hapur se çfarë do të bëhet me arritjet e deritanishme të Shqipërisë. Partia Demokratike nuk ka një qëndrim zyrtar mbi këto zhvillime, ndërkohë që ish-ministri i Jashtëm Tritan Shehu, në një intervistë për “Report Tv”, deklaroi se “zgjidhja më e mirë dhe kontributi më i mirë për çështjen çame është Traktati i Miqësisë i vitit 1996”( http://time.ikub.al/16-10-04-ceshtja-came-PD-ben-nje-hap-pas-Shehu-Sipas-traktatit-te-96/ceshtja-came-PD-ben-nje-hap-pas-Shehu-Sipas-traktatit-te-96.aspx).

Mund të pyetet: Çfarë do të bëhet me këtë dokument? A ka një përpjekje për ta rishikuar, apo ndryshuar atë? Këto pyetje nuk mund të marrin përgjigje nga shkrimet në media, as nga opinionet e kualifikuara si ato të z. Shabani, por nga qëndrimet zyrtare që sot mungojnë për publikun shqiptar dhe patjetër nga një rivendosje dialogu mes të dyja vendeve në nivelin më të lartë. Ky nuk është rasti, pas “ngrohja” me Athinën dhe diskutimi me të, që do të vijë kur të jetë puna për të hapur letrat, bie ndesh me axhendën elektorale të Ramës dhe PS-së. Në këtë mënyrë në vend që të kuptojmë dhe shikojmë se çfarë po bën qeveria në këtë drejtim, jemi të dënuar të dëgjojmë karagjozllëqet e një ministri të Jashtëm që na gënjen dhe bën propagandë. Bushati deklaroi se qëndrimet e ambasadores Sourani ishin pasojë e “mosnjohjes prej saj të dosjes së marrëdhënieve shqiptaro – greke”. Një arrogancë kjo që nuk gjen shpjegim. Në fakt, deklarata e Hahn dhe qëndrimet e Greqisë, provuan krejt të kundërtën: se problemet në horizont nuk janë të vogla. Natyrisht Greqia dhe acarimi i saj i shërben elektoralisht Edi Ramës që do ta shesë këtë me krekosjen e zakonshme. Por se çfarë konkretisht do të arrihet përtej mburrjeve dhe deklarimeve për “një mekanizëm dypalësh” kjo mbetet ende për t’u parë. /Respublica/

Please follow and like us: