Albspirit

Media/News/Publishing

ORA E DIPLOMACISË GREKE…

Prof. Dr. LISEN BASHKURTI

Shqiptarët dhe grekët ndajnë së bashku prej mijëra vitesh gjeografi, histori, kulturë, tradita, vlera dhe interesa të shumta e të larmishme. Shqiptarët dhe grekët, janë themelet me të vjetra dhe vijimësisht, me të qëndrueshme të Ballkanit.  Këta dy popuj gjithashtu, kanë bashkëjetuar në paqe dhe bashkëpunim për shekuj të tërë. Madje pa kurrë-farë hezitimi, mund  të thuhet se bashkëjetesa midis shqiptarëve dhe grekëve, i ka mbijetuar sfidave shumë të mëdha dhe tejet të zgjatura historike, pa prodhuar asnjëherë konflikte shkatërruese njerëzore e materiale ndërmjet tyre.

Megali-idea

Të parat probleme midis shqiptarëve dhe grekëve, kanë lindur me doktrinën “Megali-Idea” të nacionalizmit grek, në fillim te shekullit të 19-të. Doktrina e “Megali-Idea”-s, synonte që të shtrinte shtetin nacional grek në hapësirën gjeopolitike Evrolindore, ku banonin popujt me konfesion ortodoks lindor. Me këtë synim, doktrinarët nacionalistë grekë donin të ngrinin shtetin e tyre në një pjesë të madhe të ish Perandorisë Bizantine. “Megali-Idea” nuk ngeli vetëm doktrinë, por u shndërrua edhe në lëvizje revolucionare. Hapi i parë revolucionar grek u hodh në hapësirat e krahinave rumune, por dështoi përballë goditjes së popullit rumun. Hapi i dytë revolucionar grek, u hodh në Fanar të Stambollit, por edhe ky dështoi në saj të goditjes së fuqishme të Osmanëve. Të dështuar në dy hapat e parë tejet larg kufijve të grekëve, liderët nacionalistë grekë, shpërthyen hapin  e tretë revolucionar në Peloponez. Nga vitet 1820-1829, lëvizja revolucionare greke u mbështet nga arvanitasit, shqiptarët autoktone që iu vranë frikën grekëve, derdhën gjakun e tyre, dhanë rreth 90 përqind të dëshmoreve, si dhe liderë të shquar shtet-formues. Doktrina e “Megali-Idea”-s, u ndesh me sllavët në Ballkan. Konflikti lindi me bullgarët e me serbët, sepse kishin konfesion ortodoks lindor, por ama identitet, gjuhë dhe kulturë sllave. Një problem akoma më i madh, i lindi “Megali-Idea”-s me rusët, që ishin gjithashtu ortodoksë, por me një identitet, gjuhë, kulturë sllave dhe me dimension, fuqi e interesa shumë më të mëdha gjeo-politike. Përballë sllavëve të jugut dhe sllavëve rusë, “Megali-Idea”… dështoi.

“Vorio-Epiri”

Mbas dështimit të “Megali-Idea”-s, nacionalistët grekë erdhën duke e kufizuar doktrinën nacionaliste në hapësira gjithnjë e me të ngushta ballkanike. Brenda këtyre hapësirave, “Megali-Idea” do shndërrohej në “Mikri-Idea”, duke u drejtuar kryesisht drejt territoreve dhe popullsisë shqiptare në Veri të Greqisë.

Pikërisht për këtë orientim gjeopolitik, doktrina nacionaliste greke u quajt e “Vorio-Epirit”. “Vorio-Epiri” nisi ekspansionisht me luftërat Ballkanike (1911-1913) dhe u zhvillua gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918). Në këtë fazë, fillon procesi i pastrimit etnik të shqiptarëve të Çamërisë, që popullonin afro 13 mijë km katrorë territore autoktone.  Gjenocidi dhe pastrimi etnik kundër Çamërisë, kulmoi në Luftën e Dytë Botërore (1943-1945), kur monarkë e fashistë grekë, edhe me mirëkuptim të ndonjë fuqie të kohës, masakruan rreth 5 mijë shqiptarë çamë dhe përzunë disa mijëra të tjerë drejt Shqipërisë.

Kripto “Vorio-Epiri”

Në aspektin gjeostrategjik, doktrina nacionaliste greke nuk ka ndryshuar asgjë në qasjen ndaj shqiptarëve. Në vitin 1949, trupa ushtarake greke sulmuan territoret e jug-lindjes së Shqipërisë. Nga viti 1945 e deri në vitin 1955, Greqia bëri bllokim të anëtarësimit të Shqipërisë në OKB. Kjo situatë i la dy shtetet, Shqipërinë dhe Greqinë pa marrëdhënie diplomatike deri në vitet ’80-të, mbas rënies së regjimit të kolonelëve. Kripto “Vorio-Epiri”  vazhdoi edhe mbas integrimit të Greqisë në BE. Mbrapa termave evropianë dhe gjuhës diplomatike bashkëkohore, doktrina e “Vorio-Epirit” ngelet konstante, e pandryshueshme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Diplomaci stanjative

Aktualisht midis Shqipërisë dhe Greqisë ka tri grupe problemesh. Ka probleme të trashëgimisë historike, në qendër të të cilëve është “Çështja Çame”. Ka probleme të tranzicionit demokratik Ballkanik, ku bëjnë pjesë ato të emigracionit, të trafiqeve të paligjshme e të tjera në dinamikë. Ka edhe probleme aktuale serioze, siç është delimitimi i kufirit detar midis dy shteteve. Këto grupe problemesh, janë akumuluar në dosjet diplomatike midis dy shteteve, pa avancuar aspak në rrugën drejt zgjidhjes. Bëhen takime zyrtarësh të lartë, hidhen deklarata shtypi, jepen intervista ambasadorësh, por nuk pasohen aspak me folloë-up diplomatik negociues për të ecur hap pas hapi drejt zgjidhjeve te drejta, të arsyeshme e të dobishme, për të dy vendet, dy popujt dhe për mbarë Ballkanin.

Këto ditë, Ambasadorja Greke në Tiranë dha një intervistë. Në këtë intervistë, diplomatja greke deklaroi qartësisht, se diplomacia e shtetit të saj “nuk njeh të vërtetën për gjenocidin dhe pastrimin etnik të Çamërisë, si dhe e konsideron të zgjidhur delimitimin e kufirit detar me Shqipërinë”. Lidhur me Çamërinë, sfida është e hapur. Diplomacia greke e shqiptare, duhet ta konsiderojnë seriozisht dhe në mënyre negociuese permanente e jo në mënyrë të fragmentuar e deklarative. Çamëria kërkon negociata serioze dhe të gjata. Lidhur me delimitimin e kufirit detar, Draft Marrëveshja e firmosur midis ministrave të jashtëm të të dy vendeve në vitin 2009, u konsiderua antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Për konsekuencë juridike, marrëveshja e vitit 2009 është NUL. Kërkohet një proces tërësisht i ri negocimi midis Shqipërisë dhe Greqisë, për të bërë një marrëveshje krejtësisht të re.

Please follow and like us: